Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, u përgjigj pa hamendje në të gjitha pyetjet e CIVIL Media lidhur me çështjet, ngjarjet dhe proceset aktuale në shoqërinë dhe politikën e Maqedonisë.
Në përgjigjet e tij Zoran Zaev është me plot besim për rezultatet përfundimtare të proceseve, i bindur se mangësitë e shumta që i ndjekin, do të tejkalohen. Për çdo pyetje ka përgjigje që përmban shumë të dhëna dhe detaje, por edhe nuk i ik argumentimit të perspektivës, qëllimit drejt të cilit ecin ose duhet të ecin proceset.
Zoran Zaev sinqerisht beson në pajtimin dhe konceptin “një shoqëri për të gjithë”. Për Ivanovin thotë se është mirë që mandati i tij është në mbarim. Për ligjet pa nënshkrimin e tij, Zaevi thotë se kjo është akt i mbrojtjes së demokracisë parlamentare e cila ishte e rrezikuar nga Ivanovi, dhe se është në pajtim me kornizat e kushtetutës.
Pas plotësimit të Marrëveshjes së Prespës nga ana maqedonase, Kryeministri pret që të gjithë ministrat dhe kryetarët e komunave të punojnë më tepër dhe të jenë më të përqendruar në plotësimin e pritjeve të qytetareve dhe qytetarëve. Për Zaevin, kandidatura e tij për president është lajm i vjetër, përkundër spekulimeve në opinion.
Kjo intervistë është skemë se si do të duken ngjarjet dhe proceset e politikës dhe shoqërisë në Maqedoni, në vitet e ardhshme.
Xhabir Deralla
CIVIL Media: Tre dekada zgjati kontesti në të cilin Maqedonia nuk arrinte të afrohet drejt zgjedhjes së kontestit me Greqinë. Gjenerata politikanësh vinin dhe largoheshin nga skena politike e Maqedonisë dhe e Greqisë, por gjendja ishte ose status -quo, ose keqësohej. Ju dhe Kryeministri grek Cipras e zgjodhët problemin për disa muaj. Disa thonë se thjeshtë përzgjedhja e fuqive të mëdha ka rënë te ju dhe se Ju në fakt keni pasur fat. Me të vërtetë, si ia dolët për vetëm disa muaj të zgjidhni një kontest aq të rëndë që zgjat tre dekada?
Zoran Zaev: Kur them se Marrëveshja e Prespës është historike, kam parasysh disa aspekte.
Përveç se e përfundoi kontestin e vjetër tre dekada mes dy vendeve, Marrëveshja e përcjell në të kaluarën bllokadën e rrugës tonë nga shumë gjenerata drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.
Mendoj se momenti është historik sepse e përcakton kufirin e të kaluarës tonë të tranzicionit. Nga një vend në të cilin gjatë 11-12 viteve kishte vështirësi të dëshmohet se është vend demokratik, shoqëri në të cilën sundimi i papërgjegjshëm solli korrupsion në të gjitha segmentet, vend të cilin bota e quajti vend i robëruar – në vend i cili për një vit arriti kërcim që u njoh nga e gjithë bota e perëndimit, realizoi reforma për përtërirjen e demokracisë dhe për kthimin e besimit në institucionet, vend i cili e përgatiti terrenin për rritje dhe zhvillim ekonomik.
Është historik edhe aspekti që BE dhe NATO e njohën vendin tonë si bashkësi e cila shumë shpejtë i riafirmoi vlerat evropiane, dhe si vend i cili me përgjegjësinë më të madhe e njohu vendin e vet gjeostrategjik, e me këtë mori rolin të bëhet një nga gjeneratorët e stabilitetit në rajon.
Kjo është pika nga e cila nuk ka kthim prapa. Çdo tentim që këto procese të ndalohen dhe vendi të kthehet prapa, do të jetë pa sukses sepse qytetarët nuk do të lejojnë pasiguri të re për ardhmërinë e tyre, qytetarët nuk do të lejojnë autoritarizëm të ri, gjatë kësaj çdo herë duke marrë parasysh se gjendemi në rajon me siguri të ndjeshme.
