Berlin, 19 korrik, 2024– Xhabir Deralla, gazetar hulumtues nga Maqedonia e Veriut, është shpërblyer me Çmimin e Solidaritetit të Shoqatave të Evropës Juglindore për gazetarët nga Evropa Juglindore për punën e tij të guximshme dhe të jashtëzakonshme hulumtuese. Çmimi u dorëzua nga Presidenti i SOG-së dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Qeverisë Federale Gjermane për Vendet e Ballkanit Perëndimor Manuel Sarrazin dhe deputeti Josip Juratoviq, në një ceremoni në Bundestagun gjerman më 4 korrik 2024.
“Media të korruptuara – do të thotë fundi i demokracisë. Lufta për arsimimin mediatik të popullatës, është një luftë për demokracinë. Një nga këta luftëtarë është Xhabir Deralla. Për më shumë se tre dekada, ai ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në luftë për drejtësi, liri dhe të vërtetën, veçanërisht në kontekstin e Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanit Perëndimor. Pavarësisht se po përballet me kërcënimet dhe gjuhën e urrejtjes nga grupet ultra-nacionaliste dhe pro-ruse, Deralla vazhdon të punojë palodhur për të promovuar vlerat që ai beson se janë thelbësore për përparimin shoqëror. Guximi, dhe përkushtimi i tij i palëkundur ndaj të drejtave dhe lirisë së njeriut, e bëjnë atë një hero të vërtetë të kohës sonë”, tha Josip Juratoviq MdB, nënkryetar i SOG-së dhe Kryetar grupit parlamentar për Gjermaninë Evropiane Juglindore, në fjalimin e tij lavdërues.
Çmimi i Solidaritetit i Shoqatës së Evropës Juglindore nderon gazetarët e guximshëm nga rajoni, të cilët e ekspozojnë veten ndaj rreziqeve të larta personale për raportimin kritik. Në këtë mënyrë, njihet puna e tyre e jashtëzakonshme dhe kontributi i tyre për më shumë demokraci, sundim të ligjit dhe liri të shtypit në rajon. Xhabir Deralla është fituesi i pestë i këtij çmimi, pas Dragan Bursaq, Una Hajdarit, Ivana Gordiq Perc, dhe Pelin Ünker.
“Ky çmim do të thotë se ne nuk jemi vetëm. Se puna është e vështirë dhe lufta është edhe më e vështirë, por ka njohje. Do të thotë se ka solidaritet. Mbështetje. Shpresë. Është një njohje e papritur, por shumë e nevojshme për punën dhe përpjekjet e pandërprera që kolegët e mi dhe unë kemi bërë për të siguruar që faktet të mbizotërojnë mbi gënjeshtrat, manipulimet dhe propagandën. Ne mbrojmë të drejtën për të shprehur mendimet tona dhe për të zbuluar historitë e vërteta të të diskriminuarve dhe të shtypurve, edhe me çmimin e mirëqenies dhe sigurisë sonë. Do të vazhdoj të bëj më të mirën për të përmbushur çdo fjalë të thënë këtu sot”, tha Deralla në fjalimin e tij të pranimit.
Për fituesin e çmimit: Xhabir Memedi Deralla, i lindur më 1967, është aktivist i të drejtave të njeriut, shkrimtar, gazetar dhe analist i luftës hibride. Ai është një nga themeluesit dhe shërben si kreu i CIVIL-it, organizatë e njohur për të drejtat e njeriut me bazë në Maqedoninë e Veriut, e themeluar në vitin 1999. Deralla udhëheq iniciativat kreative të organizatës dhe shërben si koordinator dhe prodhues kryesor i projekteve multimediale, fushatave ndërgjegjësuese, festivale, dokumentarë, konferenca dhe projekte dhe ngjarje tjera. Ai gjithashtu mban rolin e kryeredaktorit dhe kontribuon si autor, analist dhe kolumnist për njësitë mediatike brenda platformës mediatike të CIVIL-it.
Karriera e Derallës shtrihet nga viti 1989, gjatë së cilës ai ka punuar me shumë organizata mediatike brenda dhe jashtë vendit. Ai është anëtar i Asociacionit të Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut që nga viti 1990, dhe anëtar i Amnesty International që nga viti 1994. Që nga viti 2008, Deralla është gjithashtu përgjegjës për operacionet e vëzhgimit të zgjedhjeve të CIVIL-it në Maqedoninë e Veriut, duke bashkëpunuar me shumë organizata ndërkombëtare dhe rajonale në atë zonë.
Për më tepër, Deralla dhe ekipi i tij janë të specializuar në disa fusha, duke përfshirë kontrollin e armëve (CIVIL-i është organizatë anëtare e lartë e IANSA) dhe kundër dezinformimit dhe taktikave të luftës hibride në vend dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.