SPAK po jep sinjale pozitive, por duhet të bëjë më shumë punë për të vënë para përgjegjësisë zyrtarët e lartë. I këtij mendimi ishte kreu i LZHK-së Dashamir Shehi, i cili ishte i ftuar në emisionin Quo Vadis në Vizion Plus, nën moderimin e Pranvera Borakajt.
Shehi tha se veprimtaria e SPAK duhet të ngushtohet në hetimin e një rrethi më të vogël dhe të përqëndrohet tek deputetët dhe ministrat.
Ai shtoi se PS si forca e vetme që ka më shumë vite në qeveri ka bërë më shumë korrupsion dhe nuk po hetohen të gjithë përgjegjësit.
“SPAK të bëjë punën e vet sipas ligjit që ka. Një republikë nuk përcaktohet nga prokurorët. Politika duhet të ketë “armët” e veta. SPAK duhet të bëjë atë që duhet pas ligjit. Edhe politikanët duhet ti marrë njësoj si të gjithë, pa influencë politike. Unë jam prej atyre që e mbështes, shoh ca gjëra pozitive dhe shoh që do bëjë më shumë.
Nëse SPAK do ngarkohet për ccdo vjedhje, nuk do bëjë gjë. Unë them të merret vetëm me deputetët dhe ministrat. Nëse nuke përballojnë dot, tu japin personel më shumë. Edhe si strukturë, e humb besimin. SPAK nuk mund të zgjidhë hallet e politikës në Shqipëri. Ata që presin që SPAK do zgjidh hallet e Shqipërisë, është e gabuar.
Ti japim kohë e të shikojmë se çfarë do të bëjë. Kjo është qeveria më afatgjatë ndaj janë akumuluar zullume pas zullume dhe kjo qeveri ka bërë më shumë korrupsion. 12 vjet në qeveri, e dalin skandal pas skandali, populli nuk është budalla. Unë jam prej atyre që kam shpresë që këto do i japin një dorë pastrimi ambientit publik në Shqipëri”, tha Shehi.