Kategoritë

KOLUMNË Dita partiake e alfabetit dhe veteranët e harruar të gjuhës shqipe

Shkruan: PETRIT SARAÇINI

Në vend të urimeve e përshëndetjeve për Ditën e Alfabetit, të dashurit e mi, një ditë para festës do të ndaj me ju një histori për një jubile të harruar e të rëndësishëm. Kur veçmë kremtojmë gjuhën tonë të ëmbël e të dlirë, kisha dashur t’ju njoftoj se sivjet bëhen plot 50 vjet nga botimi i librave të parë të leximit për mësimin e gjuhës së njësuar shqipe në klasën e 2, 3, 4 të shkollës fillore.

Autorë të këtyre librave bazë për mësimin e gjuhës shqipe në vitin 1969 janë prof. Haxhi Fida, prof. Hamza Reka (përndryshe babai i ndjerë i diplomatit prof.Blerim Reka) dhe prof. Musa Arifi (babai i politikaneve dhe intelektualeve, profesoreshave Teuta dhe Besa Arifi). Këta 3 tekste shkollorë, së bashku me Abetaren e prof. Xhevat Gegës, i dhanë konsistencë dhe themel përhapjes më masive të arsimimit në gjuhën amtare shqipe.

Por, rëndësia e këtyre librave nuk qëndron vetëm këtu. Mund ta merrni me mend me çfarë presionesh, pengesash dhe peripecish nga sistemi janë ballafaquar autorët në vitin 1969, një vit pas demonstratave masovike shqiptare, sidomos duke marrë parasysh se këta libra janë të parët që në sistemin arsimor fusin në mënyrë të qëndrueshme dhe shkencore gjuhën e njësuar, 3 vite para Kongresit të famshëm të drejtshkrimit në Tiranë në 1972, i cili i dha përfundim një pune shumëvjeçare të gjuhëtarëve për bashkim gjuhësor!

Dhe, merreni me mend, në 50 vjetorin e këtyre botimeve – asgjë. Asgjë për të shënuar këtë jubile! Asgjë për të vlerësuar autorët, asnjë botim apo aktivitet nga institucionet, asnjë akademi solemne, as ndonjë konferencë apo debat shkencor së paku, e të mos flasim për mediat, të cilat edhe ashtu që moti nuk merren me arsim, e as me standardet dhe gjuhën. Edhe përkundër propozimeve që ky jubile të shënohet. Kudo – kapje nga të paditurit dhe ushtarët partiakë, nga të cilët edhe nuk mund të presësh të dinë se kë duhet ta vlerësojnë. Përveç vetvetes, kuptohet, sepse edhe bota edhe gjuha shqipe kanë filluar që kur ka ardhur partia e tyre në pushtet.

Atë që mund ta bëj si një ushtar i penës në këto momente, është që sinqerisht t’ua uroj këtë jubile jo vetëm autorëve e familjeve të tyre, por edhe të gjithë pishtarëve të arsimit që kanë kontribuar që të kemi atë që kemi sot, e që po na e zhbëjnë ata që më së shumti rrahin gjoksin me patriotizëm dhe llafe të mëdha për dashurinë ndaj kombit dhe gjuhës.
Nuk do t’i harrojmë as të mirat tuaja, e as të këqijat e uzurpatorëve të institucioneve, partive, mediave, arsimit. Urime Dita e Alfabetit!

Leave a Comment

You must be logged in to post a comment.