Kur po bëhet gati një vit nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave të dyshuar për përfshirje në këtë rast.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj arsyetoi “vonesën” gati njëvjeçare për ngritjen e aktakuzës, duke thënë se pranimi i rezultateve të ekzaminimeve të cilat janë kryer jashtë vendit, ishte shkaku i vonesës së kësaj aktakuze.
Ndërkaq, prokurori i rastit, Naim Abazi tha se vende të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ndihmuar Prokurorinë për të siguruar dëshmi “të rëndësishme” dhe “thelbësore” për çështjen e financimit të këtij grupi, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Prokuroria Speciale ka punuar intensivisht duke zhvilluar hetime disamujore në këtë rast të madh dhe shumë kompleks. Pas përfundimit të hetimeve dhe analizimit të provave, duke u mbështetur në dyshimin e mirëbazuar sot kemi ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve. Për 45 të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer veprat penale që ndërlidhen me terrorizmin, konkretisht vepra penale kundër rendit kushtetues të Kosovës, financimi i terrorizmit dhe shpëlarjes së parave”, tha Isufaj ndër të tjera.
“Për ta ngritur aktin akuzues na është dashur të presim gjatë, ndoshta edhe një vit. Pranimi i rezultateve të ekzaminimeve të cilat janë kryer jashtë vendit, ishte ndoshta shkaku kryesor i vonesës së kësaj aktakuze. Pasi kemi pranuar këto raporte, sot Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën në këtë rast”, tha Isufaj.
I pyetur nga gazetarët nëse aktakuza ishte ngritur për shkak të presionit politik si dhe deklaratave të ndryshme të Kryeministrit Kurti por edhe të krerëve tjerë institucional, Isufaj tha se s’ka pasur një ndikim të tillë dhe se Prokuroria Speciale nuk merret me perceptime dhe s’komenton deklaratat e askujt.
Ai shtoi se Prokuroria Speciale është institucion i pavarur dhe ka përgjegjësi për ndjekjen e personave që kryejnë vepra penale.
“Nuk merret me perceptime ose paragjykime te askujt, nuk komentojmë deklaratat e askujt. Jemi institucion i pavarur me kompetencë dhe përgjegjësi për ndjekjen e personave qe kryejnë vepra të ndryshme penale”, tha Isufaj para gazetarëve.
Ndërkaq, prokurori i rastit, Naim Abazi tha se ky rast përfshin ngritjen e aktakuzës kundër një grupi të strukturuar kriminal të përbërë nga 45 persona të cilët dyshohen për veprat penale kundër rendit kushtetues juridik, kryerja e veprave terroriste, financim të terrorizmit dhe shpëlarje parash.
“Ky rast përfshin ngritjen e aktakuzës kundër një grupi të strukturuar kriminal të përbërë nga 45 persona të cilët dyshohen për veprat penale kundër rendit kushtetues juridik, kryerja e veprave terroriste, financim të terrorizmit dhe shpëlarje parash. Hetimet për këtë rast kanë qenë ndër hetimet më komplekse që ka pasur kjo prokurori dhe ka kërkuar hetim intensiv, ku janë përfshirë agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit. Kemi realizuar afroi 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur, janë analizuar rreth 12 pajisje elektronike dhe rreth 1266 armë dhe pajisje të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje. Aktakuza përfshin 45 persona që kanë pasur role të ndryshme brenda këtij grupi kriminal, duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste dhe shpëlarja e parave. Ndër të akuzuarit kryesor është edhe udhëheqësi kryesor i grupit, Milan Radoiçiq, cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, tha Abazi.
Prokurori Abazi tha se vende të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ndihmuar Prokurorinë për të siguruar dëshmi “të rëndësishme” dhe “thelbësore” për çështjen e financimit të këtij grupi.
“Në kuadër të hetimeve, kemi bërë dhjetëra kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar, duke përfshirë vende të Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e tjera të cilat kemi arritur t’i sigurojmë dëshmi të rëndësishme. Këto kërkesa kanë qenë thelbësore për të zbuluar rrugët e financimit dhe për t’i siguruar provat të cilat ndihmojnë në ngritjen e kësaj aktakuze të fuqishme”, tha ai.
Gjatë këtij procesi kemi sekuestruar një sërë pasuri të paluajtshme e të luajtshme që përfshijnë prona, automjete të blinduara, para të gatshme dhe llogari bankare që dyshohet se janë fituar nga aktivitetet e paligjshme, si dhe janë konfiskuar mbi 1266 armë dhe pajisje të tjera. Sa i përket shpëlarjes së parave kemi zbuluar se fondet janë transferuar nëpërmjet rrjeteve të ndërlikuara financiare duke përfshirë biznese të regjistruara në emër të personave të tretë dhe investime në pasuri të paligjshme. Nga kjo aktakuzë presim që të gjithë të përfshirët të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre”, tha Abazi.
Kujtojmë se më 24 shtator të vitit të kaluar, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.
Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.
Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.
Radoiçiq, ndodhet tashmë në sistemin e organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë, INTERPOL për urdhërarrest. /Reporteri.net/