Kategoritë

SHOQËRI Të tregojmë sjellje të përgjegjshme dhe ta pranojmë regjistrimin si përgjegjësi shtetërore, bëri thirrje Zaevi

Regjistrimi  është operacion aq serioz statistikor të cilin e identifikoj me përgjegjësi shtetërore të qytetarëve, theksoi kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev.

“Më së paku që mund të bëjmë është që të regjistrohemi që të mundet shteti, në emër të qytetarëve të menaxhojë me resurset në mënyrë të drejtë, të barabartë dhe të krijojë politika të suksesshme dhe strategjike për zhvillim. Mund të zgjidhen të gjitha çështjet të cilat këto ditë i nxjerrin si problem në lidhje me procedurën për regjistrimin, ndërsa kanë të bëjnë me rreziqet për shkak të pandemisë, para së gjithash, për shkak të asaj se një pjesë e madhe e procedurës është pa kontakt fizik për shkak të procesit të digjitalizuar dhe të qëndrojmë pas regjistrimit sepse 19 vite nuk e kemi bërë atë operacion statistikor dhe kjo na bën një nga vendet më të rralla pa regjistrim për aq kohë të gjatë”, theksoi kryeministri Zaev sonte në intervistë për emisionin “Triling” në TV 24.

Ai potencoi se bëhet fjalë për operacion shumë të rëndësishëm statistikor për progresin e vendit dhe se për këtë është e pakuptimtë fushata për bojkot të regjistrimit.

“Përveç se për refuzim të pjesëmarrjes në këtë operacion statistikor janë paraparë edhe gjoba, pakuptim është që të mos merrni pjesë në regjistrim sepse këto nuk janë zgjedhje, regjistrimi nuk ndryshon pushtetin, nuk shkakton procese retroaktive dhe me të vërtetë nuk shoh se pse bëhet dramë nga regjistrimi. Nuk duhet të jesh në pushtet që ta dish se sa është i rëndësishëm regjistrimi. Për opozitën kjo duhet të jetë e qartë madje edhe për krijim të politikave të tyre partiake. Është i rëndësishëm regjistrimi për krijimin e politikave ekonomike, për politikat shëndetësore dhe ekonomike, për politikat më të rëndësishme për zhvillim të barabartë rajonal”, tha Zaevi.

Në vetë regjistrimin, sqaron ai, janë vendosur të gjitha rekomandimet e Eurostat për deklarim të lirë të qytetarëve për përcaktimet e tyre kombëtare dhe të tjera. Me regjistrimin do të regjistrohen edhe ata që nuk janë rezidentë, gjegjësisht qytetarët të cilët janë një ose më shumë vite jashtë shtetit, pas çka këto të dhëna kryqëzohen me të dhënat e menaxhimit kufitar nga bazat e të dhënave të MPB-së, dhe, tha, me një klikim i keni në çdo moment të gjithë qytetarët tanë të cilët janë më shumë se një vit jashtë shtatit për kontroll të të dhënave.

“Të tregojmë sjellje të përgjegjshme dhe ta pranojmë regjistrimin si përgjegjësi shtetërore që të mundet përfitimet nga treguesit statistikorë t’i kthehen popullit me politika të suksesshme”, theksoi kryeministri Zoran Zaev.