“Dje bashkë me ministrat Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi ishim në një vizitë në komunën e Leposaviqit në fshatrat Bistricë, Rajë dhe Leshak e më pas edhe në Mitrovicën Veriore. Vizita tona në këto komuna nuk janë kundër askujt, ato janë të domosdoshme për të kuptuar nevojat që këto komuna i kanë pasi ti kemi lënë anash çfarëdo paragjykimi për të cilin qeveria jonë angazhohet që nga dita e parë e saj”, tha Kurti.
“Në këto komuna po bëhen investime që nuk janë bërë që dy dekada, po shtohen shërbime që u kanë munguar qytetarëve”, tha Kurti.
Kurti tutje foli edhe për mbylljen e komunave paralele në veri që ndodhën muajin e kaluar.
“Në fund të muajit të kaluar pas raportimeve dhe dëshmive të konfirmuara se në komunat veriore po funksionojnë komunat paralele të Serbisë në hapësira të uzurpuara dhe po zhvillojnë veprimtari ilegale institucionet tona të sigurisë kishin ndërmarrë veprime ligjore për mbylljen e tyre. Kjo ka mundësuar që pastaj të ofrojmë shërbime të ligjshme”, tha Kurti.
Kurti tha se në ato objekte do të vendosen: Njësia e Patentë Shoferëve, Qendra për Punë Sociale dhe Shërbime të Mirëqenies Sociale, Shërbimi për Regjistrimin e Automjeteve, dhe shërbime të tjera të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Industrisë dhe Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
“Qeveria jonë nuk po mbyll zyre përkundrazi po i hap ato. Kush është për mbyllje e kufizim e pamë edhe njëherë në fund të javës së shkuar. Grupe personash të maskuar në prani të policisë së Serbisë në kufi me Kosovën në territorin e Serbisë bënin rolin e policit kufitar duke ndaluar vetura e legjitimuar udhëtar për të kuptuar përkatësinë e tyre etnike. Institucionet tona kanë punuar që planet e tyre të dështojnë siç edhe ndodhi”, tha Kurti.
“Me këtë rast dua të shpreh falënderim për zyrtarët policorë dhe agjentët tanë që përkujdesen që publiku dhe qytetarët të shohin dhe të përjetojnë vetëm rezultate pozitive përkundër paneleve të këqija që synohen por nuk realizohen dhe nuk merren vesh asnjëherë”, tha ai.
Burimi: TV21