Dikush mund të thotë se unë dhe kolegu im Cipras kemi fat, ose se fuqitë e mëdha na kanë zgjedhur ne dy, por unë jam i vendosur se suksesi në politikë është i mundur vetëm nëse i njihni momentet e vërteta, nëse qëndroni pas vlerave të përcaktuara për të cilat jeni përcaktuar paraprakisht, nëse i njihni miqtë, nëse pengesat ju forcojnë në vend se t’u lëkundin, dhe, nëse keni guxim, durim dhe besim.
CIVIL Media: A mbeteni në vlerësimin se Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës duhej të hyn në fuqi pa nënshkrimin e Presidentit Ivanov? Cili është argumentimi i juaj për këtë veprim?
Zoran Zaev: Ajo pjesë e procedurës formale-ligjore për fuqizimin e Marrëveshjes së Prespës është nën ingerencat e Kuvendit të RM, por ne si Qeveri, vlerësojmë se nuk ka asgjë kontestuese në veprimin që ligjet të jenë të shpallura në “Gazetën Zyrtare të RM”, pa firmën e Presidentit Gjorgje Ivanov. Procedura është në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, në kornizat e asaj që e parasheh ligji, dhe për më tej, kjo është procedurë e përgjegjësisë dhe nevojës me të cilat mënjanohen pengesat të cilat Ivanovi tentoi t’ia imponojë demokracisë tonë parlamentare.
Para Kushtetutës dhe ligjeve të gjithë janë të barabartë, duke e përfshirë edhe Presidentin e shtetit. Kështu thotë Neni 51, paragrafi 2 nga Kushtetuta e RM.
Presidenti i shteti është i obliguar ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjeve që i sjell Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, nëse ato për herë të dytë sillen me shumicën e duhur në shtëpinë ligjvënëse, gjegjësisht, në Kuvend. Për këtë e përkujton Neni 75, paragrafi 3 nga Kushtetuta e RM. Është i obliguar, do të thotë, duhet të veprojë detyrimisht, dhe jo ta shkelë kushtetutën dhe të vendoset mbi demokracinë parlamentare mbi të cilën është ndërtuar sistemi ynë politik.
Dy ligjet, Ligji për përdorimin e gjuhëve në Republikën e Maqedonisë dhe Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, u miratuan për herë të dytë me shumicën e duhur në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Ligji për përdorimin e gjuhëve në muajin mars të vitit të kaluar, ndërsa Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës më 5 korrik, gjithashtu vitin e kaluar.
Me shpalljen e ligjeve, u ndërpre tendenca e një veprimi ceremionial të Presidentit të shtetit ta bllokojë funksionimin e sistemit edhe atë me shkelje të Kushtetutës duke e marr parasysh faktin se, sipas leximit të përbashkët të Nenit 75 dhe Nenit 52 të kushtetutës, Presidenti i shtetit është i obliguar të nënshkruajë dekret, çdo herë kur Kuvendi për herë të dytë miraton sjellje të ligjit.
Presidenti i shtetit nuk është trup ligjvënës, as gjykatë kushtetuese. Ai ishte i ftuar disa herë ta respektojë Kushtetutën dhe të veprojë në pajtim me obligimet ligjore. Në ven të kësaj, ai u vendos si pengesë për punën e Kuvendit, dhe u vendos si institucion që kanoset t’i bllokpjë të gjitha proceset.
Për fat të keq, Presidenti Ivanov jo vetëm se nuk e sheh këtë, ose nuk e pranon, por me qasjen dhe fjalorin e tij nxit ndarje të reja, nxit konflikt në shoqërinë e Maqedonisë. Është mirë që mandati i tij po mbaron, sepse Maqedonisë i duhet president i cili do ta mbështesë rrugën e shtetit drejt prosperitetit.
CIVIL Media: A mund të ndani ndonjë moment nga bisedat me kryeministrin Cipras, e që Ju ka mbetur në kujtime?
Zoran Zaev: Takimi ynë i parë në Davos para saktë një viti, nëse guxoj të përgjigjem në frymën e përgjigjes së pyetjes së para, ishte rezultat i hapave dhe veprimeve të matura paraprake dhe të cilat i krijonin ose trasonin ministri Dimitrov dhe tjerët nga ekipi ynë, dhe ministri i atëhershëm i Greqisë për punë të jashtme, Koxijas, dhe ekipi i tyre i bashkëpunëtorëve të rrethit më të ngushtë.
