Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, sot do të realizojë vizitë zyrtare në Vatikan, ku në audiencë të veçantë do të pritet nga papa Françesku.
Para takimit me papën, Meta ka dhënë një intervistë për gazetën prestigjoze italiane “Il asagero” ku ka folur edhe për vëmendjen e veçantë që papa i kushton Shqipërisë.
“Ne falënderojmë Atin e Shenjtë për vëmendjen e veçantë që ka patur për Shqipërinë dhe mbështetjen për bashkëjetesën tonë shembullore fetare. Mbi të gjitha vendi ynë është vendi i Shenjtores Nënë Terezë dhe i Kardinalit Ernest Simoni-Troshani, i martirizuar për dekada në burgjet komuniste bashkë me dhjetëra klerikë të tjerë”, tha Meta.
Ai është përqendruar edhe në bashkëpunimin ekonomik me Italinë, duke theksuar se Italia është partneri i parë tregtar i Shqipërisë.
Gjithashtu, theksoi se, nevojitet bashkëpunim më i madh në drejtim të modernizimit të infrastrukturës. (MIA)