Komisioni Evropian miratoi të mërkurën e 23 tetorit Agjendat e Reformës për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.
“Agjendat u përgatitën nga qeveritë në Ballkanin Perëndimor, duke përshkruar reformat kryesore që do të bëhen në vitet e ardhshme”, thekson njoftimi zyrtar i institucionit evropian.
Komisioneri Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi zbuloi më herët se pagesat e para pritet të bëhen brenda këtij muaji.
“Këto agjenda reformash janë miratuar nga Këshilli (Evropian – ed.) javën e kaluar. Kështu që në thelb parashikojmë që pagesat e para të lëvrohen brenda këtij muaji. Ky është plani. Kjo nënkupton edhe që koha në fakt po ecën që vendet të vazhdojnë reformat në mënyrë që të lëvrojmë dhe pagesat e mëtejshme”, theksoi zyrtari evropian.
Vendet e Bashkimit Evropian miratuan më herët agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, konfirmoi Presidenca hungareze e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Komisioni i IPA-s dha pëlqimin po ashtu për agjendat e reformave të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë.
Më në detaje
Shqipëria mund të jetë përfituese e një shume të majme investimesh në vlerë rreth 922 milionë euro nga Plani i Rritjes.
Si shumë parafinancuese për Shqipërinë, vlerat pritet të jetë në shifrën e 64.5 milionë eurove.
Nga ana tjetër, Kosova në tërësi pritet të përftojë një shumë rreth 880 milionë euro, ku nga këto, rreth 250 milionë pritet të ndahen në formë grantesh dhe pjesa tjetër si kredi.
Maqedonia e Veriut ndërkaq do të ketë një fond të alokuar rreth 750 milionë euro, ku parafinancim do të jetë një shumë prej 52 milionësh.
Shumën më të lartë ndërkohë pritet ta marrë në tërësi Bosnjë dhe Hercegovina, me 1 miliard e 85 milionë euro, përfshi një parafinancim prej 76 milionë eurosh. Një shumë e majme kjo për boshnjakët, nëse llogaritet edhe raporti me popullsinë.
Serbia ndërkaq do të marrë shumën e dytë më të madhe, me 1.58 miliardë euro, ku pagesa e parë parashikohet në 111 milionë.
Shumën më të vogël të financimit pritet ta marrë Mali i Zi, duke marrë parasysh edhe numrin më të ulët të popullatës, ku totali pritet të jetë një vlerë prej 383 milionë eurosh, prej të cilave 26.8 milionë parafinancim.
Për çfarë bëhet fjalë?
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument i ri që do të mbështesë reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon.
Ai do të mbulojë periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027 dhe pritet të ofrojë deri në 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi për gjashtë partnerët e BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Këstet e para pritet të disbursohen këtë vjeshtë, duke ofruar një mundësi të vlefshme për vendet që të forcojnë ekonomitë e tyre dhe që të përmirësojnë përafrimin me politikat evropiane.
Parakushtet për mbështetjen në kuadër të Facilitetit do të jenë që “përfituesit të përmirësojnë, mbështesin dhe respektojnë”, ndër të tjera, mekanizmat efektivë demokratikë.
Këto, duke përfshirë funksionimin e një sistemi parlamentar shumëpartiak, mbrojtjen e mediave të lira, luftën kundër dezinformimit si dhe shtetit të së drejtës.
Parlamenti Evropian shtoi gjithashtu një parakusht për “përafrimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë miratimin e masave kufizuese kundër Rusisë”.
Për të marrë ndonjë mbështetje në kuadër të Facilitetit, çdo përfitues i ka paraqitur Komisionit një Agjendë Reforme për kohëzgjatjen e Instrumentit.
Sipas propozimit të KE-së, Agjendat e Reformës do të pasqyrojnë vlerësimet në Paketën më të fundit të Zgjerimit dhe Planin Ekonomik për Ballkanin Perëndimor.
Detajet e disbursimit
Pas dorëzimit të Agjendës së Reformës, një përfitues mund të kërkojë lirimin e një parafinancimi deri në 7 për qind të shumës totale të parashikuar nga Faciliteti.
Në vijim, fondet do të disbursohen dy herë në vit, nëse plotësohen kushtet e pagesës.
Ekspertët, megjithatë, nuk janë të sigurt se sa rreptësisht do të vlerësohet përmbushja e këtyre kushteve.
Përpara se të disbursojë ndonjë fond, Komisioni Evropian do të vlerësojë nëse një përfitues plotëson dy parakushte të përgjithshme.
Për Serbinë dhe Kosovën, ekziston një parakusht shtesë, që të “angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”.
Gjithashtu, parakushtet e përgjithshme për disbursimin e mjeteve janë stabiliteti makro-financiar, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrja e buxhetit.
Kur të plotësohen këto parakushte, Komisioni do të vlerësojë nëse një përfitues ka përmbushur masat specifike nga Agjenda e Reformës, për të cilat do të përcaktohen afatet dhe cilat do të jenë kushtet për lirimin e fondeve dy herë në vit.