Ajo për të cilën them se i parapriu takimit tonë në Davos, ishin vullneti i fuqishëm t’i vihet fundi kontestit dhe vetëdija e madhe për ndjeshmërinë dhe emocionet për çështjen edhe për ne edhe për ata. Çdo takim dhe çdo hap, fjalë ose verpim ishin plotë kujdes dhe respekt për tjetrin. E gjithë kjo e plotësuar me bindje e dy palëve se nuk guxojmë të humbim asnjë sekondë, asnjë rast të paplotësuar me veprim i cili do të ndërtojë besim, miqësi dhe njohje te tjetri se jemi të gatshëm ta zgjidhim dhe ta mbyllim këtë çështje.
Në atë kuptim, nuk ka ndonjë moment të veçantë si ndonjë zbulim. Ajo që e zbuluam njëri te tjetri ishte besimi se miqësia jonë e re do të sjell marrëveshje historike dhe miqësi të re gjenerate dhe besim mes popujve tonë, qoftë edhe me çmim të ardhmërive tona politike.
Kur ke bashkëbisedues të tillë nga ana tjetër, ekipe të përkushtuara siç ishin tonat, e dinim se vjen momenti kur do të dorëzojmë rezultat, marrëveshje për histori, për kujtesë.
CIVIL Media: E lamë vitin turbulent 2018. Përveç arritjes së madhe historike me tejkalimin e kontestit me Greqinë, për të cilin shumica mendojnë se është merita juaj personale, me çfarë mund ta lëvdoni ekipin e qeverisë me të cilin udhëhiqni?
Zoran Zaev: Kur bëhet fjalë për gjithë procesin e bisedimeve me Greqinë, dua të ndaj një përcaktim të cilin ia dhamë vetes të gjithë – se nuk ka çështje që nuk zgjidhet, nuk ka situatë që nuk zgjidhet, nuk do të ndalemi para asgjëje që paraqitet si e pazgjidhshme. Dhe më gëzon që kjo po bëhet afinitet i sa më tepër ekipeve në qeveri. Jam i kënaqur që siguruam shumë kanale me të cilat po i kthejmë paratë te qytetarët, nga ajo se llogaritë për rrymë tani janë më të ulëta në mesatare për 500 – 1.000 denarë për familje, ua kthejmë tatimin personal bujqëve dhe e zhbllokuam pagesën e subvencioneve, dhe deri te ajo se arritëm t{i përgatisim zgjidhjet ligjore me të cilat dënimet ulen deri 70%, anulohen taksat e përmbaruesve, dhe njëkohësisht rritet ndihma sociale.
Në vitin 2018 rroga mesatare vazhdimisht rritej, me rritje prej 6.5% në tetor të vitit 2018, për dalli nga tetori I viti 2017. Jam i kënaqur edhe nga transparenca dhe llogaridhënia e funksionarëve të qeverisë – përmes transparencës dhe qasjes së hapur, rritet përgjegjësia dhe puna. Në vitin 2018 i zgjidhëm momentet kontestuese të trashëguara të projekteve kapitale dhe filloi rritja e krijimit të infrastrukturës me të cilën përmirësohet jeta e qytetarëve – filloi ndërtimi masovik i rrugëve, hekurudhave, ujësjellësve, i riparuam kapacitetet shëndetësore nëpër vend dhe këtë vit përgatitemi për nisjen e ndërtimit të Qendrës Klinike në Shkup, autostradën Shkup – Bllacë dhe hidrocentralet Çebren dhe Galishte.
CIVIL Media: Një kohë të gjatë pritet zgjidhja e çështjeve thelbësore në domenin e politikës së brendshme, duke filluar nga reformat në gjyqësor dhe administratë, duke mbaruar me konceptin Tuaj “ Një shoqëri për të gjithë”. Nuk pamë hapa serioze në të gjitha fushat kritike në shtet, institucionet, shoqërinë dhe mediat, përmes cilave klika e Gruevskit e mbante qeverinë e vet të korruptuar dhe të dhunshme për më gjatë se një dekadë. A mund të presim tani pasi pjesa maqedonase e Marrëveshjes së Prespës u plotësua, se do të ndërmerren hapa më të vendosura në drejtim të sundimit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut? Cilat janë hapat e parë Tuaj të ardhshëm?
