“Sllovenia vazhdimisht e mbështet Maqedoninë në procesin e integrimeve euroatlantike, për arsye se integrimi i rajonit kontribuon për forcimin e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit”, është theksuar në takimin e presidentëve të Kuvendit të Maqedonisë dhe Sllovenisë, Talat Xhaferi dhe Milan Brglez, sipas agjencisë Meta.
“ Në aspektin e bashkëpunimit bilateral, Xhaferi dhe Brglez u pajtuan se ajo është e mirë, por edhe se mundet të thellohet dhe të zgjerohet, sidomos në domenin e diplomacisë parlamentare. Dy kuvendet bashkëpunojnë në kornizat e Kuvendit Parlamentar në Procesin për bashkëpunim në Evropën Juglindore, me të cilin për momentin kuvendon Republika e Sllovenisë, dhe që njëkohësisht, paraqet forum të rëndësishëm për forcim dhe zgjerim të bashkëpunimit rajonal”, thuhet në kumtesën zyrtare.
Gjatë takimit, Xhaferi e ka informuar mysafirin nga Sllovenia për zgjedhjet e ardhshme vendore dhe për dinamikën e zbatimit të reformave nga plani “3-6-9”, ndërsa kanë biseduar edhe për krizën e emigrantëve dhe për masat e Maqedonisë për këtë rast, së bashku me shtetet – partnere, siç është Sllovenia.