Një anije italiane me 16 emigrantë ka zbarkuar në portin e Shëngjinit në Shqipëri, duke regjistruar grupin e parë të emigrantëve që autoritetet shqiptare kanë pranuar t’i strehojnë. Në anijen Libra, të nisur nga porti i Lampeduzës, është thënë se janë 10 emigrantë nga Bangladeshi dhe gjashtë nga Egjipti, të cilët janë shpëtuar në det, pas nisjes nga Libia.
Kjo marrëveshje e arritur mes dy vendeve në nëntor të vitit të kaluar – e kritikuar nga organizatat për të drejta të njeriut – parasheh që Shqipëria do të pranojë deri në 36.000 emigrantë në vit, dhe aplikacionet e azilit të këtyre emigrantëve do të procesohen në dy qendra në Shqipëri. Marrëveshja pesëvjeçare është thënë se do t’i kushtojë Italisë 160 milionë euro në vit.
Sipas marrëveshjes së arritur mes dy vendeve, procedurat për emigrantët do të kryhen në dy qendra. Qendra e parë në Shëngjin do të përdoret për procedura të identifikimit të emigrantëve, ndërsa qendra e dytë, në Gjadër, rreth 20 kilometra larg portit, objekt i dikurshëm i aeroportit ushtarak, do të shpërbëjë për strehim të emigrantëve derisa të procesohen kërkesat për azil. Qendrat do të funksionojnë sipas ligjit italian, me staf italian të sigurisë, ndërsa gjyqtarët do t’i mbajnë seancat përmes video-lidhjes nga Roma.