Kategoritë

MONITORIM Zgjedhje të parakohshme parlamentare: Fushatë në internet, e ndyer dhe anonime…

Pothuajse 90 % e fushatës zgjedhore u zhvillua në internet, ndërsa  përmbajtet e “fushatës së zezë” dhe nga  “klienti i panjohur” ishin më të shumta se numri i përgjithshëm i tubimeve  të partive, debateve dhe takimeve me qytetarët, sipas monitorimit të fushatës zgjedhore të realizuar nga ekipet e CIVILit nga 20 qershor i deri më 15 korrik në mesnatë.

Ekipi për monitorimin e financimit të partive të aktiviteteve parazgjedhore regjistroi gjithsej 1,286 aktivitete partiake dhe përmbajtje parazgjedhore. Më shumë se gjysma, 656 ose 51 %, janë sponsorizuar përmbajtje në rrjetet sociale, shumica dërrmuese në rrjetin social Facebook.

Partitë në fushatë kanë prodhuar 475 video përmbajtje, në formë të spoteve  promovuese, inserte nga emisione, deri në video përmbajtje për “fushatë të zezë”, gjegjësisht, degradim të kundërshtarit politik.

Rreth 10% të aktiviteteve parazgjedhore, ose 122 aktivitete ishin tubime dhe mitingje ose tribuna partiake. Në 90% të rasteve partitë kanë distribuuar materiale të shtypura të brenduara, materiale promovuese  në tubime, fletushka për propagandë të zezë  kundër partisë tjetër.

Monitorimi ka evidentuar edhe 46 raste të reklamimit dhe fushatës së fshehtë, të “maskuara” si përmbajtje ndryshe, dhe 19 raste të reklamimit të paguar politik jashtë rregullave të përcaktuara ligjore, si transparentë dhe banerë të vendosur “rastësisht” në vende publike.

Në fushatën e cila la përshtypje të një fushate ndoshta më të ndyrë deri tani, ekipi i monitorimit ka izoluar 166 përmbajtje autentike  me qëllim të degradimit të kundërshtarit politik, nga të cilat 119 nga porositës të panjohur. Numri i shpërndarjeve të këtyre përmbajtjeve është shumëfish më i madh.

Nga gjithsej 1.286 përmbajtje dhe aktivitete në fushatë, numri më i madh,, gjithsej 435, janë të porositura ose të organizuara nga partia VMRO-DPMNE. Në vendin e dytë është LSDM me 358 përmbajtje të paguara dhe aktivitete.

Karakteristike për këtë fushatë parazgjedhore, “subjekt” i tretë sipas vëllimit të  aktiviteteve parazgjedhore është i “panjohur” – me gjithsej 136 përmbajtje dhe aktivitete nga porositës të panjohur.

Pasojnë E Majta ( Levica) me 115 përmbajtje, Aleanca për Shqiptarët me 107, nga të cilat rreth njëzet me Alternativën. BDI me 59, PDSH me 10, Besa me 4 dhe Integra me 3 aktivitete të regjistruara.

Nga 136 përmbajtje nga porositës të panjohur, në të shumtën e rasteve video, 119 ishin me qëllim të degradimit të partisë – 95 kundër LSDM ndërsa 24 kundër VMRO-DPMNE. Tjerat ishin për promovim anonim të partive – 8 për VMRO-DPMNE, nga dy për BDI  dhe LSDM, ndërsa tjerat nga një për parti tjera.

Në rreth pesëdhjetë raste partitë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe publike e kanë kundërshtuar oponentin e tyre politik. VMRO-DPMNE ka qenë porositës i 34 video ose materialeve të shtypura për fushatë të zezë, LSDM në 11 raste, ndërsa Aleanca në 2.

Monitorimi ka regjistruar edhe gjashtë raste në të cilat partitë i kanë akuzuar kundërshtarët e tyre për blerje votash. Më 21 qershor, TV Alfa publikoi artikull në të cilin bëhet fjalë për blerje votash nga ana e LSDM në Prilep. Aktivistë të partisë, duke shfrytëzuar furgon zyrtar të institucionit shtetëror për persona të moshuar jashtë orarit të punës, kanë ngarkuar thasë në një nga shtabet e LSDM në qytet. Më 24 qershor portali “Ekonomski lider” ka shpallur një shkrim në të cilin akuzohet LSDM se në ditën e parë të fushatës  u ka dhënë ryshfet votuesve Romë në Gostivar. Janë publikuar dy fotografi në të cilat shihet se  si njerëzit presin rend për paqeta, si dhe video në të cilën nuk vërehen keqpërdorime. Shkrimin e kanë transmetuar disa media tjera. Më 26 qershor, portali Republika shpall shkrim në të cilin akuzohet LSDM se “ jep ryshfet nëpër amvisëri” në Gjorçe Petrov. Është fotografuar një person se si mban një paqetë, si dhe një makinë plot me paqeta.  Shkrimi është transmetuar në më tepër portale tjera.

