Është në interes edhe të Shkupit edhe Sofjes të zbatohet plotësisht Marrëveshja e Miqësisë dhe të tejkalohen mosmarrëveshjet, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe i gjithë rajoni të jenë pjesë e BE-së. Ne trashëguam një situatë që nuk ishte në favor të miqësisë midis maqedonasve dhe bullgarëve. Është më lehtë ta lëmë situatën kështu ose ta përkeqësojmë, por duhet të jemi trima dhe t’i bëjmë gjërat më mirë. Unë pretendoj që të dy popujt janë shumë të afërt dhe e duan më të mirën për njëri-tjetrin”, theksoi kryeministri Zoran Zaev në intervistë për BGNES.
“Ne jemi plotësisht të përgatitur t’i përmbushim detyrimet tona, ndërsa Bullgaria është e angazhuar t’i përmbushë detyrimet e saj. Vetëm zbatimi i Marrëveshjes është mënyrë për të ndërtuar miqësi dhe bashkëpunim edhe më të madh midis dy vendeve”, tha Zaev.
Fakti është, thotë, që ne jemi maqedonas dhe e flasim gjuhën maqedonase dhe kjo është e drejtë për vetëvendosje, ndërsa Bullgaria si vend i parë që e njohu pavarësinë tonë, duke e njohur sovranitetin dhe shtetin, gjithashtu e njohu edhe të drejtën tonë për vetëvendosje.
“Pra, këtu nuk ka dyshim – që ne jemi maqedonas dhe flasim maqedonisht, ky është një fakt. Në fund të fundit, kjo është një ndjenjë, është e drejtë. Gjithkush mund të përcaktohet ashtu si dëshiron, siç ndihet, etj. Ju e dini që ne kemi shumë kombësi, përveç maqedonasve – shqiptarë, turq, vllehë, boshnjakë, romë, ne gjithashtu kemi edhe bullgarë që jetojnë në vend. Ata janë qytetarë tanë dhe janë një urë e mirë për bashkëpunimin midis dy vendeve dhe besoj se në të ardhmen atë që duhet të sqarojmë është mbi të gjitha ai moment historik, por përmes prizmit të miqësisë. Bullgaria shpesh thekson se e njeh realitetin që ekzistojnë maqedonasit dhe gjuha maqedonase”, tha Zaev.
Për çështje të hapura historike, beson se ato mund të kapërcehen, kryesisht nga historianët.
Ai thotë se e kaluara ka lënë shumë padrejtësi në Maqedoni gjatë ish-Jugosllavisë dhe gjatë komunizmit.
“Shumë qytetarë kanë përjetuar padrejtësi, përfshirë bullgarët dhe të tjerët. Dhe e gjitha kjo reflektoi në kombin maqedonas. Por duhet të pranojmë se që nga viti 2017 kemi hapur një perspektivë shumë të mirë. Fatkeqësisht, nga këto 3 vjet, një vit ka kaluar në krizën e koronës. Kishte zgjedhje në Maqedoni, shumë gjëra ndodhën. Ne kemi tema për të cilat mund të bashkëpunojmë në të ardhmen dhe besoj se vetëm mesazhet e miqësisë kanë përfitim për qytetarët e të dy vendeve”, deklaroi Zaev.
Për historinë e përbashkët dhe për Goce Delçevin, ai beson se nuk duhet t’i ndajnë, por t’i bashkojnë qytetarët e të dy vendeve – bullgarët dhe maqedonasit.
Për vërejtjet bullgare në lidhje me pretendimet nga Shkupi në kontekstin e emrit të shkurtuar Maqedonia e Veriut edhe për pakicat në Bullgari, Zaev thekson se “jo vetëm që nuk kemi pretendime territoriale, por gjithashtu nuk kemi edhe pretendime të pakicave”.
