• Për Civilin
  • Impresum
  • Kontakt
DREJT
  • Ballina
  • POLITIKË
  • MONITORIM
  • EKONOMI
  • MENDIMI I LIRË
  • AKSION
  • BOTA
  • KULTURË
                      
No Result
View All Result
  • Ballina
  • POLITIKË
  • MONITORIM
  • EKONOMI
  • MENDIMI I LIRË
  • AKSION
  • BOTA
  • KULTURË
No Result
View All Result
DREJT
No Result
View All Result
Home KONFLIKTE LUFTA NË UKRAINË

Ndërtimi i një rruge drejt paqes: Përpjekje të përbashkëta për kthimin e fëmijëve ukrainas, civilëve të ndaluar dhe robërve të luftës

September 28, 2026
in LUFTA NË UKRAINË, MENDIMI I LIRË, TË DREJTAT E NJERIUT
Ndërtimi i një rruge drejt paqes: Përpjekje të përbashkëta për kthimin e fëmijëve ukrainas, civilëve të ndaluar dhe robërve të luftës
Share on FacebookShare on Twitter

Ambasadorja e Kanadasë në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, Sh.S. Michelle Cameron

Ambasadorja e Norvegjisë në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, Sh.S. Kristin Melsom

Ambasadorja e Ukrainës në Maqedoninë e Veriut, Sh.S. Larysa Dir

 

Çdo mëngjes, në orën 9:00, Ukraina ndalet.

Në qytetet anembanë Ukrainës, altoparlantët që zakonisht paralajmërojnë sulmet ajrore ruse transmetojnë tik-takun e rregullt të një ore.

Rrugët e qyteteve, plot jetë, bien në heshtje. Semaforët bëhen të kuq. Makinat ndalojnë.

Për një minutë, një vend i tërë ndalet.

Kjo është minuta e përditshme e heshtjes në Ukrainë, një akt mbarëkombëtar përkujtimi për të vrarët në luftën e paligjshme të Rusisë. Në vendet e punës, në shtëpi, shkolla, tregje dhe autostrada, ukrainasit ndalen për të nderuar ata që dhanë jetën duke mbrojtur sovranitetin dhe lirinë e vendit të tyre dhe për të kujtuar mijëra civilët që humbën jetën si pasojë e agresionit rus.

Kjo heshtje pasqyron edhe mungesën që ndiejnë mijëra familje, të dashurit e të cilave ende nuk janë kthyer në shtëpi.

Mes tyre janë mijëra fëmijë ukrainas që Rusia i ka transferuar me forcë dhe i ka dëbuar në mënyrë të paligjshme gjatë luftës së saj. Të ndarë nga familjet dhe komunitetet e tyre, shumë prej tyre janë privuar nga pjesë thelbësore të identitetit: gjuha, kultura, madje edhe emrat e tyre.

Të tjerë janë civilë të ndaluar në mënyrë të paligjshme në territoret e pushtuara përkohësisht nga Rusia. Shumë kanë pësuar pasoja sepse kanë mësuar të tjerët në gjuhën e tyre, kanë ruajtur dhe shprehur kulturën e tyre, kanë ngritur zërin kundër pushtimit ose kanë treguar të vërtetën për atë që kanë parë. Disa janë transferuar në qendra ndalimi në Rusi, ku mbahen pa një proces të rregullt ligjor, u mohohet kontakti me të dashurit dhe kujdesi i duhur mjekësor, ndërsa mbahen larg çdo monitorimi të pavarur.

Edhe për robërit ukrainas të luftës që mbahen nga Rusia, kushtet mbeten po aq shqetësuese. Të kthyerit kanë raportuar trajtim të ashpër, ndërsa organet e pavarura kanë dokumentuar abuzime të përhapura, përfshirë torturën dhe dhunën seksuale.

Këto nuk janë pasoja anësore të luftës së Rusisë. Veprimet e Rusisë përbëjnë shkelje të përsëritura dhe të dokumentuara mirë të së drejtës ndërkombëtare, të kryera në shkallë të gjerë, në përpjekje për të thyer vullnetin e popullit ukrainas.

