Kryeministri holandez, Mark Rute sot do të qëndrojë për vizitë në Maqedoni të Veriut, konfirmuan nga Qeveria për MIA-n. Kjo është vizita e parë e kryeministrit holandez në vendin tonë, ndërkaq po ndodhë në momentin kur vendi po përballet me krizë politikë dhe një ditë para votimit të mosbesimit të Qeverisë.
Rute vjen në Shkup edhe në kohë bllokade nga Bullgaria për eurointegrimin e Maqedonisë së Veriut. Siç kumtoi Ambasada e Holandës në vend, Rute do të takohet me kryeministrin Zoran Zaev dhe me përfaqësues të të rinjve nga shoqëria qytetare, ndërsa vizitën do ta rrumbullakësojë me darkë pune që do ta organizojë presidenti Stevo Pendarovski. Në kumtesën e Ambasadës ceket se në takime do të bëhet fjalë për “marrëdhëniet e mira mes Holandës dhe Maqedonisë së Veriut, bashkëpunimin evropian, ngjarjet në rajon dhe bashkëpunimin në NATO”.
Shkupi është etapa e fundit nga vizita rajonale e Rutes në të cilën janë përfshirë edhe Greqia dhe Shqipëria. Holanda mbështetë fillimin e negociatave me Shkupin dhe Tiranën, dhe siç theksoi Rute në Samitin e kohëmëparshëm BE-Ballkani Perëndimor në Bërdo, pret tejkalim të bllokadës pas zgjedhjeve në Bullgari, ndërsa Haga do të ndihmojë për fillim sa më të shpejtë të negociatave inkuadruese.
“Do të duhet të presim zgjedhjet në Bullgari. Nuk jam i lumtur me faktin që negociatat inkuadruese me Maqedoninë e Veriut janë akoma të bllokuara. Konsideroj se ato duhet të zhbllokohen sa më parë. E dimë dhe shpresojmë se kjo me siguri do të ndodhë pas zgjedhjeve në Bullgari dhe do të tentojmë të bëjmë gjithçka që kjo të ndodhë”, theksoi Rute. Vizitën e kryeministrit Rute në Shkup e paralajmëroi javën e kaluar ambasadori holandez, Dirk Jan Kop. “Për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut kryeministri ynë Mark Rute do ta vizitojë vendin.
Ai do të pritet nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut”, deklaroi ambasadori. Në komentin për dorëheqjen e paralajmëruar të kryeministrit Zoran Zaev, ambasadori atëherë e përsëriti deklaratën nga Brukseli të dhënë në emër të të gjitha vendeve anëtare se BE-ja e ndjekë situatën dhe se është shumë me rëndësi të mbetet në rrugën e reformave. Holanda konsiderohet si mbështetëse parimore e procesit të zgjerimit të BE-së, por insiston në zbatim të rreptë dhe konsekuent të reformave, posaçërisht në pjesën e sundimit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.