Kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, i shoqëruar nga eurokomisari për zgjerim Johanes Han, e zgjodhën pikërisht Maqedoninë si destinacion të parë në kuadër të turit të tyre nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të së cilës e prezantojnë Strategjinë për zgjerim të Unionit me vendet e rajonit.
Sollën mesazh për konfirmimin e të ardhmes evropiane të Maqedonisë, për mundësitë reale që vendi të marrë rekomandim për anëtarësim këtë vit, por kuptohet nëse vazhdon të ecë në hapat, në të cilin ndodhet momentalisht, zbatim intensiv i reformave dhe përmirësim i marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Junker në konferencën e përbashkët për shtyp me Zaevin theksoi se në vend nuk ka ardhur për të kumtuar datë të saktë për fillim të negociatave, por përmendi se Maqedonia është në rrugë të mirë, ka arritur përparim dhe se nëse vazhdon të lëvizë në atë drejtim, për disa muaj mund ta marrë të priturën dhe rekomandimi nuk do të jetë i kushtëzuar.
“Nuk erdhëm t’ju kumtojmë datë, por t’ju themi se jeni në rrugë të mirë dhe nëse vazhdoni në atë rrugë, për disa muaj do t’i jepni mundësi KE-së, Këshillit t’ju rekomandojë fillim të negociatave për inkuadrim”, tha Junker.
Autoritetet e Maqedonisë i porositi që ta zgjidhin kontestin me emrin me miqtë e tyre grek. Shikon progres në proces, ndërsa si dëshmi për këtë i ka pasur ndryshimin e emrit të aeroportit, pas vendimit të Qeverisë që ai të riemërohet, si shenjë e lëshimit në procesin e negociatave.
Kryeministri edhe një herë konfirmoi se Qeveria pranon përcaktim gjeografik, por edhe zgjidhje të denjë, ndërsa gjithashtu mbetet i përkushtuar edhe në përmirësimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore në tërësi.
“Insistojmë për zgjidhje, e cila do të jetë e përhershme, por edhe ta respektojë dinjitetin dhe do ta mbrojë identitetin e të dy shteteve”, tha Zaev.
Shprehu bindje të thellë se në qershor të vitit 2018 Këshilli do të marrë vendim për fillim të bisedimeve.
Pas takimit me Zaevin kryetari i KE-së, Junker dhe eurokomisari Han kishin takime edhe me presidentin e vendit Gjorge Ivanov. Nga Maqedonia ata u larguan drejt Shqipërisë. Deri më 1 mars do t’i vizitojnë të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Burimi: MIA
Përmbajtjet që i merr Civili nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.