Që të mundësohet përgjigje adekuate ndaj të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe vajzave nevojitet zbatim i politikës gjithpërfshirëse për luftë kundër dhunës, politika të cilat do të jenë element i sundimit demokratik dhe transparent, që e përbën thelbin e sundimit të së drejtës. Mu prandaj si Ministri, punojmë me përkushtim për përmirësimin dhe krijimin e politikave nacionale, preventivë dhe mbrojtje të viktimave të dhunës.
Këtë sot e theksoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska në ngjarjen onllajn “Zero tolerancë për dhunën ndaj grave dhe dhunën familjare”. Organizuese e ngjarjes është Ministria e Punës dhe Politikës Sociale me rastin e shënimit të Ditës ndërkombëtare për luftë kundër dhunës ndaj grave – 25 Nëntori.
Shahpaska, siç kumtoi Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS), porositi se të gjithë ne, jo 16 por 365 ditë të punojmë në çështjet e dhunës, dhunës së bazuar gjinore dhe familjare.
“Kjo ditë nuk duhet të festohet, sepse ne nuk festojmë, por ta rrisim vetëdijen e tërë shoqërisë për luftën e cila nuk duhet të zgjasë vetëm në 16 ditët e ardhshme të aktivizmit, por lufta kundër dhunës ndaj grave, dhunës së bazuar gjinore dhe familjare është obligim i ynë si qytetarë, bartës të vendimeve, politikanëve, si shoqëri të zgjasë në vazhdimësi”, theksoi ministrja Shahpaska.
Ajo foli për momentin historik të gruas në familje, stereotipet gjinore, pozitën e nënshtruar të grave dhe dominimin e burrit kur bëhet fjalë për funksionimin e familjes si qelizë themelore shoqërore. Potencoi se ratifikimi i nënshkruar i Konventës së Stambollit në vitin 2017 do të thotë edhe shndërrim i dispozitave në zgjidhje ligjore, në të vërtetë ky është edhe thelbi i Ligjit të ri për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna ndaj grave dhe dhuna familjare, që është në procedurë kuvendore.
“Pres që përmes një debati të gjerë, transparent së bashku, edhe pushteti edhe opozita, ta hapim debatin e këtij ligji, sepse dhuna nuk njeh status shoqëror apo pronësor, as përcaktim fetar apo politik. Ky është realiteti për të cilin të gjithë haptazi duhet të flasim, të parandalojmë dhe mbrojmë”, theksoi Shahpaska.
Ministrja Shahpaska, siç ceket, foli edhe për rëndësinë e Propozim-ligjit të ri, i cili në vete përfshin preventivë, mekanizëm të parandalimit dhe mbrojtje nga dhuna, por gjithashtu edhe sanksione për mosveprim me vëmendje të obligueshme edhe për institucionet, në të kundërtën viktima ka mundësi të parashtrojë padi për mosveprim dhe u referohet të gjithëve të cilët janë të përfshirë në procesin për reagim gjatë dhunës si Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punëve të Brendshme, organet e administratës shtetërore, deri në njësitë e vetëqeverisjes lokale.
Siç kumtoi MPPS, në ngjarje, krahas ministres Shahpaska, morën pjesë edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ministri i ÇPunëve të Brendshme, Oliver Spasovski, sekretarja shtetërore Tasevska dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe qytetare, Rosana Duxhiak, (UN Resident coordinator), Vesna Ivanoviq Kastarede (UN WOMEN), Urania Pirovska nga Komiteti i Helsinkit, Elena Dimushevska, Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave dhe pjesëmarrës të tjerë.