Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq zhvilloi takim onlajn me eurokomesaren për drejtësi dhe transparencë Vera Jurova, ku diskutoi mbi reformat kryesore në fushën e drejtësisë. Gjatë bisedës, Mariçiq prezantoi reformat e ndërmarra dhe të planifikuara në resorin e tij dhe shfaqi shpresën se korniza negociuese do të miratohet në ditët e ardhshme dhe se në dhjetor do të kemi konferencën e parë ndërqeveritare dhe fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, Mariçiq gjithashtu theksoi se është në komunikim intensiv me të gjithë aktorët relevantë në gjyqësor në përcaktimin e prioriteteve dhe sigurimin e pjesëmarrjes së tyre në reformat kryesore në fushën e drejtësisë dhe se deri më tani procesi po shkon mirë, dhe ka reagime pozitive. Ministri në veçanti theksoi se përfshirja e BE-së në procesin e drejtësisë është thelbësore dhe do të sigurojnë vlera dhe kredibilitet shtesë të reformës në drejtësi.
Për shkak të pandemisë, Mariçiq tha se digjitalizimi i gjyqësorit dhe prokurorisë për trajtim efikas dhe efektiv të çështjeve është i nevojshëm si kurrë më parë dhe se mbështetja e BE-së për modernizimin e gjyqësorit do të jetë një katalizator i vërtetë për digjitalizimin, që synon një proces gjyqësor më efikas.
Komisionerja e BE-së Jurova tha se Komisioni Evropian është i gatshëm të sigurojë ndihmë këshilluese dhe financiare për projekte që synojnë përmirësimin e transparencës dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë.
Ajo gjithashtu u shpreh se kur të krijohen kushtet, duke pasur parasysh pandeminë globale, do të vizitojë Maqedoninë e Veriut dhe do të takohet personalisht me ministrin Mariçiq në mënyrë që të përshpejtojë bashkëpunimin në fushën e drejtësisë.