Ekipi i CIVIL Media sot doli para Kuvendit në pritje të protestës së lëvizjes “Prerodba” (Ringjallje), të cilët protestojnë kundër ndryshimeve të Kushtetutës, për dorëheqje të Qeverisë, dhe kundër Marrëveshjes së Prespës. Ndërkohë, intervistuan disa nga deputetët që i takuan në hyrje të Kuvendit, me pyetje për gjendjen aktuale, gjegjësisht, çfarë po ndodh këtyre ditëve në Kuvend, dhe si qëndron puna me propozimin për ndryshimet e Kushtetutës që vijoi pas Marrëveshjes së Prespës, si parakusht për bisedimet për anëtarësim në NATO dhe BE.
Fadil Zendeli nga Besa (krahu i Tetovës) thotë se për momentin në kuvend vërehen dy grupe të polarizuara të partive Maqedonase, në aspektin e Marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimet në Kushtetutë, por shpresojmë se në moment të fundit do të ketë zgjidhje pozitive për të gjithë, ndërsa partitë shqiptare janë të mendimit se ndoshta duhet të ketë zgjedhje të parakohshme dhe se pas zgjedhjeve gjërat mund të lëvizin.
Artan Grubi nga BDI tha se Ali Ahmeti nuk ka qenë negociator, por e ka ndërmjetësuar dialogun për lehtësimin e zgjidhjes, dhe beson se të gjithë (120) deputetët do të rreshtohen pas ndryshimeve kushtetuese.
Afrim Gashi, kryetari i Lëvizjes Besa – krahu i Shkupit, theksoi se se do ta mbështesin Marrëveshjen dhe implementimin e tij, dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve të marrin vendim në dobi të vendit, edhe pse gjendja për momentin është shumë e ndjeshme.
Kryetari i BDI, Ali Ahmeti dhe kryetari i PDSH, Menduh Thaçi, nuk u deklaruan para kamerës së CIVIL Media.
D. Tahiri
Kamera: Atanas Petrovski
Montazhi: Bunjamin Kamberi
Fotografia: Maja Ivanovska