Kategoritë

COVID-19 Propozim-masa të reja për mbrojtje nga Kovid-19, pasi që numri i të sëmurëve të rinj u bë shqetësues

Për shkak të shkallës së lartë të rasteve të reja me Kovid-19, Komisioni për Sëmundje Infektive dje miratoi propozim masa të reja që ndalojnë organizimin e ngjarjeve, shkurtimin e orëve të punës të të gjitha njësive ekonomike deri në orën 23:00 dhe deri në 50 për qind të mbushet kapaciteti i transportit publik. Autoritetet sigurojnë se ka mekanizma për t’u përballë me virusin, por në asnjë rast nuk do të merren vendime që do të dëmtojnë ekonominë.

Për vendosjen e orës policore tash për tash nuk mendohet, por në të ardhmen të gjitha masat janë në dispozicion.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha dje se ai pret që draft masat e reja të shqyrtohen nga Qeveria të hënën, ndërsa projekt-masat e mëparshme kërkojnë ndryshime të caktuara ligjore.

“Konform rregullave aktuale me fuqi ligjore, është e nevojshme të bëhen ndryshime ligjore për masat e mëparshme. Ligji është tashmë në procedurë parlamentare dhe ata presin që ai të votohet javën e ardhshme në lidhje me paketën e propozuar të masave të tilla si mbajtja e detyrueshme e maskave në ambient të hapur, ndalesa e grupimit pas orës 22:00 dhe ndalesa e vizitave në shtëpi, në mënyrë që, siç tha Filipçe, inspektorët dhe Ministria e Brendshme të jenë në gjendje të veprojnë në lidhje me kontrollin dhe ndërmarrjen e sanksioneve.

Ai tha se sa i përket kapacitetit të spitaleve, spitali modular është i përgatitur plotësisht, ende nuk ka asnjë pacient të pranuar, por mjekët dhe infermierët nga klinikat e tjera tashmë kanë ardhur.

Lidhur me numrin e të sapoinfektuarve, Filipçe vuri në dukje se në vendin tonë, por edhe në rajon dhe në Evropë, numri i rasteve të reja po rritet, gjë që, siç theksoi ai, është diçka që pritej sipas valës së vjeshtës.

Kryetari i Komisionit për Sëmundje Infektive, Zharko Karaxhovski, në pyetjen e gazetarëve nëse po konsiderohet vendosja e orës policore, tha se kjo çështje nuk po shqyrtohet për momentin, por që në të ardhmen të gjitha masat janë në dispozicion.

Ai theksoi se është fakt se masat nuk janë respektuar, duke theksuar se në ditët në vijim numri i rasteve pozitive do të monitorohet në mënyrë që të propozohen masa të reja.

“Analiza e të dhënave epidemiologjike në tre ditët e fundit kur kemi një numër në mënyrë drastike të rritur të njerëzve pozitivë tregon se ngjarje të caktuara që kanë ndodhur në mjedisin tonë të përditshëm janë nxitësi kryesor i një numri të madh të rasteve, kjo do të thotë ngjarje, kjo do të thotë koncerte, kjo do të thotë festa, gjithçka që kemi parë në televizion, grupim dhe mosrespektim i masave ose mosrespektim në kuptimin që askush nuk mban maskë”, shpjegoi kryetari i Komisionit.

Karaxhoski potencoi se kemi valë tipike vjeshte të Kovid-19, e cila ishte parashikuar katër, pesë muaj më parë, por, sipas tij, kjo valë vjeshte erdhi pak më herët në kuptimin që kushtet e vjeshtës nuk janë të tilla që të kemi grupim në ambiente të mbyllura.

“Me ardhjen e gripit sezonal, ky shans për rritjen e numrit për shkak të grupimit do të jetë më i madh”, theksoi Karaxhovski.

Ai i bëri thirrje gjithë opinionit që t’i respektojnë në mënyre rigoroze masat për ta parandaluar përhapjen e epidemisë.

Kryeministri Zoran Zaev theksoi dje se do të respektojë të gjitha sugjerimet nga Komisioni për Sëmundjet Infektive, duke siguruar që Qeveria të ketë mundësinë të deklarojë një gjendje krize në përputhje me ligjin. Sipas tij, anëtarët e Komisionit janë ekspertë dhe ai beson se me ndryshimet ligjore masat do të vendosen dhe ato do të respektohen.

“Ne do t’i respektojmë të gjitha sugjerimet e reja që do të vijnë nga Komisioni. Ne si subjekte politike nuk do të lejojmë të marrim vendime që do të dëmtojnë ekonominë dhe nuk do të kenë efektin e uljes së numrave. Anëtarët e Komisionit janë ekspertë, por gjithashtu janë punonjës socialë, të cilët dëgjojnë dhe ndjekin reagimet. Shifrat po rriten me shpejtësi në botë dhe në rajon”, tha Z aev.

Edhe ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, dje dërgoi një apel për të respektuar masat dhe rekomandimet për tejkalimin e krizës me Kovid-19 më shpejt. Angazhimi i Qeverisë është që masat të jenë minimale dhe vetëm kur është e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit.

Ministria e Shëndetësisë dje informoi se janë kryer 2306 teste në 24 orët e fundit dhe janë regjistruar 438 raste të reja me Kovid-19. Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 191 pacientë të shëruar dhe gjashtë persona kanë vdekur në kushte spitali.

Leave a Comment

You must be logged in to post a comment.