Sot në mesditë në Pikën Kufitare me Kosovën “Bllacë”, janë vërejtur kolona me automjete nga qytetarët të cilët janë drejtuar për në Kosovë, pasi prej në mesnatë është hequr testi i detyrueshëm PCR negativ në KOVID-19 për të hyrë në shtetin fqinj, pavarësisht se Qeveria kishte bërë thirrje që udhëtimi të bëhet vetëm për raste të domosdoshme, njofton Portalb.mk.
Pas heqjes së testit, sot në mëngjes, zv/ministri i Shëndetësisë,Ilir Hasani, publikoi një fotografi duke pirë kafe në Prishtinë bashkë me ministrin e Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj.
“Ndajmë shqetësimet për situatën e krijuar. Lufta ndaj COVID 19 ngelet imperativ në bashkëpunimin tonë!”, shkruan Hasani.
Zemaj ka bërë apel për të dy vendet që të kenë kujdes, pasi testet PCR mund të kthehen nëse vërejnë se ka rritje të rasteve të infeksionit.
“Sipas parimit të reciprocitetit, qytetarët nga Republika e Maqedonisë së Veriut nga sot, mund të hyjnë në Kosovë pa testin PCR. Nga ky rregull përjashtohen shtetet që sipas ECDC klasifikohen shtete me rrezik të lartë për Covid-19. Testet PCR mund të kthehen nëse vërejmë se ka rritjet të rasteve të infeksionit. Ju bëjmë thirrje qytetarëve të të dyja vendeve, të jenë të kujdesshëm, t’i përmbahen rekomandimeve dhe të udhëtojnë në shtetet e ndërsjella, nëse e kanë të domosdoshme”, ka shkruar ndër tjerash Zemaj.
Vetëm disa minuta para hyrjes në fuqi së vendimit i cili do të lejonte shtetasit e RMV-së të udhëtojnë në shtetet e rajonit pa PCR test, një gjë e tillë u anulua, respektivisht u ndryshua vendimi dhe sipas vendimit të ri, hyrja e shtetasve të Maqedonisë së Veriut në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje Hercegovine nuk do të lejohet pa test PCR, pra pa PCR do të mund të udhëtohet vetëm në Kosovë.
Ky ndryshim i vendimit të fundit të Qeverisë së RMV-së dhe shteteve të rajonit, duke respektuar parimin e reciprocitetit është ndryshuar për shkak të përkeqësimit të situatës me kovid-19 në rajon.
Megjithatë, ngelet e hapur mundësia që qytetarët e RMV-së të udhëtojnë pa test PCR në Republikën e Kosovës, përkundër kësaj, Qeveria apelon që udhëtimet të bëhen vetëm në raste të patjetërsueshme.
Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut gjithashtu bëjnë të ditur se në ditët në vijim do të rishikohet vendimi për (mos)hapjen e kufijve me shtetet e rajonit, gjithçka do të varet prej situatës epidemiologjike në rajon.
Ndryshe, një javë me herët nga Qeveria e RMV-së dhe shteteve të rajonit u soll vendimi që të udhëtohet pa test PCR, kështu të gjitha shtetet e rajonit, gjegjësisht Bosnje Hercegovina, Serbia, Kosova dhe Mali i Zi pranuan të respektojnë parimin e reciprocitetit, kështu që nga data 12 tetor do të lejohej lëvizja e qytetarëve në shtetet e lartpërmendura pa pasur nevojë për test PCR.