Kryeministri Zoran Zaev dje paralajmëroi se nuk jemi larg marrëveshjes me Bullgarinë, dhe se nuk po bisedohet për lëshime, por për zgjidhje mes dy palëve. Ndërkohë, edhe nga ana bullgare ka zbutje të pozicioneve – kryeministri bullgar, Bojko Borisov tha se Bullgaria çdoherë ka qenë e gatshme për dialog dhe mirëkuptim për zgjidhje të çështjeve bilaterale me Republikën e Maqedonisë së Veriut, por kjo duhet të dëshirohet dhe zbatohet nga të dyja palët. SHBA-ja e përsëriti pozicioni që Shkupi dhe Sofja të vazhdojnë t’i zgjidhin kontestet bilaterale jashtë dhe ndaras procesit të eurointegrimeve dhe se hyrjen e vendit në BE e shohin si interes të përbashkët.
Republika e Maqedonisë së Veriut bën gjithçka që është e domosdoshme që të arrihet marrëveshje për çështjet e hapura që ekzistojnë me Sofjen, deklaroi dje kryeministri Zoran Zaev, duke cekur se Bullgaria është mik i madh i vendit dhe se beson se do të mbetet në atë linje.
Tha se nuk jemi shumë larg marrëveshjes dhe se duhet ta kemi vullnetin e mirë, të shohim pozitivisht dhe ta kemi të projektuar të ardhmen para nesh.
“Besoj se do të ndodh, ja deri në Këshillin e dytë të ministrave të BE-së, më 8, 9 ose 10, kurdoqoftë, edhe një takim mes meje dhe kryeministrit (Bojko) Borisov, e besoj se edhe grupet tona të punës të cilat kontaktojnë intensivisht, do të krijojnë edhe atmosferë për këtë, flas për të dy palët. Normalisht, po zhvillohen ide, po shqyrtohet çdo lloj i varienteve në frymën e dinjitetit të dy popujve miqësore të gjendet zgjidhje evropiane me vlerat e instaluara evropiane në të. Unë besoj se kjo është e mundur”, tha Zaev në margjinat e Forumit energjetik të Maqedonisë së Veriut 2020.
Potencoi se me Sofjen nuk bisedohet për lëshime, por për zgjidhje për të dyja palët.
“Nuk flasim për lëshime. Po bisedohet për zgjidhje për të dy palët. Ekzistojnë mënyra se si kjo të bëhet. Gjithsesi, edhe një herë potencoj, më vjen mirë që Bullgaria e njeh gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas si realitet, e besoj përmes atyre formulacioneve do të gjendej edhe zgjidhje , për shkak se ekzistojnë zgjidhje, natyrisht duke pasur kujdes mes vete si palë në marrëveshjen – ne për palën bullgare, ndërsa pala bullgara të ketë kujdes për neve. Këtë e bëjnë miqtë dhe besoj se do të tregojmë edhe një herë se jemi miq të mëdhenj”, tha kryeministri.
Shpresojmë që Maqedonia e Veriut të vazhdojë me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ne e kemi bërë shumë të qartë se duam të shohim konferencën e parë ndërqeveritare deri në fund të vitit. Ne e shohim hyrjen e Maqedonisë së Veriut në BE si interes të përbashkët, deklaroi ambasadorja e SHBA-së Kejt Mari Bërnz .
Sipas Bërnz, kontestet dypalëshe mes vendeve duhet të zgjidhen jashtë procesit të integrimit.
“Jemi të zhgënjyer që Bullgaria e bllokon progresin. Me të vërtetë është e rëndësishme dhe ne vazhdojmë të komunikojmë në lidhje me këtë në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut, që të dy vendet të vazhdojnë të zgjidhin mosmarrëveshjet dypalëshe jashtë dhe të ndara nga procesi i integrimit evropian”, tha Bërnz.
