Kategoritë

MASA Numri i të infektuarve me Kovid-19 në rritje, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për respektimin e masave

Ka vazhduar rritja e rasteve të reja të KOVID-19. Gjatë ditës së djeshme, janë regjistruar 62 raste të reja, por edhe dy viktima. Pas lehtësimit të masave, shfuqizimit të orës policore dhe hapjes graduale të ekonomisë, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që t’u përmbahen masave mbrojtëse siç janë mbajtja në distancë prej dy metrash, mbajtja e mbulesës mbrojtëse në gojë dhe hundë dhe mos grupimi. Pa i zbatuar këto masa, thonë autoritetet, virusi do të vazhdojë të përhapet edhe më tej.

Ata njoftuan se nëse nuk respektohen masat e mbrojtjes, masat kufizuese mund të rivendosen për disa komuna dhe zona.

Masat kufizuese për disa zona do të varen më së shumti nga qytetarët, nga respektimi i masave, ka thënë kryeministri Oliver Spasovski. Ai ka ftuar qytetarët që në mënyrë të vazhdueshme të respektojnë masat.

“Ne kemi paralajmëruar para disa ditësh se masa rigoroze ose kufizuese janë të mundura për disa zona të caktuara ku ka rritje të numrit të qytetarëve të infektuar. Kjo do të varet më së shumti nga qytetarët dhe respektimi i masave, ata që janë në izolim për shkak se janë kontakte të drejtpërdrejta nga dikush që është pozitiv në Kovid-19, duhet të mbeten atje dhe të respektojnë të gjitha masat. Sa më shumë të respektojmë masat aq më shumë do të kemi ulje të kufizimeve”, ka thënë Spasovski duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse Qeveria mendon për vënien e masave rigoroze për disa zona ku ka numër më të madh të personave të infektuar.

Spasovski ka thënë se shteti, institucionet, sistemi shëndetësor, Komisioni për sëmundje ngjitëse kanë bërë gjithçka në periudhën e kaluar, janë miratuar vendime, janë bërë protokolle se si duhet të sillen qytetarët.
“Çdo ditë flasim se çka do të thotë përgjegjësi për shëndetin, çka nënkupton përgjegjësi për rrethin ku jetojmë. Më së paku që mund të bëjnë qytetarët është të respektojnë ato masa”, ka thënë Spasovski.

Nëse qytetarët i respektojnë masat, siç është distanca sociale, mbajtja e pajisjes mbrojtëse, thekson Spasovski, “nuk ka rrezik nga transmetimi i infektimit dhe rrezikimit të shëndetit dhe jetës”.

Poashtu, thirrje për respektimin e masave bëri edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Që nga fillimi i krizës së koronavirusit, në çdo paraqitje publike kam përsëritur një gjë  – ne do ta mposhtim virusin me shumë disiplinë dhe respektim të pakushtëzuar ndaj masave. Ata që nuk besojnë në këtë, duhet të shikojnë gjendjen në Komunën e Dibrës. Dibra ishte komuna e parë që hyri në karantinë, ndërsa sot është komunë që nuk ka asnjë rast të vetëm të ri për javë të tëra. Kjo është meritë e qytetarëve dhe sjellja e tyre e disiplinuar, ka shkruar në Fejsbuk, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

Ne, siç shprehet Filipçe, nuk mund të jetojmë përgjithmonë në karantinë, sepse është e dëmshme për shëndetin mendor të qytetarëve, për ekonominë, për tërë shoqërinë.

“Kemi dy zgjedhje, ose do të vazhdojmë ta rikthejmë jetën normale duke respektuar pa kushte masat ose do të kthehemi në kufizime të forta. Zgjedhja është e jona. Fatkeqësisht, nuk ka rrugëdalje tjetër nga kjo gjendje. Unë besoj fuqimisht se ne do të zgjedhim të normalizojmë jetën duke mbrojtur shëndetin tonë personal, shëndetin kolektiv dhe sistemin shëndetësor. Kjo është arsyeja pse unë apeloj edhe një herë, që të përmbahen nga grupimi dhe të mbajmë distancën tonë, të jemi të kujdesshëm dhe të mbajmë pajisje mbrojtëse dhe të kujdesemi për higjienën personale”, ka shkruar ministri Filipçe në FB.

Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 2.226, numri i pacientëve të shëruar është 1.552, numri i rasteve të vdekjeve është 133, dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend është 541.