Përgatitja e një M-Smart Kard, që do t’iu jepet shtetasve serbë në bazë të vendimit për lirim nga pagesa për taksë të rrugëve për transit, përgjatë vendit në kohë të sezonit të verës, kushton njëqind denarë dhe bashkë me shumën prej 760 denarë sa është shuma e përgjithshme e pagesës për rrugë për kalim nëpër Korridorin -10, shpenzim total për një kartelë është 860 denarë, informoi në konferencën e sotme për media zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski.
Në drejtim të premtimit nga lirimi për pagesë të taksave për rrugë në vend të shtetasve serbë gjatë sezonit të verës, Qeveria në mbledhjen e djeshme e shqyrtoi dhe miratoi Informacionin e përgatitur nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore dhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, në lidhje me përgatitjen e kartelave elektrike M-Smart Kard për automjete për udhëtarë të turistëve nga Serbia të cilët do të kalonin tranzit nëpër Korridorin 10 gjatë sezonit të verës në periudhën prej 15 qershor deri më 15 gusht të këtij viti.
Qeveria e obligoi Ministrinë e Financave që të transferojë mjete në vlerë prej 172 milionë denarë në xhirollogarinë e saj për furnizim të 200.000 M-Smart kartelave, të cilat duhet t’i porosisë NP për rrugë shtetërore. Pas përfundimit të projektit, Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore është e obliguar që t’i kthejë në xhirollogarinë e Buxhetit mjetet eventualisht të pashfrytëzuara.
Arsovski informoi se deri në numrin prej 200.000 M-Smart kartelave është ardhur në bazë të analizës së bërë prej vitit 2019, kur janë regjistruar të ardhura rekorde nga pagesa e taksave për rrugë dhe transit rekord i turistëve.
Qeveria vendosi që t’i lirojë shtetasit serbë nga taksa e rrugëve për tranzit përgjatë vendit gjatë kësaj vere në shenjë të vullnetit të mirë për shkak të donacioneve të vaksinave kundër Kovid-19 nga ana e Serbisë.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në lidhje me hetimin për kinse importin e derivateve të naftës të rrezikshme për shëndetin e njerëzve dhe mjedisit jetësor, Arsovski theksoi se institucionet kompetente në takim pune i kanë prezantuar aktivitetet e tanishme dhe të planifikuara të ndërmarra deri më tani në bazë të angazhimeve të marra, për të cilat kanë afat për veprim prej 14 ditëve.
“Qeveria është e vendosur që ta zbardhë këtë rast dhe nuk do të bëjë kompromis kur është në pyetje shëndeti i njerëzve dhe e drejta e qytetarëve për mjedis të shëndoshë jetësor”, shtoi Arsovski.