Një diplomat i lartë i BE-së në një konferencë shtypi këtë mëngjes tha se deklaratat e ministres së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva bënë të qartë se Sofja nuk mund të pritej të hiqte bllokadën e fillimit të negociatave të vendit me Unionin në takimin e nesërm ministror, por që përpjekjet diplomatike vazhdojnë, raporton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
“Ne ende besojmë se ka një shans që të harmonizohet kuadri i negociatave”, tha një diplomat i lartë i BE-së, ky është mesazhi nga Brukseli një ditë para takimit ministror, në të cilin Maqedonia e Veriut pritej të merrte përfundimisht një datë për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE dhe konferencën e parë ndërqeveritare.
Presidenca gjermane “vazhdon të punojë” me Shkupin dhe Sofjen për të gjetur një kompromis, thonë nga Brukseli, ndërsa shpresa investohet edhe në vizitën e sotme të kryeministrit Zaev në Berlin ku “do të realizojë kontakte”, shtuan diplomatët pa më shumë detaje.
Bllokada bullgare, e cila i referohet një çështje rigoroze bilaterale, është pengesa e fundit që qëndron para BE-së në rrugën e Maqedonisë së Veriut, por e cila është padyshim e pakapërcyeshme për tani.
“Para një viti kemi pasur një krizë me zgjerimin, kemi vendosur të rishikojmë metodologjinë për negociatat e pranimit dhe këtu ka marrëveshje, ajo që mbetet është çështja dypalëshe, Bullgaria u shfaq me këtë bagazh historik dhe kërkon një udhërrëfyes në negociatat e anëtarësimit për t’u përballë me atë bagazh historik, kërkojnë të kyçet në kornizën negociuese”, shpjegon ky burim i lartë diplomatik për MIA-n.
Nga Këshilli i BE-së kujtojnë se çështjet bilaterale mbahen të ndara nga procesi i aderimit dhe shtojnë se nuk është një “mjet për zbatimin e marrëveshjeve bilaterale”.
Diplomatët vërejnë se nga pala maqedonase tash për tash nuk ka dritë jeshile, duke pasur parasysh që korniza negociuese duhet të miratohet nga vendet anëtare, por edhe nga vendi kandidat për të cilin synohet.
Nesër, në rendin e ditës është edhe korniza negociuese me Shqipërinë, për të cilën, sipas diplomatëve, nuk ka ndonjë problem të madh. Tani për tani, nuk po shqyrtohet, opsioni i ndarjes së Shkupit dhe Tiranës në proces, sepse BE-ja beson se do të mund t’i kapërcejë dallimet me Bullgarinë, por opsioni nuk përjashtohet në mënyrë eksplicite.