Berlin, 19 korrik, 2024– Xhabir Deralla, gazetar hulumtues nga Maqedonia e Veriut, është shpërblyer me Çmimin e Solidaritetit të Shoqatave të Evropës Juglindore për gazetarët nga Evropa Juglindore për punën e tij të guximshme dhe të jashtëzakonshme hulumtuese. Çmimi u dorëzua nga Presidenti i SOG-së dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Qeverisë Federale Gjermane për Vendet e Ballkanit Perëndimor Manuel Sarrazin dhe deputeti Josip Juratoviq, në një ceremoni në Bundestagun gjerman më 4 korrik 2024.
Çmimi i Solidaritetit i Shoqatës së Evropës Juglindore nderon gazetarët e guximshëm nga rajoni, të cilët e ekspozojnë veten ndaj rreziqeve të larta personale për raportimin kritik. Në këtë mënyrë, njihet puna e tyre e jashtëzakonshme dhe kontributi i tyre për më shumë demokraci, sundim të ligjit dhe liri të shtypit në rajon. Xhabir Deralla është fituesi i pestë i këtij çmimi, pas Dragan Bursaq, Una Hajdarit, Ivana Gordiq Perc, dhe Pelin Ünker.
“Ky çmim do të thotë se ne nuk jemi vetëm. Se puna është e vështirë dhe lufta është edhe më e vështirë, por ka njohje. Do të thotë se ka solidaritet. Mbështetje. Shpresë. Është një njohje e papritur, por shumë e nevojshme për punën dhe përpjekjet e pandërprera që kolegët e mi dhe unë kemi bërë për të siguruar që faktet të mbizotërojnë mbi gënjeshtrat, manipulimet dhe propagandën. Ne mbrojmë të drejtën për të shprehur mendimet tona dhe për të zbuluar historitë e vërteta të të diskriminuarve dhe të shtypurve, edhe me çmimin e mirëqenies dhe sigurisë sonë. Do të vazhdoj të bëj më të mirën për të përmbushur çdo fjalë të thënë këtu sot”, tha Deralla në fjalimin e tij të pranimit.
Për fituesin e çmimit: Xhabir Memedi Deralla, i lindur më 1967, është aktivist i të drejtave të njeriut, shkrimtar, gazetar dhe analist i luftës hibride. Ai është një nga themeluesit dhe shërben si kreu i CIVIL-it, organizatë e njohur për të drejtat e njeriut me bazë në Maqedoninë e Veriut, e themeluar në vitin 1999. Deralla udhëheq iniciativat kreative të organizatës dhe shërben si koordinator dhe prodhues kryesor i projekteve multimediale, fushatave ndërgjegjësuese, festivale, dokumentarë, konferenca dhe projekte dhe ngjarje tjera. Ai gjithashtu mban rolin e kryeredaktorit dhe kontribuon si autor, analist dhe kolumnist për njësitë mediatike brenda platformës mediatike të CIVIL-it.
Karriera e Derallës shtrihet nga viti 1989, gjatë së cilës ai ka punuar me shumë organizata mediatike brenda dhe jashtë vendit. Ai është anëtar i Asociacionit të Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut që nga viti 1990, dhe anëtar i Amnesty International që nga viti 1994. Që nga viti 2008, Deralla është gjithashtu përgjegjës për operacionet e vëzhgimit të zgjedhjeve të CIVIL-it në Maqedoninë e Veriut, duke bashkëpunuar me shumë organizata ndërkombëtare dhe rajonale në atë zonë.
Për më tepër, Deralla dhe ekipi i tij janë të specializuar në disa fusha, duke përfshirë kontrollin e armëve (CIVIL-i është organizatë anëtare e lartë e IANSA) dhe kundër dezinformimit dhe taktikave të luftës hibride në vend dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.