Prokurori publik Lubomir Joveski mori kërcënim për jetën e tij për shkak të lëndës konkrete penale për të cilën procedura ka përfunduar në dhjetor të vitit 2021.
Kërcënimi, që ishte dërguar përmes dërgesës së rekomanduar është shënuar në gjuhën maqedonase dhe angleze siç thonë nga Prokuroria ka qenë nga një “organizatë terroriste e cila lufton dhe vret për padrejtësi”.
“Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut e njofton opinionin se gjatë ditës së djeshme, me postë të rekomanduar të dërguar nga Posta e Manastirit më 17.01.2022 në orën 10:26, mori kërcënim për jetën e tij. Kërcënimi ka të bëjë me një rast konkret penal në të cilin procedura ka përfunduar në dhjetor të vitit 2021, me miratimin e aktvendimit për rastin me të cilin është ndërprerë procedura, sepse është konstatuar se nuk ka vend për ndjekje publike. Kërcënimi siç citohet në letër, është nga një organizatë terroriste e cila lufton dhe vret për padrejtësi dhe anëtarët e saj janë të gatshëm të vdesin për qëllimet e organizatës” thuhet në kumtesën e Prokurorisë Publike.
Prokurori publik i Maqedonisë së Veriut thekson se kërcënimet e tilla janë të kota dhe me këtë rast thekson se kërcënimet, edhe nëse janë për jetë, nuk do ta lëkundin në zbatimin e ligjeve edhe në sjelljen profesionale dhe të përgjegjshme të Prokurorisë Publike. nga Prokuroria paralajmërojnë se dërgesa do të dorëzohet deri te Ministria e Punëve të Brendshme për shkak të hulumtimit të përmbajtjes dhe gjetjes së personit i cili e ka dërguar.