Presidenti Stevo Pendarovski sot i pranoi në takim kryetarin, gjykatësit dhe sekretarin e Përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë të Veriut.
Në takim, siç kumtoi kabineti i Pendarovskit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Sali Murati e informoi për çështjet që janë të rëndësishme për realizimin e pozitës kushtetuese të Gjykatës Kushtetuese, për kuadrot e gjykatës me bashkëpunëtorë profesional, sfidat aktuale si dhe procedurat për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve.
“Në takim u shkëmbyen mendime për sfidat me të cilat përballen gjykatësit në vlerësimin e vendimeve për përcaktimin e ekzistencës së gjendjes së jashtëzakonshme dhe dekretet me fuqi ligjore gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Në atë drejtim, gjykatësit ndanë mendimet e tyre mbi paralajmërimin për Ligjin për gjendjen e jashtëzakonshme”, theksohet në kumtesë.
Presidenti Pendarovski, siç tregojnë nga kabineti i tij, shprehu mbështetjen për pavarësinë në punën e Gjykatës Kushtetuese dhe gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me ta, në mënyrë që të ndërtojmë vendin tonë në demokraci moderne, bazuar në sundimin e së drejtës dhe kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në punën e institucioneve të pushtetit publik. Presidenti theksoi se, ashtu si më parë, në të ardhmen do të veprojë ekskluzivisht brenda kornizës së të drejtave, detyrave dhe kompetencave të tij, në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë të Veriut.
Bashkëbiseduesit gjithashtu në takim, ndanë informacione në lidhje me propozimin për vendosjen e të ashtuquajturës ankesa kushtetuese dhe shtrirja e kompetencës së Gjykatës Kushtetuese në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut përmes amendamenteve në Kushtetutë, si dhe për miratimin eventual të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.
Në takim, siç thuhet në kumtesë, është diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar të Gjykatës Kushtetuese dhe shkëmbimi i njohurive dhe përvojave me gjykatat kushtetuese evropiane, si dhe pavarësia financiare e Gjykatës Kushtetuese, si parakusht i domosdoshëm për funksionimin cilësor të saj dhe zhvillimin.
