Kategoritë

POLITIKË Filloi debati kuvendor për ribalacin e Buxhetit

Kuvendi e filloi debatin për Propozimin e plotësuar për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2020, i cili i përmban amendamentet nga debati i komisionit. Konform Rregullores debati zgjat pesë ditë pune.

Propozimin para deputetëve e elaboron ministri i Financave, Fatmir Besimi.

“Sot para jush ndodhet një dokument, për të cilin presin shumë qytetarë dhe kompani të prekura që të miratohet. Efektiviteti i pakos së katërt të masave antikrizë varet nga miratimi i këtij ribalanci. Me të sigurohen fonde për realizimin e masave të pakos së katërt”, tha Besimi.

Të hyrat e përgjithshme me ndryshimet në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2020 janë planifikuar në nivelin prej 196.3 miliardë denarë dhe ato janë planifikuar në një nivel pothuajse identik në krahasim me planin, duke pasur parasysh se me ndryshimet e mëparshme të Buxhetit ato ishin planifikuar në një nivel më të ulët prej 11.5 përqindëve krahasuar me parashikimet fillestare të Buxhetit.

Shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 252.8 miliardë denarëve ose 5.5 për qind, gjegjësisht rreth 13 miliardë denarë më të larta se Buxheti fillestar për vitin 2020 (para krizës së KOVID).

Bazuar në të hyrat dhe shpenzimet e planifikuara, deficiti pozicionohet në vlerë prej 56.5 miliardë denarëve, gjegjësisht 8.5 për qind e BPV-së.