Kategoritë

IMUNIZIM Nuk ka raste të reja të sëmurëve nga fruthi, “Makedonija lek” kërkon falje për gabimin

Kompania “Makedonija lek” e cila është importues i MRP vaksinave, e informon opinionin se pas informatave që u paraqitën për praninë e mundshme të vaksinave me afat të skaduar, kanë kryer kontroll të brendshëm.

“Pas informatave që u paraqitën në opinion për praninë e mundshme të vaksinave me afat të skaduar, kompania jonë “Makedonija lek”, e cila është importues dhe distributor i MRP vaksinave, ka kryer kontrollin e brendshëm për këto pretendime. Kontrolli ka treguar se të gjitha vaksinat e markës “Priorix”, të cilat i distribuon kompania jonë, janë me afat vazhdues dhe të sigurta për përdorim. Në pikat  për vaksinim janë shpërndarë vaksina nga dy seri, njëra me afat deri në maj të vitit 2019, ndërsa tjetra deri më korrik – 2019. Gjatë kontrollit, është gjetur një gabim më i vogël teknik të cilën e kanë bërë të punësuarit gjatë aplikimit të deklaratave. Ndërkaq, te një pjesë e vogël e paketimeve janë aplikuar deklaratat e vjetra me datë nga importi paraprak, gjegjësisht, nga tetori i vitit 2018. Kompania jonë kërkon falje për këtë lëshim dhe shqetësimet e shkaktuara. Këto paketime menjëherë janë tërhequr dhe do të zëvendësohen në mënyrë përkatëse. Qytetarët mund të jenë të sigurt se të gjitha vaksinat janë me cilësi të lartë dhe afat vazhdues”, lajmëruan nga kompania.

Nga kompania shtojnë se këtë vaksinë e importojnë nga viti 2016 dhe se e njëjta në vazhdimësi dorëzohet në institucionet shëndetësore me cilësi standarde.

Ministria për shëndetësi dje informoi se mbikëqyrja e jashtëzakonshme e inspektimit që u zbatua gjatë dy ditëve të kaluara nga komisioni i formuar me kërkesë të ministrit të shëndetësisë Venko Filipçe, ka treguar se të gjitha MRP vaksinat me të cilat imunizohen fëmijët kundër fruthit, janë me afat të vazhdueshëm dhe janë plotësisht të sigurta.

Shpjegojnë se kontrolli është zbatuar në disa pika vaksinuese, në të cilat janë kontrolluar me vëmendje afatet fabrike të shtypura në të gjitha kutitë dhe në paketimet e brendshme nga ana e prodhuesit.

“U vërtetua se të gjitha vaksinat janë me afat deri në maj të vitit 2019, gjegjësisht, korrik – 2019. Mbikëqyrja ka konstatuar se nga ana e importuesit, kompania “Makedonija lek” është bërë lëshim teknik. Gjegjësisht, kompania “Makedonija lek” te një numër i vogël i paketimeve ka ngjitur deklarata të vjetra. Për këtë konstatim të komisionit inspektues e informuam edhe kompaninë “Makedonija lek”, thuhet në kumtesën e Ministrisë për shëndetësi.

Nga ministria apelojnë deri te prindërit dhe qytetarët të jenë të qetë dhe lirisht të vazhdojnë me imunizimin e rregullt të fëmijëve.

Ndërkohë nuk ka informata për raste të reja të personave të sëmurë nga fruthi. Deri dje në ora 13:00 janë vaksinuar gjithsej 1.102  fëmijë. Ministria e resorit kumton se pikat e vaksinimit në poliklinikat “Bukuresht”, “Bit Pazar” dhe “Jane Sandanski” prej sot ( 08 janar) do të punojnë në dy ndërrime, nga ora 07:30, deri ora 19:00.

Edhe sot, në çerdhet në Shkup nuk pranohen fëmijët që nuk janë vaksinuar, ndërsa prindërit reagojnë ashpër në rrjetet sociale. Ata për sot në ora 17 kanë paralajmëruar protestë para Ministrisë për shëndetësi.

Ministria për punë dhe politikë sociale i ka informuar të gjitha çerdhet shtetërore dhe private, se Ministria e shëndetësisë ka shpallur epidemi të fruthit në Shkup, në pajtim me ligjin për mbrojtje të popullsisë nga sëmundje ngjitëse. Njëkohësisht MPPS u ka dhënë në dije çerdheve se ka hyrë në fuqi ndalesa për pranimin e fëmijëve të pavaksinuar nga MRP ( morbile, rubeola dhe parotiti).

“Çerdhet janë të obliguara edhe të zbatojnë masa sanitare -higjienike dhe kundër epidemike. Në bazë të kësaj, Ministria për punë dhe politik sociale  udhëzon se duhet të respektohen vendimet e Ministrisë për shëndetësi. Udhëzimet dhe rekomandimet janë në drejtim të parandalimit dhe sigurisë më të madhe të fëmijëve. Njëkohësisht i informojmë prindërit se dënimet për mos vaksinimin e fëmijëve janë nga 350 deri 650 euro”, thonë nga MPPS.

M. I.