Ahmet Bekir është njëri nga dëshmitarët që sot ka dhënë dëshminë e tij në Gjykatën penale për rastin ”Monstra” që tashmë është në duart e Prokurorisë Speciale. Para tij janë dëgjuar edhe tre dëshmitarë të tjerë që më 12 prill 2012 në ditën e krimit monstruoz ishin për peshkim në Liqenin e Smilkovës.
Ata sikur Ahmet Bekiri para trupit gjykues kanë thënë se në ditën kritike ishin aty dhe kanë parë atë që e kanë rrëfyer edhe më parë. Ai herën e fundit u alivanos në gjykatë ,dhe se për këtë sot prokurorja Fatime Fetai i tha se i vjen keq për atë që ndodhi gjatë seancës së kaluar.
Fetai e ka lutur edhe njëherë Bekiri të dëshmojë se çfarë ka parë në ditën kur u vranë katër të rinjtë dhe peshkatari në Liqenin e Smilkovës, pasi që ka pasur dallime nga ajo që e kishte thënë në gjykimin e parë dhe në procedurën e përsëritur.
Dëshmitari ka përsëritur se pasdite ka parë katër të rinjtë që nga ai dhe shokët e tij kishin kërkuar bukë për peshqit. Ka rrëfyer se në mbrëmje ka parë në njeri të uniformuar me pushkë automatike, që i ka thënë të ikin sepse përndryshe do ti vrisnin.
Prokurorja Fetai e ka pyetur dëshmitarin se derisa ka dhënë dëshminë para gjykatësit hetues a e ka sugjeruar dikush se çka të flasë. Apo a ja kanë lexuar deklaratën para se ta nënshkruajë?
Në këtë pyetje, dëshmitari është përgjigjur në mënyrë konfuze, duke thënë se gjykatësja e ka pyetur dhe ai është përgjigjur dhe se nuk mban mend se dikush ja ka lexuar deklaratën para se ta nënshkruajë.
Dëshmitari disa herë ka përsëritur se është analfabetë dhe se nuk i kupton fjalët e prokurores Fatime Fetai. Dëshmitarët kanë thënë se për rastin janë njoftuar në televizion kur kanë dëgjuar se katër të rinjtë janë vrarë.
Për vrasjen në Smilkovë janë të dënuar me burgim të përjetshëm Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta, në rastin e koduar “Monstra”, për të cilën shumë të vërteta dolën se ishte i montuar dhe se tani është në kompetencë të Prokurorisë Speciale. Gjykata Supreme në dhjetor të vitit të kaluar ka anuluar dënimet dhe liroi nga paraburgimi të gjithë të dënuarit, duke shqiptuar masën e përkujdesit.
Burimi: INA