Nëse Gjykata Kushtetuese gjatë seancës së nesërme nuk shpall të pavlefshëm vendimin për shpërbërjen e Kuvendit dhe nëse deputetët nuk kthehen në Kuvend, atëherë ka shumë gjasa që zgjedhjet të mbahen më 7 qershor. Kjo datë do të bëhet edhe më e sigurt nëse nga ana tjetër presidenti Stevo Pendarovski nuk vazhdon edhe për 30 ditë gjendjen e jashtëzakonshme e cila skadon më 16 maj.
Këto zhvillime i imponojnë pikërisht vendimet e presidentit, Qeverisë teknike dhe KSHZ-së që kishin të bëjnë me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, anulimin e zgjedhjeve parlamentare të caktuara më 12 prill dhe ndërprerjen e përgatitjeve zgjedhore.
Nëse Gjykata Kushtetuese vendos të shfuqizojë vendimin e fundit për shpërbërjen e Kuvendit atëherë deputetët mund të mblidhen dhe të sjellin vendim të ri për zgjedhjet përfshirë këtu edhe datën e re dhe procedurë të re. Në të kundërtën, procesi zgjedhor duhet të vazhdojë siç është paraparë në vendimet e fundit të presidentit dhe ekzekutivit.
Neni 5 i vendimit të Qeverisë (22.03.2020)
“Realizimi i aktiviteteve zgjedhore do të vazhdojë nga dita e ndërprerjes së gjendjes së jashtëzakonshme. Të gjitha aktivitetet zgjedhore të ndërmara në përputhje me dispoziat e Kodit Zgjedhor në ditën e hyrjes në fuqi të kësaj urdhërese llogariten si të vlefshme”
Menjëherë pas këtij vendimi të Qeverisë, Komisioni Shtetëror Zgjedhor solli vendim për ndërprerjen e përgatitjeve zgjedhore dhe konfirmoi po ashtu se të gjitha procedurat mbeten të vlefshme.
Oliver Derkovski (22.03.2020)
“Pezullohen të gjitha aktivitetet e mëtejme të Komisioneve komunale zgjedhore. Të gjitha aktivitetet zgjedhore që janë ndërmarrë deri më 22 mars 2020 konsiderohen të vlefshme. Të gjitha aktivitetet e tjera që dalin nga Kodi zgjedhor do të parashihen me orarin e reviduar që KSHZ e ka sjell menjëherë pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme me sjelljen e Dekretit të ri të Qeverisë për vazhdimin e procesit zgjedhor”
Sipas dy vendimeve në fjalë, procedura për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të vazhdojë menjëherë pas shfuqizimit të gjendjes së jashtëzakonshme edhe atë nga procedurat që ishin ndërprerë me vendimin e fundit të Qeverisë dhe KSHZ-së. Ky vendim u soll më 22 mars dhe ndërsa nga kalendari zgjedhor deri më 12 prill kishin mbetur edhe 21 ditë, që nënkupton se edhe po aq ditë pas shfuqizimit të gjendjes së jashtëzakonshme duhet të mbahen votimet.
Vendimi i dytë për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme u soll më 16 prill dhe skadon më 16 maj. Nëse nuk mblidhet Kuvendi për të sjellë vendim tjetër, atëherë pas skadimit të gjendjes së jashtëzakonshme vazhdon përgatitja e zgjedhjeve parlamentare dhe ato duhet të mbahen pas 21 ditëve. Sipas këtij kalendari e diela e parë për caktimin e ditës së votimit mbetet 7 qershori.
Fjalën e fundit nëse do të kthehet Kuvendi ose zgjedhjet parlamentare do ta kenë nesër anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët do të shqyrtojnë iniciativën e ngritur nga gjykatësi Osman Kadriu për shfuqizimin e vendimit për shpërbërjen e Kuvendit.