Presidenti, Stevo Pendarovski vlerëson se kërkesat bullgare janë në kundërshtim me vlerat evropiane dhe se ato nuk përmbahen fare në Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë të nënshkruar në vitin 2017.
Në një intervistë për televizionin austriak ORF TV, Pendarovski tregon se e njëjta strukturë politike në Sofje që e nënshkroi Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë dhe e cila atëherë thoshte se është një marrëveshje e mirë, tani me kërkesat e fundit del nga parametrat e asaj Marrëveshjeje.
“Askund në Marrëveshjen e vitit 2017 nuk ka asnjë shkronjë të vetme, jo më nen, apo paragraf, e as preambulë, çfarëdo pjese, që thotë se ne duhet të debatojmë në kuadër të bisedimeve bilaterale për origjinën zonë etnike, maqedonasve. Nuk ka një shkronjë të vetme, pjesë, nen, që dikush thotë se duhet të negociojmë me palën bullgare nëse gjuha që flas tani është maqedonase apo jo”, tha Pendarovski.
Sipas tij, nuk mundet një shtet nga pozicioni i një vendi anëtar të Unionit të vendosë kushte dhe të thotë se si të lexohet historia dhe të përmbushet diçka që nuk është fare pjesë e Marrëveshjes.
“Ju nuk mund të na akuzoni se nuk e kemi respektuar Marrëveshjen dhe në të njëjtën kohë të shtoni kërkesa që, përveç që shkojnë përtej mendjes së shëndoshë dhe shkojnë kundër vlerave themelore demokratike, thjesht nuk përmbahen në Marrëveshje. Pra, është një gjë nëse në atë pjesë kualifikimi do të ishte që në një aspekt të kemi një ngadalësim të asaj Marrëveshjeje, veçanërisht në pjesën e Komisionit për historianët. Kuptohet, është gjithashtu në interesin tonë që ta dimensionojmë. Sidoqoftë, nuk mund të flasim për mosrespektim të dispozitave të Marrëveshjes nëse flisni dhe sfidoni të drejtën time për vetidentifikim etnik dhe kombëtar, sepse një gjë e tillë nuk përmbahet në marrëveshje”, vlerëson Pendarovski.
Ai thotë se është legjitime që Bullgaria dëshiron t’i mbrojë të drejtat e atyre qytetarëve në Maqedoninë e Veriut që deklarohen si bullgarë, por, siç thotë ai, e mohon të drejtën e atyre që duan të deklarohen si maqedonas dhe të jetojnë në territorin bullgar.