Xhabir Deralla, presidenti i CIVIL – Qendrës për Liri, në fjalimin e tij në konferencën “Perspektiva të Maqedonisë: Si deri në Evropë?”, theksoi se kjo konferencë hap mundësi për dialog politik, këmbim të mendimeve, qëndrimeve dhe përvojave, dhe njëkohsisht që vlerat evropiane mund të jenë pjesë e ardhmërisë së Maqedonisë.
“Ballkani, i zhytur në krim dhe gjak. Ballkani, labil dhe i përçarë nga dhuna, nën pushtet të dhunuesve, oazë për krim të organizuar dhe larje parash. Ballkani i ndarë dhe i shkatërruar nga urrejtja etnike dhe konfliktet. Ballkani, i fiksuar me urrejtje maniakale dhe të dhimbshme kundër armiqve që nuk ekzistojnë, i humbur pa kthim në të qelburat imorale të etno-radikalizmit. Maqedonia, copë trualli pa fletë pronësie, e shtypur në terrin e Ballkanit…në fundësi.
Rruga tjetër, në drejtim të kundërt, është integrimi euro-atlantik, shoqëri të hapura dhe harmonike, me qeveri demokratike të cilat janë partnere të shoqërisë qytetare. Perspektiva e ndritur janë shtete në të cilat sundon drejtësia dhe respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut. Pas shumë viteve regresi, dhune dhe shkatërrimi, perspektivat e Maqedonisë janë më të ndritura dhe premtojnë harmonizimin me vlerat evropiane në të cilat në vendin e parë është dinjiteti njerëzor.
Paqe dhe mirëqenie e qytetareve dhe qytetarëve, mosdiskriminim, barazi gjinore, drejtësi, përgjegjësi, transparencë, drejtësi sociale dhe ekologjike, mbrojtja e kategorive të rrezikuara, respektimi i të drejtave politike, ekonomike dhe sociale për të gjithë barabartë, obligimi i punëdhënësit për kujdesin për punëtorët, e drejta e protestës – janë vetëm një pjesë e vlerave evropiane të cilat mund të jenë pjesë e ardhmërisë së Maqedonisë.
Sfidat para ardhmërisë së Maqedonisë me perspektiva që premtojnë jetë të mirë, janë të mëdha. Përkundër komplimenteve dhe inkurajimit nga bashkësia ndërkombëtare, ne jemi të vetëdijshëm se reformat mund të jenë më energjike dhe më themelore. Jemi të vetëdijshëm se institucionet kyçe, të cilat në periudhën e ardhshme duhet të sigurojnë besim të madh në proceset, si për shembull KSHZ, ende të ballafaquar me pasojat nga puna korruptuese dhe partizimi i thellë. E dimë që klientelizmi dhe korrupsioni janë thellë të rrënjosura në shoqërinë tonë, mediat janë në gjendje të mjerueshme, ndërsa tensionet fetare dhe etnike ende janë mjetet më të mira dhe më të lira në duart e strukturave të cilat nuk e duan përparimin dhe lirinë.
Në periudhën e kaluar, Civili doli me shumë rekomandime për përmirësimin në sferën e sistemit zgjedhor, lirive të mediave dhe lirinë e shprehjes, drejtësinë sociale dhe ekologjike, në veçanti në aspektin e keqpërdorimit në kontekstin zgjedhor. Presim që institucionet dhe qeveria t’i rilexojnë dhe t’i përshpejtojnë proceset, që të mos i lëshojmë afatet edhe kësaj here. Sepse, mund të jenë afatet e fundit, pas të cilave nuk do të kemi rast të ri.”