Zoran Zaev: Pas vendimit të madh në Kuvendin tonë, i zbërthyem të gjitha dilemat dhe vërtetuam se së bashku e lëvizim vendin tonë në ardhmërinë të cilën e dëshirojmë të gjithë: Shteti Maqedonas si pjesë e familjes evropiane dhe si anëtare e NATO, të cilët na pranuan si Maqedonas, me identitetin dhe krenarinë, vend në të cilin identitetet janë të ndërthura edhe identitetet e qytetarëve të tij Shqiptarë, Turq, Romë, Serbë, Vlleh, Boshnjakë dhe të gjithë tjerët që jetojnë në Maqedoninë tonë.
Kjo është shans edhe për ndërtimin e ardhmërisë, për ndërtimin e faqes së re të vendit tonë. Ky shans tani është në duart tona. Obligimi ynë është ta shfrytëzojmë këtë moment, ta plotësojmë atë që e premtuam dhe atë për të cilën luftuam: jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, mundësi më të mira për fëmijët tonë dhe vend me shoqëri të drejtë, prosperitet më të madh, ekonomi në rritje dhe rroga më të mira. Sistem shëndetësor më të mirë, drejtësi sociale dhe sistem ligjor në të cilin të gjithë do të kemi besim. Tani është koha për këto ndryshime.
Në adresimin tim pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese thashë se ndryshimet pozitive dhe përmirësimet tani duhet ti radhisim çdo ditë, dhe se këtë e pres nga të gjithë ministrat dhe kryetarët e komunave. Pres që secili nga ne të punojë më tepër, me efikasitet dhe me përqendrim më të madh. E di se qytetarët nuk do të pranojnë zvarritje të mëtutjeshme, nuk do të pranoj as unë.
Ndryshimet asnjëherë nuk ndodhin brenda natës, por, që të ndodhin, duhet punë dhe angazhim personal i fuqishëm, çdo ditë, nga secili.
Kësaj qeverie, dhe mua si kryetar i saj, na mbetet ta kryejmë betejën me reformat për progresin e vendit dhe për ardhmërinë më të mirë për çdo qytetar të vendit. Detyrat janë të qarta, vazhdojmë me realizimin e reformave përmes zbatimit të ndryshimeve të ligjeve në gjyqësi, reformën dhe profesionalizimin e shërbimeve të sigurisë, depolitizimin e administratës publike dhe politikës kundër korrupsionit.
CIVIL Media: Arratisja e Gruevskit, amnistia, ndryshimet në Kodin Penal dhe lëshimi i të akuzuarve në rastet e PSP nga paraburgimi shkaktuan reagime të ashpra te një pjesë e madhe e opinionit që e përmbanin revolucionin e padhunshëm kundër regjimit. Ndërkaq, dora e Juaj e shtrirë duket se nuk e zvogëloi retorikën e ashpër që vjen nga strukturat nacionaliste në opozitë. Çfarë është ajo që ishte më e vlefshme se drejtësia të cilën e prisnim aq kohë të gjatë? A do të kontribuon amnistia dhe shenjat tjera të lëshimit, ndaj procesit të suksesshëm të pajtimit në kontekst më të gjerë?
Zoran Zaev: Unë disa herë publikisht kam thënë: Jam i drejtuar para vendimeve të cilat mund të shkaktojnë dëme të mëdha karrierës sime personale politike. Të udhëhiqet Qeveria e Republikës së Maqedonisë në këto momente të ndjeshme do të thotë të merret përgjegjësi të realizohen prioritetet më të rëndësishme strategjike në vend.
Nëse qëllimi im ishte të sundoj, do të merresha me hapa ultra popullare. Por, unë nuk e bëj këtë që të sundoj, por të mbizotërojnë perspektivat në Maqedoni – që të jetojnë më mirë fëmijët tuaj, tonë.
Proceset politike, ndërkohë i komplikuan pikërisht liderët politik për të cilët qëllimi i rëndësishëm i vetëm ishte edhe një mandat dhe para për partinë dhe për ata me të njëjtin mendim.
Politikën që unë e përfaqësoj dhe e zbatoj, kërkon sakrifica dhe kompromise të mëdha. Por, unë mësova se kompromisin e pranon nëse e kupton se menjëherë pas tij je një hap më afër qëllimit.