Më 30 qershor këshilltarja  në Qytetain e Shkupit nga radhët e Levica, Dragana Vellkovska, ka akuzuar se Qyteti i Shkupit me procedurë të shpejtë dhe pa argumentim ka marrë vendim për rikonstruimin e rrugës në Bojanë. Sipas Vellkovskës, hapi i LSDM paraqet tentim për ryshfet të votuesve  të fshatit.

Më 10 korrik, MPB ka arrestuar katër persona për ryshfet zgjedhor, ndërsa te ata janë gjetur materiale promovuese dhe para  nga një parti  politike. Sipas MPB, “në lidhje me listën e gjetur është ftuar personi B.T. i cili pas bisedës ka pranuar se në muajin maj  SPB –Shtip ka ngritur kallëzim penal sipas nenit 215 nga KZ, dhe pastaj është drejtuar te S.I ndërsa ai i ka premtuar se do ti ndihmojë nëse B.T. siguron 20 votues për një parti politike. Pas këtij premtimi, B.T. ka bërë listë, ka biseduar me personat nga lista dhe i ka bindur të votojnë për këtë parti që ti ndihmojnë të mos shkojë në burg. Pas kësaj, B.T. bashkë me S.I. listën me votuesit potencialë e kanë dorëzuar te partia politike”.

Në ditën e zgjedhjeve, 15 korrik, ministri për punë të brendshme Naqe Çulev në Fejsbuk publikon një rast në Shtip, ku oficerë të policisë nga Sektori për punë të brendshme kanë bastisur një shtëpi te personi A.M. (35), ku janë gjetur dhe sekuestruar një celular dhe disa faqe nga një fletore në të cilat me dorë është shkruar listë me rreth 250 persona me të dhëna personale dhe numra amë të personave nga nacionaliteti Rom. Sipas MPB-së, personi në pyetje ka pasur listë të shitores, ndërsa nga partia politike i është premtuar kompensim financiar nëse i ruan dokumentet e njerëzve që i kanë borxh.

Si shpërblim, personi është dashur t’ua shlyejë borxhet njerëzve  në listë, pretendojnë nga MPB.

Rasti është publikuar paraprakisht (më 10 korrik), kur MPB kumtoi më pak detaje.

Mbi këtë çështje ka reaguar zëvendësministrja për punë të brendshme Sllavjanka Petrovska, e cila pretendon se të gjithë qytetarët e dëgjuar dokumentet e të cilëve janë gjetur në shitoren në Shtip, kanë deklaruar se dokumentet personale nuk u janë marrë për ryshfet, por për shkak të borxheve.

Monitorimi ka evidentuar edhe dy raste të shfrytëzimit të të mirave publike për qëllime parazgjedhore, gjegjësisht, dy tubime të qytetarëve të organizuar nga Aleanca për Shqiuptarët në fshatrat Zhelinë dhe Çellopek, që u mbajtën në oborret shkollore.

Dy herë është evidentuar edhe shfrytëzimi i makinave zyrtare për aktivitete parazgjedhore. Më 22 qershor, bartësi i listës së BDI në zonën e pestëzgjedhore, Talat Xhaferi, sipas raporteve të një vëzhguesi të Civilit, u shfaq në një takim partie me qytetarët në Rostushe në një makinë zyrtare të Parlamentit. Më 29 qershor, në Novo Lisiçe të Shkupit, u regjistrua përdorimi i dy automjeteve zyrtare për nevoja të partisë nga ministri për punë të brendshme Naqe Çulev.

Monitorimi ka regjistruar edhe disa raste të promovimit të projekteve të infrastrukturës për qëllime parazgjedhore, siç është rasti më 2 korrik, kur Teuta Arifi postoi një postim të sponsorizuar në Facebook me informacione rreth fillimit të një projekti komunal për rindërtimin e një shkolle fillore në Reçicë të vogël.

Gjithsej 67 ngjarje dhe përmbajtje të fushatës parazgjedhore kanë ndodhur jashtë periudhës së paraparë. Nga 20 deri më 23 qershori, para fillimit zyrtar të fushatës më 24 qershor, kemi evidentuar 20 ngjarje, nga të cilat gjysma ishin tubime ose mitingje.

Në periudhën e heshtjes zgjedhore, më 14 dhe 15 korrik, kemi regjistruar gjithsej 47 aktivitete, nga të cilat 20 në ditën e zgjedhjeve. Të gjitha përmbajtjet ishin në Fejsbuk, përveç dy rasteve të shpërndarjes së fletushkave në Tetovë. Nga 47 përmbajtje, 27 ishin video ose inserte nga emisione. Në 9 raste përmbajtja ishte e porositur ose e shpërndarë nga Aleanca për Shqiptarët, në 6 raste nga VMRO-DPMNE, në 5 nga Levica ( E Majta), në 2 nga LSDM dhe nga një herë nga Alternativa dhe BDI. Në 23 raste porositësit nuk janë të njohur, 9 herë kundër  VMRO-DPMNE, 8 kundër LSDM dhe një herë kundër BDI. Pesë përmbajtje nga porositës të panjohur ishin afirmative – një herë për PDSH dhe katër herë për VMRO-DPMNE.

Ekipi monitorues i CIVILit