“Prandaj, ne thamë se nuk kemi pretendime territoriale ose të pakicave, se emri Maqedonia e Veriut i referohet Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ne dërguam një dokument që nuk është vetëm për kryeministrin Borisov ose ministren e Punëve të Jashtme, Zaharieva, por për qytetarët – që bullgarët dhe maqedonasit të dinë se çfarë po ndodh. Ne shkruam në të se nuk kemi pretendime territoriale dhe se nuk do të ndërhyjmë në punët e brendshme. Në atë dokument, ne e bëjmë të qartë se nuk kemi pretendime të pakicave. Ky memorandum duhet të miratohet nga të dy komisionet ndërqeveritare. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do ta publikojë atë në Gazetën Zyrtare në mënyrë që të ketë efekt juridik për zbatimin e tij. Ne gjithashtu ofruam një udhërrëfyes për zbatimin e Marrëveshjes për Fqinjësinë e Mirë, në të cilën e specifikojmë angazhimin tonë për përmbushjen e saj”, deklaroi Zaev.
Në intervistë, ai thotë se gjatë presidencës së Bullgarisë me BE-në, kryeministri Borisov dhe e gjithë qeveria bullgare kanë treguar udhëheqje të shkëlqyeshme evropiane në Ballkan dhe ai beson se kjo duhet të mbetet kështu.
“Është në interes të Bullgarisë, Maqedonisë dhe Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e BE-së, sepse kjo është rruga e vetme e drejtë për të gjithë rajonin. Besoj se do të vazhdojmë në këtë rrugë, sepse vetëm kjo është rruga e duhur. Unë dua t’i dërgoj një mesazh jo vetëm kryeministrit Borisov, por edhe presidentit,Radev, partisë sonë të afërt BSP-së të ndërtojnë ura miqësie, për të gjetur një mënyrë. Prandaj, ne deklarojmë se nuk kemi pretendime territoriale ose të pakicave se emri Maqedonia e Veriut i referohet Republikës së Maqedonisë së Veriut, prandaj ne propozuam aeroplanët bullgarë ta ruajnë qiellin e Maqedonisë. Kjo është arsyeja pse ne kemi publikuar një udhërrëfyes për ndërmarrjen e detyrimeve që do të kenë efekt juridik dhe do të jenë të dobishme për qytetarët e Maqedonisë dhe Bullgarisë”, tha Zaev.
Çdo vonesë dhe bllokadë, sipas tij, do të çojë në reagime negative dhe gjuhë të urrejtjes, dhe për këtë arsye politikanët duhet të punojnë për t’i kapërcyer keqkuptimet dhe dobësitë e së kaluarës dhe të përqendrohen në të ardhmen.
Lidhur me sjelljen e opozitës VMRO-DPMNE në lidhje me marrëdhëniet me Bullgarinë, Zaev tha se ata thonë një gjë kur janë jashtë, ndërsa një tjetër në shtëpi, ata e bënë këtë kur ishin në pushtet, ndërsa e bëjnë edhe tani si opozitë.
“Kemi arritur marrëveshje me Bullgarinë, e kemi arritur marrëveshjen e Prespës me Greqinë. Ne i zgjidhëm çështjet midis dy komuniteteve më të mëdha në vend, maqedonasve dhe shqiptarëve. Ata nuk morën pjesë në asgjë dhe vetëm krijuan probleme. Për ta, sa më keq është për shtetin, aq më mirë është për partinë e tyre. Unë i ftoj kudo, u jap të gjitha argumentet dhe informacionet e mundshme, vetëm që të qëndrojnë së bashku në interes të shtetit. Këto ditë Antonio Miloshoski, Hristijan Mickoski, Aleksandar Nikoloski, atë që e bëjnë në Parlament, ata insistojnë të shkomë atje dhe të bëjmë grindje.
I pyetur nëse VMRO-DPMNE është e njëjta që kur u nënshkrua marrëveshja e parë me Bullgarinë në vitin 1999, Zaev tha se partia ka ndryshuar plotësisht.