Po vijojnë përgatitjet për zbatimin e regjistrimit në vend i cili duhet të fillojë më 1 prill. Enti Shtetëror i Statistikës tha se nuk është kërkuar shtyrja e tij për shkak të Kovid-19, ndërsa kompetentët thonë se janë siguruar të gjitha protokollet shëndetësore për sigurinë e regjistruesve. Në ndërkohë, opozita i dërgoi letër faktorit ndërkombëtar dhe kërkoi që të shtyhet regjistrimi për në shtator.
Enti Shtetëror i Statistikës dje i hodhi poshtë shkrimet në disa media se kërkon shtyrjen e Regjistrimit për shkak të situatës me koronavirusin. Enti informoi se në mënyrë të përshpejtuar po përgatitet për aktivitetet e regjistrimit në teren të cilat do të realizohen në përputhje me afatet e planifikuara.
“Të gjitha masat janë paraparë me Protokollin e miratuar nga ana e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse dhe Qeverisë së RMV-së respektohen dhe me to garantohet siguria e të gjithë pjesëmarrësve në Regjistrim. Regjistrimi do të fillojë më 1 prill të vitit 2021”, njoftuan nga ESHS.
Me qëllim të sigurimit të sigurisë më të madhe të regjistruesve të cilët do ta zbatojnë Regjistrimin e popullsisë, kompetentët përgatitën edhe protokolle adekuate shëndetësore.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dje deklaroi se janë të përgatitur edhe për bërjen e testeve, dhe se ka kapacitete që të bëhen dhe të ndryshohet protokolli nëse ka nevojë.
Megjithatë, ai konsideron se edhe protokolli i tanishëm mjafton për mbrojtje nga Kovid-19.
“Kemi kapacitet që t’i bëjmë të gjitha testet e nevojshme. Megjithatë, kjo nuk ishte vendosur në protokoll. Ndoshta duhet të ndryshojë. Absolutisht me të gjitha kapacitetet do të dalim përballë që të sigurojmë siguri. Mendoj se vetë protokolli i cili vlen edhe për regjistruesit edhe për qytetarët është i mjaftueshëm sepse i dërgoi parimet e njëjta të parandalimit të sëmundjes. Askund ku kishte respektim të parimeve të parandalimit ne nuk pamë problem. Vetëm aty ku kishte shkelje të masave”, deklaroi Filipçe.
Sipas drejtorit të Entit Shtetëror të Statistikës, Apostoll Simovski, regjistrimi do të shtyhej vetëm nëse Komisioni për Sëmundje Ngjitëse vlerëson se nuk është e sigurt që ai të mbahet.
Ai dje deklaroi se të vetmit të cilët mund të propozojnë shtyrjen e regjistrimit për shkak të Kovidit është Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, nëse vlerësojnë se situata është e tillë që të mos mundet të kontrollohet, duhet t’i japin rekomandim Qeverisë që të sjellë një vendim të tillë.
Procedura është e tillë, konsideron drejtori dhe se Komisioni vendos për këtë, prandaj Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS) nuk mund të ndikojë asgjë në këtë.
“Nëse jep rekomandim, shkon në procedurë, në Shtabin e Krizës, e pastaj në Qeveri. Megjithatë që ne eventualisht të shtyjmë duhet në fund të ndryshohet edhe Ligji, që nënkupton ndryshim të zgjidhjes ligjore, e ajo është procedurë e madhe”, vlerëson Simovski.
ESHS e ndjek të gjithë situatën dhe eventualisht nëse Komisioni sjell rekomandim dhe ajo procesohet, ata do t’i respektojnë të gjitha ato punë, por për momentin Enti nuk mundet, e as nuk ka autorizim të vlerësojë çfarëdo qoftë dhe të kërkojë çfarëdo lloj shtyrje.
Siç është publikuar në faqen e Fejsbukut për Regjistrimin e ardhshëm 2021 në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në secilën amvisëri regjistrimin do ta bëjë një regjistrues.
Opozita, kërkon shtyrjen e regjistrimit për në shtator dhe mbetet në qëndrimin se zbatimi i tij në prill mund të shkaktojë rrezik për shëndetin e qytetarëve.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski dje u shkroi letër ambasadorëve të cilët e përfaqësojnë faktorin ndërkombëtar në vend, në të cilën propozohet që të shtyhet për në shtator.
Mickovski nuk dyshon për nevojën për regjistrim të besueshëm, por sipas tij, në këtë moment nuk është koha për mbajtjen e tij.
Ai në letër thekson se lufta kundër situatës së vështirë epidemiologjike, në mungesë të vaksinave, e kombinuar me regjistrim në terren, do ta vendosë në rrezik serioz shëndetin publik.
Ne duhet të përqendrohemi kryesisht në luftimin e sfidave shëndetësore që priten përpara. Sapo të mbarojë kriza shëndetësore, ne mund të përqendrohemi përsëri në regjistrim”, thuhet në letrën e Mickovskit.
Sipas liderit të VMRO-DPMNE-së, çështjet si regjistrimi në shoqëri të polarizuar si e jona, duhet të zgjidhen me konsensus të plotë politik.
Si pjesë të zgjidhjes, ai propozon që regjistrimi të shtyhet për në shtator, thotë, do të lë kohë për furnizimin e vaksinave dhe vaksinimi i të gjithë regjistruesve.
Në ndërkohë po vijon faza e parë e Regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesave, me regjistrimin e të punësuarve në përfaqësitë diplomatike – konsullore dhe familjet e tyre, të diasporës, pjesëtarëve të armatës që gjenden jashtë shtetit, të burgosurve dhe të pastrehëve. Ky aktivitet filloi më 1 mars, ndërsa do të zgjasë deri më 21 prill, kur edhe zyrtarisht duhet të përfundojë regjistrimi, që do të fillojë më 1 prill.
Sipas të dhënave të ESHS-së, deri dje në mëngjes janë regjistruar 47.794 persona nga diaspora.