Në Kuvend sot duhet të vazhdojë debati për propozim buxhetin plotësues për vitin 2021. Kjo është dita e dytë. debati i seancës plenare zgjatë më së shumti pesë ditë pune, pas çka do të votohet për propozimin.
Në propozimin plotësues, që është para deputetëve, janë vendosur 18 amendamente nga debati kuvendor i Komisionit amë për Financim dhe Buxhet.
Propozim buxheti plotësues, sipas ministrit të Financave, Fatmir Besimi, është real dhe në të janë alokuar mjete atje ku do të japin efekt dhe rezultate më të mira.
“Viti i ardhshëm fiskal karakterizohet nga paparashikueshmëria ende e pranishme lidhur me kohëzgjatjen dhe intensitetin e pandemisë shëndetësore në nivel global, implikimet ndaj buxhetit dhe ekonomisë në tërësi dhe nevojën për të hedhur bazat për rimëkëmbjen e fortë ekonomike dhe rritjen e shpejtë. Përkundër rreziqeve aktuale në lidhje me krizën shëndetësore, dhe duke marrë parasysh katër pakot e masave ekonomike të zbatuara deri më tani, parashikimet në Buxhet për vitin 2021 pritet të sigurojnë qëndrueshmërinë e aktiviteteve të brendshme ekonomike dhe vendeve të punës, për të rimarrë aktivitete të caktuara, sigurimi i stabilitetit të transferimeve shoqërore dhe sigurimi i politikave që do të vazhdojnë të ndihmojnë në zbatimin e një strategjie të shpejtë të daljes në mënyrë që të vazhdojnë me trendet pozitive të ekonomisë maqedonase”, tha Besimi.
Duke folur për krizën shëndetësore të shkaktuar nga Kovid-19, tha se ekonomia vendore është përballur me një nga recesionet më të thella deri më tani që ka rezultuar me rënie të aktivitetit ekonomik në tremujorin e dytë prej gati 15 për qind. Megjithatë, pritjet e Qeverisë janë se viti do të përfundojë me rënie prej 4,4 për qind.
“Kriza shëndetësore-ekonomike gjatë periudhës së kaluar të vitit 2020 kishte ndikim të fuqishëm në realizimin e Buxhetit. Gjithashtu, masat e miratuara gjithëpërfshirëse të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së Kovid-19 të shprehura përmes katër pakove të masave (të cilat ishin në drejtim të amortizimit të konsumit) kishin ndikim në aktivitetin ekonomik dhe përmes tyre u mundësua mbrojtje e vendeve të punës, likuiditet të Buxhetit, u servisuan obligimet më me prioritet, me vendosjen në minimum të të gjitha shpenzimeve më të bogla produktive”, theksoi Besimi.
Për opozitën, Propozim-buxheti i plotësuar nuk do t’i japë rezultatet e pritura. Nuk do të sjellë shëndetësi më të mirë, arsim më funksional, ndërtim të rrugëve dhe hekurudhave dhe realizim të projekteve me të cilat do të nxitet rritja ekonomike. Sipas opozitës, do të vazhdojnë edhe huamarrjet dhe shpenzimet joproduktive.
Deputetët e pushtetit konsiderojnë se Buxheti është vendosur në mënyrë korrekte dhe duhet të sigurojë revitalizim të ekonomisë dhe kthim në rrugën e rritjes ekonomike, por nëse pandemia vazhdon, atëherë, sipas tyre, numrat do të duhet të shqyrtohen.