Ish-emisari special presidencial për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se ka punuar me kryeministrin Albin Kurti dhe ka potencuar se problemi me liderin e VV’së është se “është në mënyrë konstante anti-amerikan”, shkruan Gazeta Express.
“Ai është tani lideri i Kosovës që është kritikuar nga e gjithë bota, nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Shtëpia e Bardhë e drejtuar nga Biden, nga BE-ja, gjermanët e Franca”, ka thënë Grenell në një intervistë.
Ai është pyetur edhe për prokurorin amerikan, Jack Smith, që ka lëshuar fletë arrestin për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe që më pas ka lënë Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe është kthyer në SHBA për të ndjekur penalisht ish-presidentin amerikan, Donald Trump.
Grenell ka thënë se fletarrestimi për Thaçin është lëshuar në kohën kur po bëhej progres sa i përket dialogut Kosovë-Serbi dhe kur ish-presidenti kosovar ishte ftuar në Washington. Grenell thotë se Smith e kishte targetuar Thaçin dhe sipas tij, fakti që ish-presidenti kosovar vazhdon të qëndrojë në burg është një mizori.
Grenell ka thënë se e ndjenë që duhet të bëjë diçka për të nxjerrë nga burgu dhe thotë se mezi pret që Trump të fitojë sepse do ta lirojnë ish-presidentin Hashim Thaçi nga burgu.
“Çfarë unë besoj, është që kur ne ishim duke bërë progres, Jack Smith ishte në Hagë atë kohë, targetoi presidentin Thaçi. Tani presidenti Thaçi vazhdon të jetë në burg dhe kjo është një mizori. Për mua është një mizori. S’ndjehem mirë për një situatë të tillë, sepse ne e ftuam që të vijë në SHBA të negociojë dhe ai u penalizua dhe shko në burg për këtë. Unë e ndjej që duhet të bëjë diçka që të nxjerr nga burgu dhe kam provuar dhe mezi pres që presidenti Trump të fitojë dhe sepse do ta nxjerrim Thaçin nga burgu”, ka thënë Grenell.
Burimi: GazetaExpress