Ministria e Drejtësisë tashmë ka filluar procedurë për hartimin e Kodit të ri Penal, në të cilin do të përfshihen vepra penale, me të cilat do të rritet niveli i mbrojtjes së gazetarëve dhe punonjësve mediatikë. Kjo u deklarua sot nga ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq në fjalimin e tij në uebinar “Ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut: Zgjidhje për përforcimin e sigurisë së gazetarëve”.
Për hartimin e një teksti cilësor të ligjit, ai shtoi se si Ministri ata mbajtën një takim me përfaqësuesit e fellës gazetareske dhe shoqatat e gazetarëve, duke përfshirë edhe SHGM dhe sindikatën.
“Propozimet e tyre janë sigurisht të mirëseardhura, sepse vetëm përmes një dialogu të hapur me gazetarët, do të mund të miratojmë ligj të ri që do t’i mbrojë më tej për të bërë të lirë punën e tyre me përgjegjësi, dhe të gjithë ata që do të përpiqen t’i frikësojnë ata qoftë fizikisht ose verbalisht për të sulmuar gazetarët, gjegjësisht punonjësit mediatikë, të ndëshkohen në mënyrë rigoroze”, theksoi Mariçiq.
Ai sqaroi se në lidhje me mbrojtjen e gazetarëve, grupi i punës për Kodin Penal janë propozuar ndryshime në disa vepra penale nga një forme më e rëndë, natyrisht nëse krimi ishte kryer kundër një gazetari. Gjobat në të ardhmen, sipas Mariçiqit, duhet të jenë akoma më të rrepta.
“Dua edhe një herë t’i bëj thirrje publike gazetarëve, të përfaqësuar përmes sindikatave dhe shoqatave të tyre, t’i vazhdojmë bisedimet në mënyrë që të miratohen ligje me cilësi më të lartë që do të garantojnë sigurinë e tyre dhe punën e lirë”, tha ministri.
Përveç ndryshimeve ligjore, ai theksoi se një nga vërejtjet më të rëndësishme të temës janë në drejtim të asaj se nevojitet veprimi më efikas nga ana e institucioneve përgjegjëse për hulumtim dhe sanksionim.