Prandaj, pikërisht unë e hapa debatin për pajtimin e domosdoshëm dhe për faljen, e cila është e nevojshme në tërë shtetin, që ti lëvizim proceset përpara. Kjo nuk është diçka e re, nuk është e menduar më parë. E mbani mend se mesazhet tona ishin “nuk ka revanshizma, nuk ka dëbime nga puna për ata që mendojnë ndryshe”. Pajtimi është pjesë e konceptit të njëjtë, pjesë e idesë të bisedohet dhe të pranohen të ndryshmit.
Ligji për amnisti, e cila është e kontrolluar dhe e kufizuar ashpër, për qëllim përfundimtar ka kontributin ndaj pajtimit mes deputetëve të përcaktimeve të ndryshme politike në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, me tendencë kjo të vazhdojë në vertikale, edhe te grupet e tifozëve dhe në komunat dhe te degët rinore të partive dhe çdo kund. Vetë Ligji, bën distinkcionin e qartë, përkufizimin se çfarë do të thotë pjesëmarrje në dhunë, për rolin e njerëzve të maskuar në ngjarjet dhe dhunën, çfarë do të thotë organizimi ose paramendimi i ngjarjes. Njëkohësisht do të dërgojë porosi se dënimi duhet të ekzistojë.
Ky proces njëkohësisht mundësoi edhe ambient besimi mes deputetëve në Kuvend, ambient në të cilin e siguruam mbështetjen për ndryshimet në Kushtetutë në pajtim me Marrëveshjen e Prespës.
Dhe këtu dua të jem i qartë, arratia e Gruevskit fare nuk i takon procesit të pajtimit dhe ndërtimit të besimit mes strukturave të ndryshme politike në shoqëri. Përkundrazi, arratia E e Gruevskit është akt i papërgjegjësisë dhe tradhtisë ndaj vendit dhe popullit. Gjithashtu, vendimi për paraburgimin e një pjese nga të akuzuarit nga rastet e PSP janë vendime të autoriteteve gjyqësore në të cilat nuk e kemi ndërmend dhe nuk guxojmë si pushtet ekzekutiv fare të ndërhyjmë – mjaftë ishin porosi të vendimeve gjyqësore dhe të fletoreve, e pamë se deri ku na çoi kjo.
CIVIL Media: Lufta kundër korrupsionit duket sikur nuk është prioritet. Pothuajse një vit jemi pa KSHKK, edhe pse ky është institucion i rëndësishëm edhe për proceset zgjedhore, ndera ndryshimet ligjore bëhen, sërish, përmes kompromiseve me BDI. Shembulli më i vogël për këtë është rekomandimi i Komisionit Evropian që KSHKK të ketë pesë, ndërsa nën presionin e BDI, megjithatë, mbeti zgjidhja ligjore e vjetër për shtatë anëtarë. A do të thotë kjo se zgjidhjet kadrovike mbetet të jenë partiake, dhe jo profesionale dhe mbi-partiake?
Zoran Zaev: Luftë pa kompromise kundër korrupsionit do të arrijmë vetëm me gjyqësi dhe prokurori të pavarur, transparente dhe llogaridhënëse, me komision antikorrupsioni të pavarur nga partitë. Të gjitha reformat e Qeverisë aktuale janë në drejtim të krijimit të institucioneve të fuqishme dhe të pavarura dhe mekanizmave për luftën kundër korrupsionit.
Në këtë drejtim ishte i krijuar dhe i punuar Ligji i ri për parandalimin e Korrupsionit dhe ndeshjes së interesave, për të cilin insistuam të miratohet me flamur evropian dhe me procedurë të shkurtuar, që të mos ketë prolongime dhe pengesa nga ana e opozitës. Kjo nuk e përjashtoi mundësinë për kyçjen e opozitës në diskutimin për amandamentet. Me ligjin e miratuar do të krijohet trup rregullues i fuqishëm, i pavarur i cili në bashkëpunim me qytetarët, organizatat qytetare dhe me institucionet do të ndalet para secilit që ka vendosur të krijojë interes personal mbi shpinën e qytetarëve.
Gjatë përgatitjeve dhe diskutimit publik për ligjin, ekspertët udhëzuan për nevojën që Komisioni i antikorrupsionit të jetë i forcuar që t’i realizojë ingerencat e veta për luftën kundër korrupsionit pa ndikime politike.