Ndërkohë, kryeminsitri bullgar, Bojko Borisov në vide konferencë me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së dhe Zvicrës, tha se Bullgaria çdoherë ka qenë e gatshme për dialog dhe mirëkuptim për zgjidhje të çështjeve bilaterale me Republikën e Maqedonisë së Veriut, por kjo duhet të dëshirohet dhe zbatohet nga të dyja palët.
“Mu gjatë kryesimit bullgar me Këshillin e BE-së, vendi ynë e vendosi lartë në agjendën e BE-së për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Borisov.
Shefja e diplomacisë bullgare, Ekaterina Zaharieva, ndërkaq, në intervistë për Kanal 3 deklaroi se “shumë herë ia dhamë dorën Republikës së Maqedonisë së Veriut, madje edhe në momentet e saj më të vështira, por nga ana tjetër shohim armiqësi dhe jo sinqeritet”.
“Shpresojmë se emocionet do të qetësohen, sepse tashmë e ulëm numrin e shkrimeve negative kundër Bullgarisë tek fqinji ynë jugperëndimor. Do të doja të përkujtoj se sipas marrëveshjes dy vendet kanë obligim t’i ndalojnë të gjitha manifestimet e tilla të urrejtjes”, tha zaharieva.
Bashkëkryesuesi i ekipit të vendit tonë në Komisionin e përbashkët historik, Dragi Gjorgiev, paralajmëroi se takimi i ardhshëm i komisionit të përbashkët duhet të ndodhë më 3 dhe 4 dhjetor, ndërsa do të jetë onllajnpër shkak të pandemisë.
Padyshim, situata politike për veton bullgare do të ndikojë në punën e Komisionit të përbashkët historik, por megjithatë, mendoj se ajo duhet të vazhdojë të punojë. Tejkalimi i mosmarrëveshjeve mund të ndodhin vetëm përmes dialogut, përmes bisedimeve.
“Pas bllokadës nga ana e Bullgarisë, këtu janë intensifikuar komentet negative për këtë. Tashmë ka presion ndaj komisionit për t’i pezulluar negociatat. Opinioni është i zhgënjyer, por edhe i zemëruar për lëvizjen e Bullgarisë. Padyshim, ai presion nga opinioni transmetohet edhe ndaj anëtarëve të komisionit. Kuptohet, politikisht deri më tani nuk kemi pasur presion nga asnjë faktor, por është vërtet i shkëlqyeshëm nga media dhe publiku. Ndihet, por siç thashë, unë jam për vazhdimin e punës së komisioni”t, shtoi Gjorgiev në intervistën për “Zona e lirë” në televizionin bullgar “Evropa”.
Ai shpjegon se presioni nuk është orientuar vetëm ndaj përfundimit të punës së komisionit.
“Kërkesat e Bullgarisë janë absolutisht të papranueshme për Maqedoninë e Veriut dhe opinion maqedonas. Përveç kësaj, kjo bën që Radikalët të përpiqen të rrisin mosbesimin ndaj Bullgarisë, e cila do të prekë anëtarët e anës maqedonase të komisionit. Në këtë moment, në një atmosferë të tillë, do të jetë shumë më e vështirë të flasësh”, komenton Gjorgiev.
Termi “histori e përbashkët”, thekson ai, është diçka me të cilën historianët maqedonas dhe bullgarë nuk pajtohen në interpretimin e tyre. Sipas tij, kontesti historik duhet të vazhdojë të debatohet në nivel të historianëve, në nivel akademik dhe mund edhe më tej të mbetet e pazgjidhur dhe të dy historiografitë për të diskutuar për këtë, por kjo nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet politike midis dy vendeve dhe t’i përçajë dy popujt.
Gjorgiev konfirmoi se personaliteti i Goce Dellçevit do të vazhdojë të shkaktojë polemika midis historianëve nga të dy palët, por tha se Delçevi, përkundër ndikimit të botëkuptimit të tij nga konteksti arsimor bullgar në të cilin zhvillohet dhe idetë e revolucionarëve bullgarë, gjithashtu ka edhe identitet të fortë politik maqedonas.
