Kategoritë

CORONA VIRUS Kontrolle të përforcuara për respektimin e masave, shqyrtohen edhe masa të reja

Kontrolle të përforcuara nga të gjitha inspektoratet për respektimin e masave si dhe masa të reja të mbrojtjes, paralajmëroi sot në konferencën për shtyp Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ku prezantoi analizë të numrit të të sëmurëve me Kovid -19 i cili është në rritje.

“Sipas analizave është arritur në përfundim se arsyeja kryesore për rritjen e infeksioneve të reja është për shkak të mosrespektimit të masave, kryesisht grupimit, festimeve familjare, dasmave që janë të ndaluara, por edhe relaksimi i përgjithshëm i qytetarëve të cilët padyshim harruan t’i respektojnë masat dhe pasojat e mosrespektimit. Vera dhe periudha e qëndrueshme janë prapa nesh, rreziku që sjell vjeshta është serioz”, tha Filipçe.

Ai shtoi se nuk do të lejojë të mos respektohen masat dhe të tjerët të vihen në rrezik.

“Koronavirusi mund të jetë fatal për secilin prej nesh. Për shkak të kësaj ne filluam, ndërsa akoma më shumë në ditët në vijim do t’i përforcojmë kontrollet. Të gjithë inspektoratet të obliguar për zbatimin e masave do të punojnë intensivisht”, potencoi ministri.

Ai vlerësoi se është absolutisht e papranueshme, përkundër të gjitha paralajmërimeve për seriozitetin e kësaj periudhe të mos respektohen masat, është gjithashtu e papranueshme në biznes, ndërsa posaçërisht në hotelieri.

Filipce paralajmëroi se janë duke u zhvilluar analiza për vendosjen e masave të reja, ndërsa qëllimi është, siç tha ai, “të vendosen masa në kohë që do të ndikojnë drejtpërdrejt në shkatërrimin e përhapjes së virusit, ndërsa qëllimi është të shmangen kufizimet dhe ngecja e ekonomisë dhe diçka që do të na mbyllte në shtëpi”, por theksoi se nëse është e nevojshme edhe ajo do të bëhet.

Ministri deklaroi se ndër masat në shqyrtim janë mbajtja e maskave edhe në ambiente të hapura, kufizimi i numrit të personave në tavolina në objektet hotelerike, kufizimi i numrit të personave për grupim në përgjithësi, kontrolli i fortë dhe ndëshkime për festimet familjare dhe festime në ambiente të mbyllura, protokolli i saktë i punës të ambienteve të hotelerisë në hapësira të mbyllura, në lidhje me numrin e vizitorëve, distancën e uljes dhe uljen e mundshme të kapacitetit të objekteve.

Filipçe porositi që masat duhet të respektohen në mënyrë që të mos i mbushim spitalet.