Kategoritë

Transparenca Komuna e Tetovës në mënyrë të paligjshme i ka fshehur të dhënat për Inspektoratin, vërtetoi Agjencia për Qasje të Lirë

Agjencia për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik ka miratuar vendim me të cilin e miratoi ankesën e redaksisë së Portalb.mk e cila në dhjetor të vitit 2018-të, sipas Ligjit për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik, kërkoi informata në lidhje me punën, strukturën dhe detajet e të punësuarve në Inspektoratin Komunal.

Pavarësisht premtimeve për transparencë nga ana e kryetares Teuta Arifi, Komuna e Tetovës ka vepruar në mënyrë të paligjshme, pasi që nuk na i ka dorëzuar në formën dhe mënyrën e kërkuar përgjigjet në lidhje me Inspektoratin Komunal.

“Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik, pas shqyrtimit të ankesës dhe shkresave tjera në lidhje me lëndën, ka konstatuar se Bartësi i informatës (Komuna e Tetovës) nuk ka vepruar në pajtueshmëri me dispozitat ligjore për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik dhe nuk i ka dorëzuar informatat e kërkuara deri te kërkuesi, në mënyrë dhe formën që është theksuar në kërkesë”, thuhet në vendimin e Agjencisë.

Agjencia, gjithashtu i thotë Bartësit të informatës me karakter publik se, gjatë procedurës së dytë është i obliguar që t’i dorëzojë informatat e kërkuara në tërësi dhe të veprojë në pajtueshmëri me nenin 20, paragrafi 1 nga Ligji për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik i cili thotë “Nëse bartësi i informatave pozitivisht përgjigjet ndaj kërkesës dhe nëse kërkesa pjesërisht ose në tërësi e merr, për atë do të miratohet vendim.

Redaksia jonë ka kërkuar nga Komuna e Tetovës që të na dorëzojë informata për:

  • Sa të punësuar ka në Sektorin për Inspektim të Inspektoratit Komunal të Komunës së Tetovës?
  • Sa të punësuar ka me pozitë “inspektor” (me emër, mbiemër dhe kontakt telefoni)?
  • Të punësuarit tjerë, përveç inspektorëve, çfarë detyra kryejnë (pozitën e punës, numrin e të punësuarve)?
  • Sa auto-vetura ka në dispozicion ky Sektor?
  • Sa është lartësia e rrogave të të punësuarve dhe a u paguhet kompensim për angazhimin jashtë orarit të punës?
  • Çfarë orari kanë inspektorët (në orë)?
  • A ka ndonjë të punësuar që vazhdimisht punon jashtë orarit të rregullt, gjegjësisht a ka dikush që vazhdimisht është kujdestar në orët e mbrëmjes?

Prej përgjigjeve, redaksia jonë konstatoi se:

  • Komuna nuk e tregon lartësinë e rrogave dhe kompensimeve për inspektorët dhe të punësuarit tjerë në Inspektoratin e Tetovës, të cilët paguhen nga paratë e qytetarëve.
  • Komuna nuk i tregon emrat e inspektorëve komunal, nuk jep të dhëna për kontakt me të njëjtët.
  • Komuna gjithashtu pjesërisht është përgjigjur për të punësuarit tjerë përveç inspektorëve në Inspektorat, gjegjësisht 19 referentëve ose ndihmës profesional zyrtar administrativ, se çfarë pune konkrete kryejnë.
  • Komuna gjithashtu pjesërisht dhe në mënyrë të paqartë është përgjigjur në lidhje me atë se a ka ndonjë që punon rregullisht pas orarit të caktuar, gjegjësisht që kujdestaron në mënyrë të rregullt gjatë orëve të natës. Komuna thotë se ka kujdestar sipas nevojës, por nuk specifikojnë se si e konstatojnë “nevojën për kujdestar” – duke e pasur parasysh se ndotësit djegin gjësende të ndaluara pa orar të caktuar dhe ky aktivitet nuk mund të parashikohet nëse inspektorati pretendon të jetë efektiv në punën që e bën.

Vendimin e plotë mund ta shihni më poshtë:

 

Kundër këtij vendimi mund të udhëhiqet kontest administrativ parapara Gjykatës Administrative në afat prej 30 ditëve  prej ditës së dorëzimit.

Redaksia jonë, nuk do të ndalet së kërkuari përgjigje dhe transparencë nga Komuna e Tetovës për qytetarët tonë, ne do ta bëjmë punën tonë. Portalb.mk, sërish ia kujton Komunës se e ka obligim ligjor të na i dërgojë në tërësi të dhënat e kërkuara.

E rikujtojmë kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi se në intervistën e Portalb.mk dhe Vertetmates.mkajo premtoi se do të jetë transparente dhe ekipi me marrëdhënien me publikun do ta bëjë të njëjtën. Të njëjtën e premtoi edhe më herët në debatin Jeta në Maqedoni si dhe në mandatin e kaluar të saj. Kjo komunë nuk është në listën e komunave më transparente në Maqedoni.

Dhënia e informatave jo të plota dhe jo të nevojshme rikujtojmë kryetaren se e shkelë pretimin për transparencë, por edhe ligjin për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik.

Lajmin e plotë lexojeni në Portalb