Xhabir Deralla
Nëse dëshiron t’u besosh gënjeshtrave të politikanëve, të lexosh propagandë të paketuar si “analizë” apo të kënaqesh me heshtjen e institucioneve, ndërsa faktet dhe realiteti nuk të interesojnë – nuk kërkon të vërtetën, por arratisesh në rehatinë e përkohshme të iluzionit.
Nëse dëshiron të lundrosh mbi valët e urrejtjes së pakuptimtë nacionaliste, të jetosh me iluzione për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, ndërsa jetën tënde ta shohësh si historinë e dikujt tjetër në televizor – atëherë nuk dëshiron të mendosh me kokën tënde, por i lë të tjerët të mendojnë dhe të vendosin për ty.
Nëse “të tjerët” janë armiqtë e tu vetëm sepse flasin një gjuhë ndryshe nga e jotja, nëse admiron kultura të largëta, por përçmon ato me të cilat bashkëjeton dhe nëse mendon se të drejtat e disave janë kërcënim për të tjerët – nuk po mbron veçantinë tënde, por po justifikon poshtërimin e të tjerëve.
Nëse korrupsioni të pengon vetëm kur vjedhin “të tyret”, nëse kërkon drejtësi për vete dhe për “të tutë”, por hesht për ata që akuzohen padrejtësisht sepse janë “të tyret” dhe nëse lirinë e përfytyron si privilegj vetëm për ata që mendojnë si ti – nuk kërkon drejtësi, por privilegje.
Nëse guximin e mat me forcën e kërcënimeve, nëse në vuajtjen e tjetrit sheh një ndëshkim të merituar dhe nëse njerëzia jote varet nga ana së cilës i përket viktima – atëherë ana jote është bërë më e rëndësishme për ty se njerëzia.
Nëse për ty vrasja e një fëmije është e justifikueshme në një luftë, por krim në një tjetër – nuk kam çfarë të të them.
CIVIL MEDIA | Të gjitha të drejtat e rezervuara.