Argumentet me të cilat ishin të mbështetura këto udhëzime, u mishëruan në zgjidhje ligjore të cilat kanë të bëjnë me kushtet dhe mënyrën e zgjedhjes, emërimin dhe shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve në përbërjen e Komisionit, zhvillimin e programit antikorrupsion, dhe paraqitjen e gjendjes së pronës dhe interesave të personave të zgjedhur dhe të emëruar.
Sipas ligjeve të reja të propozuara, një nga kushtet për zgjedhje të kryetarit, gjegjësisht anëtarit të Komisionit, është: personi të mos ketë qenë deputet në dhjetë vitet e fundit, anëtar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, donator i ndonjë partie politike ose në funksion të organeve në ndonjë parti politike.
Parashikohet procedurë transparente për zgjedhjen e kandidatëve për kryetar dhe anëtarë të antikorruspionit, në të cilën, si pjesëmarrës në intervistë përfshihen edhe përfaqësues të Avokatit të Popullit, Akademisë së shkencës dhe arteve, Konferencës interuniversitare, shoqatave të gazetarëve, shoqata tjera dhe fondacione.
Më tej, propozohet forcimi i ingerencave të antikorrupsionit, posaçërisht me vendosjen e jurisdiksionit për ndjekjen e ligjshmërisë së financimit të partive politike dhe fushatave zgjedhore. Mundësuam edhe financimin e partive politike nga buxheti, është e radhës partitë të japin llogari dhe të jenë të sinqertë për shpenzimin e parave të qytetarëve.
Për shkak të efektivitetit të mekanizmave për kontrollim, parashikohet që Komisioni të ketë qasje në bazat e të dhënave të 17 institucioneve dhe saktësohen obligimet dhe afatet për përgjigje nga Komisioni për informatat e nevojshme dhe të dhënat me të cilat disponojnë personat fizikë dhe juridikë, organet dhe institucionet, persona tjerë juridikë, duke i përfshirë edhe bankat dhe institucionet financiare, për veprimin përkatës të Komisionit.
Lufta kundër korrupsionit nuk njeh ndarje në “tonët” dhe “tuajt”, por në të ndershëm dhe të panderë, në ata që do të punojnë në interesin e qytetarëve dhe sundimin e drejtësisë, dhe atyre që nuk janë kështu.
CIVIL Media: Ditë e më zëshëm flitet për zgjedhje të parakohshme parlamentare njëkohësisht me presidencialet. Para se të vini në pushtet flisnit për një njësi zgjedhore dhe ndryshime tjera në sistemin zgjedhor në vend, me çfarë do të mundësohet participimi më i lartë dhe respektimi i të drejtës votuese, në drejtim të zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike. Sistemi zgjedhor në këtë moment ka sfida serioze. Sistemi nuk arriti t’i zgjedhë problemet me Listën e Votuesve, numrin e jo harmonizuar të votuesve në dy nga gjashtë njësi zgjedhore, depolitizimin dhe profesionalizimin e administratës zgjedhore, votimin e diasporës, vrimat në Kodin Zgjedhor, funksionimin gjysmak të Komisionit Shtetëror për parandalimin e korrupsionit, reformat e pambaruara në gjyqësi ( kështu pra edhe në Gjykatën Administrative, do të thotë procedurat e ankesave), problemet lidhur me komisionin kundër diskriminimit… A vlerësoni se është koha e duhur për zgjedhje të parakohshme? Dhe, në përgjithësi, çfarë do të bëjë Qeveria e Juaj që të tejkalohen problemet, njëkohësisht edhe të krijohen kushte për plotësimin e premtimeve parazgjedhore për përmirësimin e sistemit zgjedhor?
Zoran Zaev: E dini qëndrimin tim: Maqedonia duhet ta shfrytëzojë këtë moment. Para së gjithash, për shkak të ekonomisë, reformave, ta rregullojmë sistemin tonë që të bëhemi shtet normal. Maqedonisë i duhet dera e hapur e cila tani është para saj. Na duhet fillimi i pastër që është para nesh në kuptim të rritjes ekonomike.
Të gjitha vendet që janë bë anëtare të NATO ose kanë hapur kapituj me BE, kanë pasur progres serioz.
