Me ndryshimet e Ligjit për mbrojtje të popullatës nga sëmundjet ngjitëse, të gjitha inspektoratet tani kanë autorizime të reja më të mëdha për veprim me shkelësit e protokolleve shëndetësore të cilat janë në fuqi, deklaroi sot zëvendëskryeministri përgjegjës për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit, Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Resurseve Njerëzore, Lupço Nikollovski.
Konkretisht në teren, theksoi ai, nëse inspektorët konstatojnë shkelje të caktuar të protokolleve nga ndonjë person juridik, në të njëjtin moment do t’i shqiptohet ndalesë e përkohshme për ushtrimin e veprimtarisë prej 10 deri në 30 ditë.
“Këtë mundësi ligjërisht inspektorët nuk e kishin si instrument dhe mjet dhe mendoj se është i nevojshëm në këtë periudhë”, deklaroi Nikollovski, në konferencën e përbashkët për media me kryetaren e Këshillit Inspektues Magdalena Filipovska-Grashovska, si dhe drejtorët e inspektorateve shtetërore të tregut.
Vlera e gjobave, theksoi ai, do të variojë varësisht madhësisë së subjektit juridik – ndërmarrje e vogël, e mesme ose e madhe, si dhe gjoba adekuate për personat përgjegjës.
“Me këtë dëshirojmë të tregojmë barabarësi sa i përket madhësisë së subjektit dhe nivelit të vetë gjobës”, deklaroi Nikollovski.
Gjendja, theksoi zëvendëskryeministri, është serioze dhe për këtë nevojitet respektim i masave dhe protokolleve.
“Respektimi i masave dhe protokolleve dhe instrumentet të cilat i kemi në dispozicion me ndryshimet nënkuptojnë se tolerancë për shkelësit nga institucionet nuk do të ketë”, deklaroi Nikollovski.
Analiza e Këshillit Inspektues, theksoi ai, tashmë është bërë dhe tashmë nuk mund të ketë pengesa që të mos përforcohen kapacitetet e inspektorateve.
“Me këto ingerenca të rritura, me të vërtetë kapacitetet duhet të rriten dhe hapat e ardhshëm të Qeverisë që të rritet potenciali kadrovik dhe njerëzor për vitin e ardhshëm 2021 për të gjithë inspektoratet, në bazë të kësaj analize. Qeveria ka vullnet dhe mirëkuptim”, deklaroi Nikollovski.