Bllokada në Bullgari e eurointegrimit të Maqedonisë së Veriut e rrëmbeu procesin e zgjerimit të BE-së, e cenon besueshmërinë e Bashkimit dhe i dekurajon vendet tjera kandidate. Nënshkrimi i deklaratave me të cilat aspirantët dhe vendet anëtare do të zotohen të mos e bllokojnë rrugën drejt BE-së në raport me çështjet bilaterale duhet të jetë standard, vlerëson në një koment për MIA-n analisti politik dhe ekspert për Ballkanin, profesori i Universitetit në Grac, Florijan Biber. Megjithatë, shton ai, problemi është më shumë në atë se nuk ka vende të mjaftueshme në BE që janë entuziaste për zgjerimin, që janë të gatshme të insistojnë dhe të ushtrojnë presion ndaj kolegeve të tyre anëtare në mënyrë që të mënjanohen bllokadat e këtilla.
I pyetur për pozicionin e Sofjes e cila e kushtëzon integrimin evropian të vendit tonë me pranimin e rrënjëve bullgare të identitetit dhe gjuhës – kërkesa joparimore që e shkelin të drejtën e vendit për vetëvendosje, Biberi vlerëson se kjo është problematike në tri aspekte.
“Pozicioni bullgar është problematik në tri aspekte. Së pari, ajo parashtron kërkesa nga Maqedonia, që nuk duhet të jenë objekt i vendimeve politike dhe presionit mes vendeve. Pa marrë parasysh se si interpretohet historia, kjo duhet të jetë punë e historianëve, përndryshe për historinë diskutojnë amatorë. Gjithashtu e vendosë historinë në shërbim të një kombi të caktuar. Së dyti, imponimi i historisë kombëtare ndaj tjetrit është maltretim dhe gjithashtu nuk është në përputhje me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Së treti, çështjet e këtilla nuk duhet të ndalen në rrugën e aderimit në BE meqë nuk kanë të bëjnë me gatishmërinë e Bashkimit për Maqedoninë e Veriut. Me këtë rrëmbehet qasja ndaj BE-së. Vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan dy herë deklarata me të cilat u zotuan që të mos e bllokojnë rrugën drejt BE-së në raport me çështjet bilaterale. Derisa Bullgaria nuk ka nënshkruar, kjo duhet të jetë standard”, shprehet Biberi.
Kuptohet, shton ai, Bullgaria ka fuqi të shfrytëzojë veton e saj për këtë çështje, ndërsa për kontestin historik shprehet se nuk dëshiron të ndërhyjë në të, meqë ekzistojnë interpretime nacionaliste dhe të njëanshme edhe në Maqedoninë e Veriut edhe në Bullgari.
Ai vlerëson se vetoja do të reflektohet në mënyrë dekurajuese në përmbushjen e agjendës reformuese të vendit, por edhe se do të ketë pasoja për procesin eurointegrues për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Lidhur me atë në interes të kujt është bllokimi i procesit të eurointegrimit, Biberi konsideron se në këtë rast bëhet fjalë për qëndrim dritëshkurtër nacionalist të Sofjes.
“Në këtë rast, ky është një qëndrim dritëshkurtër nacionalist i Qeverisë aktuale bullgare. Mendoj se nuk është strategjik, meqë paguan çmim për pozicionin e tillë në BE dhe gjithashtu i rrënon besueshmërinë e saj dhe marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut. Ekzistojnë edhe të tjerë që janë skeptikë në raport me zgjerimin, siç janë Franca dhe Holanda. Megjithatë, nuk duket se ato momentalisht ‘shihen’ prapa pozicionit bullgar. Problemi është më shumë në atë se nuk ka vende të mjaftueshme që janë entuziastë për zgjerimin, që janë të gatshme të insistojnë dhe të ushtrojnë presion ndaj kolegëve të tyre anëtare në mënyrë që t’i mënjanojnë bllokadat e këtilla”, konstaton analisti Florijan Biber, në deklaratë për MIA-n.