Kemi mbështetje të qartë jo vetëm nga Holanda por prej të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Mbetet çështja me Republikën e Bullgarisë, deklaroi sot ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me informacionet në disa media se Holanda dhe Danimarka janë kundër nisjes së negociatave të vendit me BE-në.
Osmani tha se sot ka pasur reagim edhe nga Ambasanda e Holandës në Shkup e cila i përgënjeshtroi këto punë.
“Ministri holandez i Punëve të Jashtme në Parlamentin holandez në mënyrë të qartë e elaboroi mbështetjen e Holandës për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut, duke e konstatuar progresin e vendit edhe në pjesën e tejkalimit të dallimeve edhe në pjesën e rrugës reformuese”, tha Osmani.
I pyetur për punën e komisioneve historike midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, Osmani tha se sot është dita e dytë, por për më shumë informacione duhet të pritet përfundimi i takimit.
Lidhur me punën e përfaqësuesit special qeveritar për Bullgarinë, Vllado Buçkovski, Osmani tha se propozimi për emërimin e tij ka qenë i MPJ-së, në koordinim me kryeministrin, ndërsa me qëllim që të krijohen mekanizma shtesë në kthimin e besimit dhe krijimin e parashikueshmërisë në implementimin e Marrëveshjes, në kushte kur nuk kemi ambasador në Sofje.
“Mendoj se roli i një ure të tillë komunikimi, nga profili i ish-kryeministrit do të jetë mesazh se të gjithë jemi të përkushtuar në mënyrë serioze në marrëdhëniet bilaterale dhe implementimin e Marrëveshjes. Por, mendoj se do të jetë edhe mundësi e mirë për intensifikimin e komunikimit”, deklaroi Osmani.
Ai theksoi se janë duke u bërë aranzhime për shkuarjen e tij në Sofje dhe që nga java e ardhshme t’i ketë takimet e para.
“Për çfarë bisedohet, korniza tashmë është përcaktuar në vitin 2017 në Marrëveshjen për fqinjësi të mirë. Për momentin edhe grupet e punës edhe unë edhe kryeministri jemi duke biseduar për tejkalimin e dallimeve në pritjet dhe në pikëpamjet lidhur me çështjet. Shpresoj se Buçkovski do të pritet në Bullgari në nivelin më të lartë të mundshëm që të mund të bisedojmë hapur për mundësitë për tejkalimin e dallimeve që tani, që të mund të qasemi drejt mbajtjes së seancës së parë ndërqeveritare”, deklaroi Osmani.
Ai theksoi se Buçkovski do të punojë nën instruksione dhe në kuadër të MPJ-së dhe Qeverisë ndërsa aranzhimet për vizitat dhe takimet e tij i bën Ministria në koordinim me të.