- Ndërkohë që institucionet kompetente të sigurisë dhe Prokuroria po zhvillojnë procedura zyrtare lidhur me një depërtim të dyshuar të sigurisë në Kabinetin e Presidentes së RMV-së, maja politike doli me diskreditime të ashpra kundër “strukturave nga e kaluara”.
- Materialet e reja që qarkullojnë në sektorët e sigurisë hapin dyshime për një rrjet të organizuar të mbulimit partiako-institucional, në të cilin janë të përfshirë funksionarë të lartë nga pushteti aktual.
Shkup, 21 maj 2026 – Opinioni publik në Maqedoninë e Veriut po përballet me një nga skandalet më serioze në sferën e sigurisë në historinë më të re të vendit. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) tashmë kanë konfirmuar zyrtarisht se po veprohet për një rast të lidhur me qasje të paautorizuar dhe marrje të të dhënave nga sistemet IT në Kabinetin e Presidentes Gordana Siljanovska-Davkova.
Në qendër të hetimit është një administrator IT i angazhuar në Kabinet, për të cilin ekzistojnë dyshime të bazuara se në mënyrë të paautorizuar ka kopjuar dhe enkriptuar të dhëna konfidenciale shtetërore, me qëllim që ato më pas t’i dorëzohen një strukture të huaj të inteligjencës nga Federata Ruse. Duke pasur parasysh se shteti është anëtar i plotë i NATO-s, ky rast ka shkaktuar alarm serioz në komunitetet e sigurisë për shkak të rrezikut të komprometimit të informacioneve të klasifikuara të aleancës.
Bazuar në pretendimet nga burime jozyrtare dhe në materialet e dorëzuara nga shërbimet e sigurisë, deri te të cilat ka ardhur redaksia jonë, kronologjia e këtij rasti zhvillohet në disa faza kyçe:
Depërtimi digjital
Personi i dyshuar IT në Kabinetin e Presidentes, Dragan Lakovski, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, në disa raste ka pasur qasje të paautorizuar në të dhëna elektronike të mbrojtura, i ka kopjuar dhe i ka ruajtur ato në pajisje të jashtme. Sipas kallëzimit, informacionet operative tregojnë se destinacioni përfundimtar i këtyre të dhënave ka qenë shërbimi rus i inteligjencës, SVR.
Kallëzimi dhe tentativa për sabotim
Aktivitetet e Lakovskit janë vërejtur nga një tjetër person IT në institucion, pas çka menjëherë është njoftuar Sektori për Krim Kompjuterik në MPB.
Sipas pretendimeve nga burime jozyrtare, ekziston dyshim se është bërë përpjekje për mbulimin e rastit dhe për shkatërrimin ose komprometimin e provave elektronike forenzike.
Presione të pretenduara politike ndaj Prokurorisë dhe Presidentes
Pasi rasti hyn në procedurë institucionale, pretendohet se është ushtruar presion i fuqishëm politik përmes kontakteve telefonike.
Kërkesa ka qenë që rasti të mbyllet pa caktimin e masave të paraburgimit dhe pa zhvillimin e një hetimi të plotë, të pavarur digjital.
Në materialet që disponon CIVIL, thuhet se edhe ndaj presidentes Siljanovska-Davkova janë drejtuar kërcënime të drejtpërdrejta për impeachment.
Mickoski me kundërsulm – “brejtës” dhe “fundërrinë spiune”
Edhe pse MPB konfirmoi se tashmë janë kryer biseda zyrtare me të punësuar në kabinetin presidencial dhe se Prokuroria ka hapur lëndë, kryeministri Hristijan Mickoski dje doli me diskreditim të ashpër politik të të gjithë rastit.
Në vend që të ofrojë përgjigje për përfshirjen e bashkëpunëtorëve të tij të afërt në Qeveri dhe në Kabinet, ai e zhvendosi fajin te “strukturat nga e kaluara” dhe drejtoi fyerje të rënda ndaj njerëzve që e kanë paraqitur rastin, duke i quajtur “brejtës” dhe “fundërrinë spiune”, ndërsa me gisht tregoi edhe drejt kreut të PTHP NKOK, Islam Abazi.
“E pra, shikoni, këta janë fundërrina spiune të shoqërisë, struktura nga e kaluara, të cilat ndodheshin nëpër kabinete si brejtës të disa politikanëve të mëparshëm, presidentëve, kryeministrave e kështu me radhë. Dhe ata paraqiten si grup të punësuarish dhe dërgojnë shkresa anonime në prokurori. Natyrisht, aty është Islam Abazi, menjëherë të vrapojë dhe të krijojë panik në opinion se diçka po ndodhte. Unë nuk do t’i komentoja këta brejtës, sepse mendoj se duhet t’i harrojmë,” deklaroi kryeministri Mickoski.
Kontrasti mes retorikës së pushtetit dhe provave materiale
Përpjekja e kryeministrit për ta minimizuar aferën si “shkresë anonime nga brejtës” u përplas me përmbajtjen e dokumenteve deri te të cilat ka ardhur redaksia jonë. Burime nga sektorët e sigurisë brifojnë se parashtruesit e kallëzimit janë profesionistë të shqetësuar brenda MPB-së, të cilët frikësohen nga partizimi i plotë dhe mbyllja e rastit pa zgjidhje juridike.
Dokumenti që është në posedim të redaksisë sonë tregon qartë se kallëzimi nuk targeton “kuadro nga e kaluara”, por figura aktuale, kyçe në pushtetin e tanishëm, të cilat dyshohen se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare për të penguar forenzikën digjitale, sekuestrimin e telefonave dhe pajisjeve, si dhe kontrollin e regjistrimeve VPN dhe komunikimeve të NATO-s.
Si platformë mediatike që i ndjek në mënyrë konsekuente kërcënimet hibride dhe sundimin e së drejtës, këtë mëngjes dërguam kërkesa zyrtare dhe të veçanta për informacione me karakter publik deri te Kabineti i Kryeministrit, Agjencia për Zbulim dhe Prokuroria Themelore Publike, me qëllim që institucionet të japin përgjigje të sakta për pyetjet kyçe që lidhen me këtë aferë spiunazhi. Gjithashtu, Redaksia iu drejtua edhe ekspertëve relevantë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Përgjigjet, nëse arrijnë, do të publikohen të plota gjatë ditës.