Pas çdo rasti qëndron një histori njerëzore: një prind që pret fëmijën, një bashkëshort apo bashkëshorte që pret një telefonatë, një familje që pret kthimin e dikujt në shtëpi.

Ne e dimë se matësi i vërtetë i paqes gjendet në këto histori që kanë në qendër njeriun. Ai gjendet te një fëmijë i kthyer pranë familjes, te një civil i liruar nga ndalimi i paligjshëm, te një rob lufte i ribashkuar me të dashurit dhe te një komunitet të cilit i jepet mundësia të shërohet dhe të rindërtohet.

Përmasat e kësaj çështjeje janë të jashtëzakonshme dhe asnjë vend apo organizatë nuk mund ta trajtojë atë e vetme. Suksesi kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet qeverive, organizatave ndërkombëtare, aktorëve humanitarë dhe shoqërisë civile.

Pikërisht për këtë arsye, Kanadaja, Norvegjia dhe Ukraina do të mbledhin ministrat e jashtëm dhe partnerët ndërkombëtarë në Toronto, më 28 dhe 29 shtator, në konferencën «Rrugët drejt paqes: Konferenca e dytë ndërkombëtare për kthimin e fëmijëve ukrainas, civilëve të ndaluar dhe robërve të luftës».

Duke u mbështetur në përparimin e arritur në Konferencën Ministrore për të njëjtën temë, të organizuar nga tri vendet tona në Kanada në vitin 2024, kjo konferencë do të bashkojë partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të përpjekjeve të Ukrainës për kthimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e fëmijëve ukrainas të dëbuar, civilëve të ndaluar dhe robërve të luftës.

Kthimi i tyre është një domosdoshmëri humanitare dhe ka rëndësi thelbësore për çdo proces paqeje, duke ndihmuar në ndërtimin e besimit dhe në hedhjen e themeleve për një paqe të drejtë, të qëndrueshme dhe dinjitoze. Çdo person që kthehet ribashkon një familje. Çdo familje e ribashkuar forcon një komunitet. Dhe çdo komunitet që përparon ndihmon në rindërtimin e Ukrainës.

Çdo mëngjes, miliona ukrainas ndalen për të kujtuar ata që kanë humbur jetën dhe ata që ende nuk janë kthyer. Krahas këtij përkujtimi, me guxim dhe aftësi të jashtëzakonshme për të gjetur zgjidhje, ata riparojnë atë që Rusia ka dëmtuar, kujdesen për njëri-tjetrin dhe forcojnë komunitetet që agresioni rus është përpjekur t’i përçajë dhe t’i shkatërrojë.

Shpresojmë që «Rrugët drejt paqes» ta mobilizojë bashkësinë ndërkombëtare që jo vetëm të ndalet për të përkujtuar së bashku me Ukrainën, por edhe të veprojë përkrah saj, për të ndihmuar që çdo fëmijë i dëbuar, çdo civil i ndaluar dhe çdo rob lufte të kthehet në shtëpi.

 

Next Post
Femicidi nuk fillon me vrasjen: Në Shkup thirrje rajonale për një sistem që i njeh shenjat paralajmëruese

Femicidi nuk fillon me vrasjen: Në Shkup thirrje rajonale për një sistem që i njeh shenjat paralajmëruese

Please login to join discussion

  • Ballina
  • Bibliotekë digjitale
  • Cart
  • Checkout
  • Facebook Demo – Customizer
  • FJALORI I GJELBËR
  • Home
  • Home(Ballina)
  • Impresum
  • Instagram Demo – Customizer
  • Kontakt
  • My account
  • Për CIVIL
  • Shop
  • Subscription

© 2021 CIVIL - Center For Freedom

No Result
View All Result
  • POLITIKË
  • MONITORIM
  • EKONOMI
  • MENDIMI I LIRË
  • AKSION
  • BOTA
  • KULTURË
  • Për Civilin
  • Impresum
  • Kontakt

© 2021 CIVIL - Center For Freedom