Për LSDM dhe partitë qeverisëse është e dëshirueshme të ketë zgjedhje. I dimë anketat, e dimë si qëndrojnë punët, nëse vrapojmë, do të fitojmë katër vite para nesh. Kjo për secilin politikan dhe garniturë politike është e mirë. Një pjesë e kolegëve partiakë thonë se duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, bashkë me presidencialet, dhe kështu Maqedonia të merr terren të pastër, tre vite për reforma dhe ekonomi deri në zgjedhjet e ardhshme në vitin 2021.
Nga ana tjetër, qëndrojnë argumentet se zgjedhje parlamentare dhe presidencial njëkohësisht paraqesin ndalesë më të madhe sesa vetëm zgjedhjet presidenciale. Për shkak të këtyre dilemave, në parti seriozisht i analizojmë gjendjet dhe mund të garantoj se do të marrim vendim me të cilin do të garantojmë kushte më të mira për ekonominë, reformat dhe për zgjidhjen e problemeve të cilat i përmendët në pyetjen, të kenë terren të pastër.
Nga ana tjetër, kur bëhet fjalë për mbështetje institucionale për zgjedhje të besueshme, jam i bindur se tani, kur u sjell Ligji i antikorrupsionit dhe ndeshjeve të interesave, do të zgjidhet komision i fuqishëm Kundër korrupsioni që do të kontribuojë dhe për një proces zgjedhor të besueshëm, posaçërisht në pjesën e financimit të partive politike.
CIVIL Media: A mund të na zbuloni emra mes të cilëve do të zgjidhet kandidati i LSDM? Cili është favoriti Juaj personal për kandidat presidencial?
Zoran Zaev: LSDM në organet dhe trupat më të larta do ta diskutojë dhe do ta mbyll këtë çështje, dhe pastaj menjëherë opinioni do të jetë i njoftuar me vendimin tonë. Mund të premtoj se do të mundësojmë zgjedhje të mirë të personit për President shteti me interesa strategjike identike të shumicës së qytetarëve të vendit tonë. Presidente, ose President, që me ndjenjë të lartë të përgjegjësisë, me përkushtim dhe dinamikë do të ofrojë zgjidhje dhe do të punojë për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. President/e që është kundërshtar/e e ndasive dhe urrejtjes dhe që do ta promovojë Maqedoninë si vend të drejtë, pjesë e botës.
CIVIL Media: BDI dhe Ali Ahmeti janë partnerë shumëvjeçarë dhe të dëgjueshëm të regjimit të Gurevskit. Edhe pse fuqia e tyre u nda për gjysmë pasi që një numër i madh i votuesve shqiptarë votuan për LSDM, e një pjesë më e vogël edhe partive më të vogla shqiptare, Ju u dhatë hapësirë të madhe, kohë dhe resurse për mëvetësimin nga disfata në zgjedhje. A janë aq partnerë të mirë dhe të vlefshëm në qeveri, sa që asnjë dënim publik, e as procedurë gjyqësor nuk u drejtua në adresë të BDI? A mundej të bëhej ndryshe?
Zoran Zaev: Mendoj se gjyqësia sot është e liruar nga ndikime të ndryshme të pushtetit ekzekutiv dhe në këtë kuptim, proceset gjyqësore nuk varen nga ajo nëse dikush është anëtar i ndonjë partie ose jo, por nga ajo nëse e ka shkelur ligjin.
Gjithashtu, thirrja ime ndaj ministrave dhe drejtorëve, të cilën e drejtova menjëherë pas ndryshimeve zgjedhore, por edhe në këtë intervistë, qartë i shpreh pritjet e mia dhe të qytetarëve ndaj çdo funksionari të emëruar, pavarësisht nëse vjen nga BDI, nga LSDM ose nga ndonjë subjekt tjetër politik. Tani shteti është kthyer nën kontrollin e qytetarëve, kur kritika është e qartë, e zëshme dhe respektohet, puna e funksionarëve të qeverisë duhet të përmirësohet vazhdimisht, çdo ditë dhe rreth kësaj nuk ka kompromise.
Nga këndi politik, ky koalicion i qeverisë e pasqyron besimin e shprehur të qytetarëve për subjektet politike në zgjedhjet në vitin 2016. BDI është partia e cila te elektorati shqiptar fitoi më tepër vota, e me këtë edhe më tepër deputetë. Nga këtu, përfaqësimi i tyre në pushteti ekzekutiv është përkatëse, dhe nuk duhet të harrohet se edhe LSDM morri një numër të madh votash shqiptare, që mund të shihet edhe në përbërjen e grupit parlamentar në Kuvend.
