Në edicionin e nëntë të Konferencës për Integritetin e Informacionit – DISICON 9, e cila u zhvillua më 8 dhe 9 dhjetor 2025 në Prishtinë, në kuadër të sesionit tematik “Zgjedhjet e Ripërpunuara: IA, Etika dhe Demokracia”, pjesëmarrësit diskutuan se si inteligjenca artificiale po ndryshon dinamikën e proceseve zgjedhore, transparencën dhe llogaridhënien demokratike. Ekspertë nga rajoni ndanë përvojat e tyre mbi sfidat etike të përdorimit të IA-së në komunikimin politik, ndikimin e votuesve dhe monitorimin e zgjedhjeve.
Në këtë kontekst, Xhabir Deralla, President i CIVIL-it, foli për trendet kryesore të vërejtura në zgjedhjet lokale të vitit 2025:
“Zgjedhjet vendore në Maqedoninë e Veriut ishin zgjedhje me rrezikshmëri shumë të lartë dhe narrativat dominuese në komunikimin publik ishin temat kombëtare. Çështjet kombëtare morën plotësisht karakterin lokal të zgjedhjeve. Gjithashtu vumë re një prani të konsiderueshme të përmbajtjes së gjeneruar me inteligjencë artificiale. Videot Deepfake u përdorën gjatë gjithë fushatës, më shpesh me qëllim diskreditimin e kundërshtarëve politikë”, theksoi Deralla.
“Inteligjenca artificiale në këto zgjedhje nuk i përcaktoi proceset zgjedhore – diçka që ndoshta do të bëhet e nevojshme në të ardhmen e afërt. Ajo që ishte e qartë ishte se IA u përdor intensivisht për qëllime operacionale. Ekipet dhe agjencitë e PR përdorën masivisht IA-në për të gjeneruar fjalime dhe mesazhe politike. IA u përdor gjithashtu për të manipuluar algoritmet e mediave sociale – dhe këtu qëndron problemi më serioz. Kur teknologjitë e IA-së përfshihen për të ndikuar te qytetarët, manipulimi nuk është gjithmonë i dukshëm, por është thellësisht domethënës. Është një mjet që ndonjëherë di më shumë për ju sesa e njihni ju veten”, shtoi Deralla.
DISICON 9 hapi debatin mbi mënyrën se si teknologjitë e reja mund të forcojnë demokracinë, por edhe se si ato mund të krijojnë rreziqe të reja, veçanërisht përballë kërcënimeve dixhitale në rritje, ndikimeve hibride dhe dezinformimit të përforcuar me bazë gjinore.
Konferenca, e organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe partnerëve nga BE, Këshilli i Evropës, OSBE dhe organizata të tjera ndërkombëtare, paraqiti një sërë mjetesh dhe rekomandimesh praktike për përmirësimin e integritetit të informacionit dhe proceseve zgjedhore në epokën digjitale.

