Shkruan: Sasho Ordanoski
[dropcap font=”arial” fontsize=”45″]Nj[/dropcap]jë grup prej disa duzinave banditësh nga Kosova, me siguri në bashkëpunim me një grup më të vogël banditësh në pushtet nga Maqedonia ( për këtë pak më poshtë), në maj të vitit 2015 zbatuan një luftë të vërtetë të vogël dyditëshe në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë. Rezultati ishte dramë sigurie rajonale me përmasa të mesme, përskaj dramës së madhe të sigurisë nacionale me dhjetëra të vdekur dhe të lënduar në dy anët. Siç dihet, jetën e humbën edhe tetë përkatës të forcave speciale policore të Maqedonisë.
Pas dy vite paraburgimesh dhe gjykimesh, javën e kaluar u shqiptuan dënimet për banditët nga Kosova: shumë dënime të përjetshme dhe shumë dënime tjera me burg.
Një nga avokatët e tyre ( përndryshe njeri i mençur) thotë se dënimet janë shumë të ashpra, drakonike, sepse të dënuarit nuk kanë qenë terroristë. E po çfarë kanë qenë? E po, janë manipuluar me “prapavijë politike”, dhe nuk kanë vrarë civilë…E kush thotë se terrorizmi është dhunë – me siguri, e manipuluar me “prapavijë politike” – e cila zbatohet kundër civilëve? Mirëpo, thotë mbrojtja, ata ishin naivë, këtu i kanë mashtruar, i kanë kurdisur…
E pse nuk të mashtrojnë ty, së pari të sulmosh ndonjë kullë vrojtimi kufitar në Kosovë, nga atje të marrësh një mitraloz të rëndë, të varësh në krah një minahedhës dhe të vendosësh dhjetë bomba në bel, dhe, me 30-40 veta të armatosur deri në dhëmbë, edhe ti, të shkosh në ndonjë lagje në periferi të Prsihtinës dhe atje, pavarësisht se kush të ka gënjyer dhe sa para të ka dhënë dhe nëse të ka premtuar, të gjuash mbi forcat speciale policore të Kosovës, të vrasësh tetë veta dhe të plagosësh mbi tridhjetë persona tjerë zyrtarë? Vallë gjykata shqiptare në Kosovë këtë nuk do ta trajtonte si terrorizëm?! Për më tej, në gjykatë të klithësh “ Kosova është Serbi!”, dhe kur ta lexojnë dënimin, me tre gishtat çetnikë para hundës së gjykatëses…
Nuk ma merr mendja se Gjykata Penale në Prishtinë do të ketë mirëkuptim adekuat për naivitetin tënd dhe do të dënojë sipas veprave penale për gjueti të ndaluar dhe “të shtëna në dasmë”, e jo për terrorizëm. Mirëpo, nëse gjykata kosovare të gjykon në mënyrë “drakonike”, do të mbledhim disa autobusë me demonstrues nga Maqedonia dhe nga Serbia dhe do të shkojmë në Prishtinë të protestojmë kundër gjykimit dhe të do të thërrasim “Serbia, Serbia!” para ndërtesës së Qeverisë Kosovare, do të ndezim dy-tre flamuj shqiptarë dhe do të kërkojmë arbitrazhe ndërkombëtare gjyqësore…
Me, ose pa ironi, deri këtu, puna është e qartë.
Kuptohet, pyetja është se pse nuk gjykohet “banda jonë”? Pse Prokurorin Publik dhe Gjykatën nuk i intereson – e sipas ligjit – ËSHTË PATJETËR t’i zbulojë të GJITHË të involvuarit në këtë akt terrorist, ta sqarojë motivin e tyre, kush ka qenë inspiratori, bashkë- organizator, financues dhe, në fund, kush ka pasur interes diabolik politik nga ky akt kriminel, terrorist? Pse Prokurorinë dhe Gjykatën e Maqedonisë nuk i interesojnë këto gjëra?
Si mundet të mos ketë hetim përkatës për incidentin e Kumanovës nga ana “maqedonase”? Të gjitha gjasat tregojnë se njerëzit e njëjtë – TË NJËJTË! – më vonë e organizuan tentimin për grusht-shtet në prill të këtij viti në Kuvendin e Maqedonisë. Kush thotë se ata njerëz ( të gjithë janë në liri), përsëri javën e ardhshme, ose muajin e ardhshëm, përsëri nuk do të organizojnë diçka kundër stabilitetit dhe rendit kushtetues të shtetit? Mos vallë u mungojnë para dhe resurse tjera? Mos vallë nuk kanë motive dhe interesa tjera të errëta? Mos u mungojnë budallenj në dispozicion?
Që të balancohet pjesa e dytë e problemit, me atë të parën, të mbyllur në gjyq në mënyrën e përshkruar më lartë, parapëlqej të pajtohem për ndonjë arbitrazhe ndërkombëtare penale në këtë rast, sepse gjykata e Maqedonisë NUK ËSHTË E AFTË, jo në nivel ekspert, por në nivel politik, të zbatojë proces korrekt hetimor dhe gjyqësor.
Ose, ndoshta Apelacioni do të merr guximin ( sepse dituria nuk është kontestuese) dhe do ta kthejë procesin gjyqësor në fillim, dhe të kuptohet se kush, kurë dhe pse e inspiroi, planifikoi dhe ekzekutoi incidentin e Kumanovës?
Vetëm se, “ana shqiptare” e cila tani kërkon arbitrazh ndërkombëtar mendon se, nëse zbulohet edhe “ana maqedonase” e incidentit, gjykimet përfundimtare për të gjithë do të ishin tepër më të vogla…E unë mendoj se, përkundrazi, nëse dëshmohet përzierja e tyre, edhe për “anën maqedonase” duhet të pasojnë dënime me burg të përjetshëm, sipas “meritave”. Edhe atë, të gjithë të vendosen në të njëjtin krah të burgut në Idrizovë.