E di se jam i njohur si krijues dhe bartës i konceptit “Një shoqëri për të gjithë” dhe nga kjo arsye mbaj përgjegjësi të madhe për zbatimin e suksesshëm të këtij koncepti, për të cilin është e domosdoshme mbështetja e të gjitha subjekteve politike dhe qytetare. Është mirë që këtë koncept e mbështesin të gjitha partitë politike të koalicionit qeveritar, kjo e garanton zbatimin e suksesshëm të konceptit.
Nga aspekti menaxhues, unë nuk i shoh njerëzit në qeveri si njerëz nga LSDM, BDI ose si njerëz që erdhën nga sfera e ekspertëve, sektori qytetar ose nga cilado parti. Ata shoh si njerëz të cilët duhet të realizojnë.
Kriter plotësues për mua është se sa puna e tyre ndikon të vërehet dallimi nga politikat e pushtetit të kaluar, a ka ndryshuar puna e institucionit për më mirë. Bartësit e funksioneve publike duhet të dorëzojnë rezultate me të cilat përmirësohet jetë a qytetarëve, dhe t’i realizojnë programet e institucioneve që i përfaqësojnë. Këto programe nuk janë pronë personale e drejtorit dhe ministrit. Këto programe janë të institucionit dhe të Qeverisë së RM.
CIVIL Media: Ndikimi rus është fenomen politik global, ndërsa në vendin është i dukshëm përmes pengesave të proceseve euroatlantike, më tepër të shprehura gjatë Referendumit, por edhe përmes ndikimeve në domenin e marrëdhënieve ndëretnike dhe proceseve të reformave. A mund të na zbuloni se si Qeveria do të merret me pasojat nga ndikimi rus në vend?
Zoran Zaev: Për ne nuk ekziston alternativë tjetër përveç anëtarësimi në BE dhe NATO. Andaj, mbështetja e partnerëve tonë strategjikë, vendet anëtare të BE dhe NATO, është e natyrshme.
Proceset e reformave në Republikën e Maqedonisl dhe ndryshimet që i intensifikojnë integrimet tona euroatlantike, janë çështje krejtësisht e brendshme e Republikës së Maqedonisë dhe interesave të saja strategjike nacionale.
Ndryshimet e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, e reflektojnë përcaktimin konsensual të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe BE.
Këto procese fituan mbështetje të fuqishme nga bashkësia ndërkombëtare, si akt i guximit politik, përgjegjësisë dhe udhëheqësisë, me të cilin zgjidhet problemi shumëvjeçar bilateral i cili i ngarkonte marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Greqisë.
Marrëveshja e Prespës jo vetëm se nuk i prek interesat e palëve të treta, por edhe rrënjësisht kontribuon për stabilitetin rajonal, miqësi dhe bashkëpunim, dhe si i tillë paraqet shembull dhe model për zgjidhjen e çështjeve të hapura mes shteteve.
Në rrafshin zyrtar politik, për ne çështja e përcaktimit tonë euroatlantik, është çështje e mbyllur.
Njësoj siç është e qartë se mbetemi të përkushtuar në kultivimin e marrëdhënieve të mira të miqësisë dhe bashkëpunimit me Federatën Ruse.
Në këtë emër, dëshiroj edhe një herë të them, se Republika e Maqedonisë ka qëllime strategjike. E kjo është, anëtarësi e barabartë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ne kërkojmë anëtarësim, sepse i ndajmë vlerat e NATO. Ato vlera i mbështesin më tepër se 80% nga qytetarët në vend.
Mbetemi të shpresojmë thellë për avancimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve me Federatën Ruse, e nga kjo, dy vendet mund të kenë vetëm përfitim.
Përkthimi: Dijana Tahiri
[divide]
Marrja e përmbajtjeve NUK ËSHTË E LEJUAR, përveç me leje me shkrim nga CIVILi edhe atë vetëm sipas Kushteve për shfrytëzim, të drejta autoriale dhe mbrojtje të privatësisë.
Lëndimi i të drejtave autoriale është e ndaluar me ligj.