Nën patronazhin e qeverive të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si pjesë e nismës “Ballkan i Hapur”, nesër fillon Panairi i parë ndërkombëtar për verë, ushqim dhe turizëm “Vizioni i Verës në Ballkanin e Hapur”, i cili do të mbahet në Beograd, njofton MIA.
Panairi do të mbahet deri më 4 shtator ndërsa do të prezantohen më shumë se 330 ekspozues nga 22 vende, nga të cilat 233 janë nga vendet anëtare të Ballkanit të Hapur, ndërsa në hapjen do të marrin pjesë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Nga Maqedonia e Veriut do të marrin pjesë 42 kantina dhe 3 distileri, të cilat do të prezantojnë më shumë se 300 lloje të ndryshme të verërave dhe rakive të vendit, prodhues ushqimesh nga Maqedonia e Veriut, duke prezantuar kuzhinën autentike maqedonase. Është paraparë edhe mbajtja e “Mbrëmjes maqedonase”, nikoqir i së cilës do të jetë kryeministri Kovaçevski.
Në “Mbrëmjen maqedonase” para përfaqësuesve të bashkësive të biznesit dhe qeverive të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, do të promovohen verërat e Maqedonisë, ushqimi, muzika dhe turizmi, ndërsa për pjesën muzikore është angazhuar virtuozi Vllatko Stefanovski.
“Pjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut në Panairin për ekonominë vendore do të thotë sigurim i eksporteve, blerjeve dhe plasimeve dhe tregjeve të reja për ushqimin dhe verërat e vendit. Në të njëjtën kohë, përmes Panairit do të sigurohet një promovim i fuqishëm dhe efektiv i objekteve turistike të Maqedonisë së Veriut dhe tërheqja e turistëve të rinj, para së gjithash nga rajoni, por edhe më gjerë. Pjesëmarrja në Panair është një mundësi për promovimin real të veçorive, traditave dhe zakoneve kulturore dhe të identitetit, përfshirë folklorin, muzikën dhe kuzhinën e vendit tonë, por edhe veçoritë e të gjitha komuniteteve të tjera që jetojnë në vend dhe vlerave të tjera nacionale”, thonë nga Qeveria.
Sipas kryeministrit Dimitar Kovaçevski, Panairi do të jetë mundësi që të lidhen rrugët e verës së Ballkanit, të tubohen veraritë më të mira dhe të bisedohet për zhvillimin e potencialit të industrisë së verës, si edhe për mundësinë për pjesëmarrje në tregjet botërore. Oferta turistike e vendit tonë, e prezantuar përmes Agjencisë për Promovimin dhe Përkrahjen e Turizmit, do të fokusohet në eno-gastro-turizmin e vendit (turizmi i bazuar në verë dhe ushqim), parqet kombëtare, liqenet natyrore dhe artificiale, zonat e mbrojtura nga UNESKO, turizmin rural dhe turizmin e adrenalinës.
“Vizioni i Verës në Ballkanin e Hapur” ” do të ofrojë një program të pasur që përfshin degustime të verës, konkursin “Trofeu i verës i Ballkanit të Hapur” 2022, punëtori edukative, diskutime për potencialin e industrisë së verës në Ballkan, mundësi për rritje të pjesëmarrjes në tregjet botërore, si dhe takime ndërmjet përfaqësuesve të prodhuesve dhe blerësve me qëllim të zgjerimit të potencialit ekonomik për kompanitë dhe ekonomitë e rajonit.
Qindra mijëra vizitorë që priten në Panair do të mund të shijojnë ushqime autentike të vendit tonë të përgatitura nga kuzhinierët të dalluar si dhe ushqime nga kuzhina serbe dhe shqiptare e përgatitur nga kuzhinierët të dalluar serbë dhe shqiptarë. Do të organizohet një vlerësim ndërkombëtar i verës nga 25 degustatorë ndërkombëtarë, pesë prej tyre janë mbajtës të titullit më prestigjioz në botën e verës – master of wine.
Në të njëjtën kohë do të mbahet edhe samiti tradicional i liderëve të Ballkanit të Hapur i kryesuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Qëllimi i këtij Panairi, mes tjerash është të lidhë rrugët e verës në Ballkan në mënyrë unike dhe të mbledhë në një vend kantinat më të mira të rajonit, përmes bashkëpunimit.