Duke dëshmuar në seancën gjyqësore për dhunën në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë më 27 prill të vitit të kaluar, deputeti dhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, tha se në sallën për shtyp u godit me monitor dhe me shtizën e flamurit dhe se ka dëgjuar kërcënime drejtuar atij se do ta vrasin.
Në një moment është sulmuar nga persona nga turma të cilët kanë filluar ta gjuajnë me grushte në kokë dhe më pas e ka humbur vetëdijen. Gjëja e fundit që mban mend është se ka rënë në gjunjë dhe se kanë filluar ta godasin në kokë dhe në trup.
Shtoi se gjatë sulmit kanë tentuar ta mbrojnë deputetët Suria Rushiti dhe Rexhail Ismaili, por kur ata janë tërhequr, ai ka mbetur vetëm dhe është sulmuar nga turma.
Ka ardhur në vetëdije pas dy orësh në një nga zyrat në Kuvend, ku ka ardhur policia dhe ndihma e shpejtë mjekësore. Policët e kanë maskuar si një polic i lënduar dhe e kanë dërguar në spital. Në korridor e ka takuar ministrin e atëhershëm të Shëndetësisë, Nikolla Todorov i cili ka thënë se duhet të dërgohet në Spitalin e Qytetit, për të cilën ka kundërshtuar mjeku i cili ka insistuar që Sela të dërgohet në Klinikën për Anestezion, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv. Aty, mjekët kanë konstatuar se ka qenë në rrezik për jetë dhe ka pasur hemoragji.
Si pasojë e asaj që ka pësuar më 27 prill, Sela tha se edhe sot merr terapi për dhimbje dhe për një kujtesë të dobët.
Përmendi edhe se gjatë ngjarjeve të 27 prillit në sallën për shtyp ka pasur një gazetare e cila e ka xhiruar dhe nuk e ka lejuar të dalë, duke e kërcënuar. Gazetarja, siç tha, ka biseduar me një person të maskuar.
Rrëfimi i Selës për ngjarjet është përgjigje e pyetjeve të prokurorit. Pas përfundimit të pyetjeve nga prokurori, pyetje filloi t’i parashtrojë edhe avokati i tij.
Në seancën paraprake, avokati i Selës kërkoi dëmshpërblim për klientin e tij në vlerë prej 30 milionë denarësh. Mjetet që kërkohen si dëmshpërblim janë për shpenzimet materiale për mjekimin e Selës, si dhe për dhimbjen e pësuar fizike, cenimin e integritetit personal dhe për frikën e pësuar.
Në këtë rast të akuzuar janë Kire dhe Cejo Gjorgjievski, Oliver Oshavkovski,l Sasha Cenkov, Nikollçe Dimitrievski, Aleksandar janevski – Toshta, Andrej Micov,l Nikolla Vojminovski, Kosta Dellov dhe Stojan Pavloovski – Kobra.
Burimi: MIA
Përmbajtjet që i merr Civili nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.