Po intensifikohen negociatat në nivel ministror për zgjidhjen e kontestit të emrit pas paralajmërimeve për ardhjen e shefit të diplomacisë greke Nikos Koxias në Maqedoni.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë për MIA-n kumtuan se Koxias do të vijë në Shkup deri në fund të shkurtit apo në fillim të marsit, e jo siç paralajmëruan paraprakisht mediat greke, gjatë kësaj jave.
Si arsye për prolongimin e vizitës në Shkup theksohen agjendat e dendura dhe tashmë të dakorduara paraprakisht të dy ministrave, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxijas.
Paraprakisht televizioni grek “Alfa” publikoi se shefi i diplomacisë greke në ditët në vijim do të vijë në Shkup. Në një kronikë në edicionin qendror të lajmeve, gazetarja duke iu referuar burimeve të televizionit, thotë se fillon java kyçe për negociatat, ndërsa Koxias homologut të tij nga Maqedonia do t’ia dorëzojë propozim marrëveshjen që e përpilon pala greke.
Optimist se do të gjendet zgjidhje deri në Samitin e NATO-s është edhe kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, i cili në një intervistë për radiostacionin austriak ORF, thotë se beson që me sukses do të përfundojnë negociatat në korrik. Kryeministri thekson se hyrja e Maqedonisë në NATO, është më se e sigurt, nëse gjendet zgjidhje për kontestin.
“Kemi thirrje automatike, që do të thotë se anëtaret e NATO-s do të fillojnë me ratifikimin e inkuadrimit tonë, pasi që ne dhe Greqia do të njoftojmë se kontesti është zgjedhur”, thotë Zaevi.
Sipas ish ambasadorit gjerman në SHBA dhe kryesuesit aktual me Konferencën e Sigurisë të Munihut Volfgang Ishinger, rruga e Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s është dashur shumë më herët të zhbllokohet.
“Rruga e Shkupit drejt BE-së dhe NATO-s duhet të zhbllokohet. Kjo është dashur shumë herët të bëhet”, shkroi Ishinger në profilin e tij në Tuiter.
Optimizëm i arsyeshëm për të gjetur zgjidhje për emrin shpreh edhe ish ambasadori grek në Maqedoni, Jorgos Kaklikis, i cili gjatë një bisede për CNN.GR, përkujton periudhën kur ka qenë ambasador në Maqedoni dhe momentin kur në vitin 2001 të dy vendet kanë qenë një hap afër zgjidhjes pasi qeveria greke ka ngritur nismë për negociata në Shkup.
Burimi: MIA
Përmbajtjet që i merr Civili nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.