Në Kosovë të dielën mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale. Ajo që na tërheq vëmendjen është ngjashmëria e vijimit të procesit zgjedhor, krahasuar me zgjedhjet lokale te ne, të cilat para disa ditëve edhe zyrtarisht përfunduan.
Rreth të dytë do të ketë në një numër më të madh të komunave të Kosovës, ashtu që, me gjitha forcat udhëhiqet betejë dhe fushatë në forma të ndryshme me qëllim që të fitohen besimi i qytetarëve. Premtimet e kandidatëve i tejkalojnë gjitha pritjet reale të qytetarëve, por e dini, me rëndësi është që të tingëllojnë dhe të duken bukur projektet dhe planet të cilat ndoshta asnjëherë nuk do të realizohen. Është më se e qartë se buxheti komunal nuk mundet assesi ti mbulon premtimet e tyre, por, interesant është fakti se nëse i përmbledhim të gjitha investimet dhe projektet e premtuara nga fushata parazgjedhore, ata nuk mund të mbulohen as edhe nga buxheti shtetëror i Kosovës, duke pasur parasysh gjitha kapacitetet financiare të vendit. Gjegjësisht, Kosova ka rreth dy miliardë euro buxhet vjetor, ndërsa kandidatët për kryetar të komunave, gjithsej premtojnë diçka më tepër se buxheti shtetëror.
Neve, as nuk habitemi, e as nuk është diçka e re, duke pasur parasysh se edhe premtimet parazgjedhore të kandidatëve tanë për kryetar dhe këshilltar të komunave, shpesh i tejkalojnë mundësitë reale të vetëqeverisjes lokale.
Zgjedhjet lokale atje, na sjellin edhe rrethana tjera interesante nga përditshmëria e tyre politike.
Rast i tillë është edhe situata ku humbësi shpërblehet! Numër i konsiderueshëm i kandidatëve të cilët nuk fituan në rrethin e parë, e as nuk shkuan në balotazh, janë shpërblyer me pozita “modeste” – zëvendës ministra! Në një shtet të vogël dhe jo të zhvilluar siç është Kosova, besoni ose jo, deri tani janë emëruar 60 zëvendës ministra.
Me investimet dhe projektet e premtuara, si dhe me vazhdimin e trendit në emërimin e zëvendës ministrave, më tepër se sa është e nevojshme, ka shumë gjasa që Kosova të falimentoj në vend se të përparoj.
Fari Hiseni